Thursday 21-11-2024
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

Nëntor 1990, Kur Hafiz Sabri Koçi iu drejtohej besimtarëve myslimanë e të krishterë

admin
  • Krijuar : 05-06-21
  • / 4956 Lexime

30 vjet nga ceremonia e parë myslimane pas ndalimit të fesë, kur 55 mijë besimtarë sfiduan frikën dhe ish-i dënuari, Hafiz Sabri Koçi i dha Zotit lavdi me zë të lartë: “Dëgjues të nderuar! Vëllezër dhe motra, myslimanë, katolikë dhe ortodoksë, mbi të gjitha shqiptarë! Sot kemi gëzimin më të madh pas 23 vjetësh dëgjojmë kënaqësinë më të madhe të zemrën dhe të shpirtit tonë. Ju hapën portat zemrave, që të njohin, të dashurojnë, të respektojnë të afërmit e tyre. cili është më afër te njeriu se sa ai te vetvetja? Është Zoti. Lavdi i qoftë të madhit Zot që e ruajti dashurinë e vet në zemrat tona!  

 

Turma njerëzish nga qyteti dhe fshatrat i afroheshin Xhamisë së Plumbit në Shkodër atë të premte, të 16 nëntorit 1990 dhe zinin vend ku të mundnin. Sheshi para saj u mbush, njerëzit hipën mbi çati, mbi mure, mbi tarraca, mbi bordurat e vetë xhamisë. Ishin rreth 55 mijë vetë.

 

Pas ceremonive të 4 dhe 11 nëntorit 1990 të besimtarëve katolikë, më 16 nëntor 1990 u mbajt po në Shkodër ceremonia e parë e faljes në Xhaminë e Plumbit. U drejtua nga Hafiz Sabri Koçi, që, ashtu si dom Simon Jubani që drejtoi meshën e parë katolike, kishte dalë nga terri i burgjeve komuniste.

 

Ai regjim ishte ende në fuqi dhe ai tubim nuk ishte krejt pa rrezik. Policia dhe Sigurimi survejonte gjithë ceremoninë, siç tregon edhe dokumenti i publikuar nga Kastriot Dervishi që përshkruan me detaje të gjitha lëvizjet e asaj dite, por ajo për të cilën nuk mund të shkruanin dot përfaqësuesit e Sigurimit, ishte dëshira për liri që ishte ripërtërirë më e fuqishme se kurrë këtë pranverë nëntori të fesë në Shqipëri. Aq e zjarrtë ishte dëshira në zemrat e besimtarëve dhe të rinjve që u bënë nismëtarë të kësaj ceremonie, sa ishin gati të jepnin edhe jetën nëse pushteti do të vendoste të merrte ndonjë masë ekstreme kundër tyre. Hafiz Sabri Koçi, nuk mund të mos i ishte falënderues Zotit që ia mbërriti kësaj dite.

 

“Dëgjues të nderuar! Vëllezër dhe motra, myslimanë, katolikë dhe ortodoksë, mbi të gjitha shqiptarë! Sot kemi gëzimin më të madh pas 23 vjetësh dëgjojmë kënaqësinë më të madhe të zemrën dhe të shpirtit tonë. Ju hapën portat zemrave, që të njohin, të dashurojnë, të respektojnë të afërmit e tyre. cili është më afër te njeriu se sa ai te vetvetja? Është Zoti. Lavdi i qoftë të madhit Zot që e ruajti dashurinë e vet në zemrat tona, e nuk na përbuzi, e ruajti në zemër…, ja ndezi dritën e dashurisë së vet në zemër dhe në shpirt”, tha ai pasi u arrit të vendosej disi qetësia mbi atë det euforik njerëzish. Jashtë fjalës së parë të drejtuesit të ardhshëm të komunitetit mysliman në Shqipëri nuk mbetën as persekutorët dhe urdhëruesit e kësaj heshtjeje 23-vjeçare që në të vërtetë e nisën sulmin e tyre ndaj fesë që në ditët e para të pushtetit të tyre.

 

“O Zot, bëj që të falimentojnë zullumqarët me zullumqarët (të padrejtët, komunistët), njëri me tjetrin, të paguajnë hakun ndërmjet tyre”, tha Hafiz Sabri Koçi, siç citon në faqen e tij, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, duke përjashtuar alternativën e hakmarrjes në qëndrimin e besimtarëve ndaj njerëzve të veshur me pushtet. Një qëndrim i kahershëm i përfaqësusve fetarë ky, që rezononte atë 16 nëntor me Ditën Ndërkombëtare të Tolerancës.

 

Në një intervistë të dhënë për një gazetë arabe, Hafiz Sabri Koçi, përshkruante emocionet e asaj dite, që e quante më të bukurën e jetës së tij. “Gëzimi më i madh imi ka qenë më 16 nëntor…sikur linda përsëri. Kur shkova te xhamia, ç’të shihja? Ishte mbushur zi (plot) me njerëz. Vargu i tyre zgjatej deri në kala. Altoparlantët rreth e përreth. S’mund të bëje asnjë hap. Të gjithë filluan tekbiret. Brohorisnin. Masa gjithnjë e më tepër merrte flakë. Dikush u desh t’i qetësojë duke thënë se fetarisht nuk bënte kështu. Policia kishte ardhur…binin përforcime të reja. Rinia kishte vendosur që po të ishte nevoja edhe të jepnin jetën. Kam hipur në një tribunë të ngritur për atë qëllim. Mezi e përmbajta veten dhe s’mund t’u besoja syve të mi. Thashë: A jam në mend apo s’jam!? S’kisha parë në jetën time aq të tubuar, mbi 55.000 vetë. E mora fjalën dhe mbajta një bisedë të shkurtër. E pashë veten aq të lumtur saqë nuk kisha gajle edhe sikur t’u bëja kurban (të sakrifikohesha). Nuk kishte gëzim më të madh për jetën time”.

 

Nga ajo ditë, faltoret nisën të hapeshin anembanë Shqipërisë dhe njerëzit nisën të adhuronin haptas Zotin. Besimtarët kishin marrë zemër. Besimi i tyre nuk do rinte më i strukur vetëm aty.

 

Fotoja me dokumentin është publikuar fillimisht nga studiuesi Kastriot Dervishi.

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2024 All rights reserved - Bota Islame