Thursday 21-11-2024
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

NË PRAG TË PUSHIMEVE

admin
  • Krijuar : 12-07-21
  • / 2231 Lexime

Ja dhe shkolla mbaroi për këtë vit. Bashkë me përfundimin e një viti shkollor, prindërit i shqetëson më shumë mendimi se si fëmijët do t’i kalojnë këto pushime.

Pushimet verore mundësojnë zhvillimin, zbulimin e aftësive, maturimin e fëmijëve. Një kohë kaq e bollshme duhet kaluar me një plan sa efektiv aq dhe produktiv. Më poshtë do të japim disa këshilla për prindërit:

Pikë së pari, nxiteni fëmijën të ndajë me ju ndjenjat pozitive dhe negative të lidhura me dëftesën. Përpiquni të jeni të sinqertë me të dhe mos përdorni fjalë apo ton ofendues nëse ai ka dalë me rezultate të padëshiruara. Krijoni empatinë e duhur dhe kuptoni ndjenjat e tij. Mos kaloni shumë kohë duke vlerësuar dëftesën, sepse kjo do të krijojë një ndjenjë presioni te fëmija.

Diskutoni me fëmijën se si mendon t’i shfrytëzojë pushimet verore dhe cilat janë fushat ku mendon të fokusohet.

Bëjani të ditur se ju jeni të gatshëm t’i jepni ndihmën dhe mbështetjen e kërkuar.

Përpiquni të njihni fëmijën tuaj, të vlerësoni objektivisht anën e tij pozitive dhe negative dhe të arrini që t’ia transmetoni këtë edhe atij. Për këtë arsye krijoni mundësinë ku ai të shpalosë aftësitë dhe talentin.

Mos bëni plan në vend të fëmijës tuaj, por planifikoni bashkë me të. Shumë familje përjetojnë debate në lidhje me përcaktimin e një plani veror. Zakonisht prindërit mbajnë dy qëndrime, atë autoritar, ku bëhet çfarë mendon e thotë prindi dhe atë shumë demokratik, ku vendimi lihet në dorë të fëmijës. Në këtë rast debatet përfundojnë me fitoren e njërës palë dhe humbjen e tjetrës. Shtëpia nuk duhet të kthehet në një fushë betejë ku shpaloset autoriteti dhe fuqia, por një vend ku ndahet dashuria dhe përgjegjësitë.

Përpiquni të gjeni një rrugë të mesme ku të harmonizohen dëshirat tuaja dhe të fëmijës. Dhe mos harroni: Përpilimi i një plani është shumë herë më efektiv se indiferentizmi dhe mospërpilimi i tij.

Ja disa këshilla të arta:

Dëftesa të mos vendoset në qendër të vëmendjes: pas vlerësimit objektiv të dëftesave të dobëta fëmijëve u duhet dhuruar dashuri dhe siguri. Qëndroni larg krahasimit të fëmijës suaj me fëmijë të tjerë. Fëmijët që kanë marrë një dëftesë shembullore duhen falënderuar për përpjekjet e bëra.

Të mos bëhemi robër të internetit: pajisjet teknologjike si: telefoni, tableta, kompjuteri etj., nuk duhen përdorur në mënyrë të pakontrolluar. Mungesa e kontrollit sjell varësi dhe humbje përqendrimi te fëmijët. Nëse prindërit nuk bëjnë një plan veror, atëherë fëmijët do ta kalojnë të gjithë verën para televizorit apo internetit. Në këtë mënyrë do të pengohet zhvillimi mendor dhe fizik i tyre dhe do t’i hapet rrugë shumë problemeve.

Të vlerësohen kurset e gjuhëve të huaja: regjistrimi në një kurs gjuhe do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e fëmijëve. Krahas kësaj, këto kurse ndikojnë në përdorimin efektiv të kohës dhe planifikimin më frytdhënës të verës.

Të përpilohet një listë e librave që mund të lexohen: lista duhet të përpilohet duke u bazuar te niveli dhe dëshirat e fëmijës. Nxitja e fëmijëve në zbatimin e përmbajtjes së kësaj liste përbën një hap të rëndësishëm. Nëse është e mundur leximi i librave të bëhet familjarisht, duke bërë analizën dhe diskutimin rreth vendeve më të pëlqyera. Mund të caktohen orare të veçanta të leximit bashkë si familje.

Forcimi i marrëdhënieve familjare: kalimi i pushimeve verore pranë të afërmve apo kushërinjve mund të ndikojë pozitivisht në forcimin e marrëdhënieve familjare. Duke u bërë vizita familjarëve fëmijët arrijnë të kuptojnë shpirtin e familjes dhe të zbulojnë rëndësinë e bashkimit.

© 2024 All rights reserved - Bota Islame