Saturday 23-11-2024
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

Kulla e Sahatit, monumenti simbol i Tiranës

admin
  • Krijuar : 10-09-21
  • / 2035 Lexime

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, edhe pse është metropol modern që transformohet çdo ditë, bashkëjeton edhe me historinë, trashëgiminë e pasur kulturore, monumentet historike dhe ndërtesat karakteristike tiranase të periudhave të ndryshme historike.

 

Sot qyteti ka disa monumente të karakterit historik, përfshirë edhe ato të ndërtuara sidomos gjatë periudhës osmane, si Xhamia Et’hem Beu, Kulla e Sahatit, një pjesë e Kalasë së Tiranës, Tyrbeja e Kapllan Pashës, Ura e Tabakëve dhe disa nga shtëpitë e vjetra karakteristike që janë monumente kulture, duke krijuar një mozaik monumentesh që mbrohen nga shteti.

 

 

Në mesin e këtyre monumenteve, Kulla e Sahatit mbetet një nga më të njohurat dhe simbol i trashëgimisë së vjetër të Tiranës, e cila ndodhet shumë pranë Xhamisë Et’hem Beu, në qendër të kryeqytetit të Shqipërisë, e ndërtuar gjatë periudhës osmane.

 

Sipas të dhënave zyrtare nga Bashkia e Tiranës, Kulla e Sahatit, e cila ka statusin e monumentit të kulturës së kategorisë së parë, filloi të ndërtohej nga Haxhi Et’hem Beu në vitin 1822. Punimet vazhduan deri në vitin 1830, duke përfunduar me kontributin e familjeve të pasura të Tiranës, me një lartësi fillimisht 30 metra.

 

Arkitektura e saj është e përzier, pasi pjesa e gdhendur dhe punuar në gurë e kullës është e stilit osman, ndërkohë që me ndërhyrjet restauruese në vitin 1928, kullës iu shtuan pesë metra lartësi, një ballkon dhe iu vendos një çati e tipit venecian.

 

Ajo aktualisht është e gjatë 35 metra, ndërsa shkallët e saj prej druri pas disa restaurimeve në kohë të ndryshme janë zëvendësuar me shkallë metalike dhe në ambientet brenda kulla është e veshur me gurë.

 

Kulla në lartësi të ndryshme është e pajisur me frëngji të vogla, që kishin funksion mbrojtës dhe të ajrosjes, ndriçues, dhe në majën e saj e pajisur me orë në 4 pozicione. Çdo vizitor mund të sodisë pamjet e Tiranës nga maja e kullës, duke përshkruar 90 shkallët e saj në formë spiraleje.

 

Si një monomet simbol, kulla përveç vlerave historike mbart edhe rëndësinë për turizëm, pasi tërheq kureshtjen për shtetas të huaj nga vende të ndryshme që vizitojnë Tiranën për qëllime turistike, ku vizitojnë edhe ambientet brenda saj.

 

Të shumtë janë turistët që përveçse vizitojnë ambientet e kullës, shijojnë në lartësinë e saj edhe pamjet e qendrës së Tiranës dhe Sheshit “Skënderbeu”, ku “dëshmojnë” disa periudha të historisë me ndërtesat karakteristike të tyre, siç është Xhamia Et’hem Beu e periudhës osmane, ndërtesat e ministrive që i përkasin periudhës së Mbretit Zog, si dhe Muzeu Historik Kombëtar dhe Pallati i Kulturës të periudhës së komunizmit.

 

Kulla e Sahatit është edhe simbol i emblemës së Bashkisë së Tiranës dhe së bashku me Xhaminë Et’hem Beu, formojnë një “mozaik unik” arkitekturor, që për shumë vizitorë nuk ndahen nga njëra-tjetra, edhe për shkak të afërsisë ku ndodhen.

 

Si rezultat i vlerave historike dhe arkitekturore që ka Kulla e Sahatit në Tiranë, me vendim të posaçëm të Bashkisë së Tiranës është shpallur qendër e vizitueshme, ndërkohë që çdo turist që viziton kryeqytetin shikon monumentin simbol rreth 200-vjeçar.

 

Monumentet, përfshirë edhe Kullën e Sahatit, iu kanë rezistuar periudhave historike, por edhe luftërave, dhe sot janë dëshmi e Tiranës së dikurshme, e historisë dhe kulturës së saj, që i sjellin kryeqytetit të Shqipërisë përveçse turistë të shumtë, edhe një identitet historik.

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2024 All rights reserved - Bota Islame