Në vitin 1967, Shqipëria u shpall shteti i parë ateist në historinë e njerëzimit, i cili kulmoi me aksionin e madh për çrrënjosjen e xhamive e kishave, duke i sjellë vendit një dëm të dyfishtë edhe për vlerat e pazëvendësueshme kulturore, historike e arkeologjike të këtyre objekteve. Nëpërkëmbja e të drejtave minimale demokratike e humanitare të qytetarit, zgjati gati pesë dekada. Me rënien e sistemit komunist, me ndihmën edhe të popujve miq, Shqipëria u integrua në pluralizëm. Më 1990, u rivendos liria e fesë. Institucioni i Komunitetit Mysliman, i sapongritur, paralelisht me punën e hapjes së xhamive, duke vlerësuar situatën, e pa si nevojë të ngutshme nisjen e botimeve, ku i jepej përparësi shtypit periodik.
Ka qenë traditë e kahershme që institucionet përfaqësuese të komuniteteve fetare, të kenë mjetet e tyre të komunikimit masiv, kryesisht ato të shkruara në formën e gazetës dhe revistës, si dhe së fundmi të radiove, faqeve të internetit, rrjeteve sociale, etj. Me datë 7.10.1991 H. Hafiz Sabri Koçi i drejtohet Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve me një shkresë, ku mes të tjerave, i kërkon të mundësojë botimin e një gazete.[1] Ish-redaktori i gazetës “Drita Islame”, z. Nasuf Dizdari kujton: “Ishin ditët historike të vitit 1991, kur në muajin dhjetor bëhej mbledhja e parë e Drejtorisë së Kulturës dhe u vendos që në janar të vitit 1992 të shihte dritën e botimit gazeta “Drita Islame”, organ i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, si periodik dyjavor”. Dhe kështu, me shumë përpjekje, më 10 janar 1992, doli numri i parë i gazetës “Drita Islame” dhe si kryeredaktor u caktua Ismail H. Muçej. Në numrin e saj të parë u botua edhe përshëndetja e kryetarit të Komunitetit Mysliman të asaj kohe, H. Hafiz Sabri Koçi me titull: “Mirë se na erdhe, Drita Islame!”. Në sajë të një pune serioze e profesionale, shumë shpejt ajo u kthye në tribunën e mendimit islam dhe burimin kryesor të informacionit për myslimanët e Shqipërisë e përtej saj.
Autorë të kudondodhur nëpër Shqipëri, i rritën pretendimet ndaj artikujve të tyre, për t’u paraqitur me tematikë të larmishme çdo herë më të përmirësuar. Dinamika e zhvillimit në drejtim të cilësisë së shkrimeve, u orientua në kahun e prosperitetit, së bashku me zgjerimin e rrethit të bashkëpunëtorëve. Përmbajtja e gazetës karakterizohej jo vetëm nga botimi i mesazhit islam për një popull të etur për besim, por përmes analizave, sugjerimeve dhe kritikave të ndryshme, ka funksionuar edhe si një zë i elitës myslimane me besimtarët, shtresat e shoqërisë dhe institucionet publike e private, të gjitha këto në lidhje me çështje të nxehta që preknin realitetin shqiptar. Që në numrin e parë, gazeta shpalosi misionin e saj shoqëror dhe kombëtar, ku synonte zgjimin e ndërgjegjes fetare te besimtarët e saj në bazë të mësimeve morale të Kur’anit, duke e zhveshur nga të gjitha mbresat e dëmshme të lëna nga ateizmi për afro gjysmë shekulli.
Në një moment kur Shqipëria po përballej me një nga krizat më të mëdha të periudhës paskomuniste, atë të firmave piramidale në vitin 1997, KMSH, përmes “Drita Islame”, sqaroi pozicionin e saj ndaj kësaj çështjeje, duke i ofruar çdo besimtari të vërtetën islame ndaj kamatës apo fajdesë: “Si fe humanitare që është, Islami e ndalon marrjen e interesit përkundrejt një huaje të dhënë dhe e konsideron atë si një akt që shkon në kundërshtim me atributin e Zotit”[2], thuhet në një editorial të posaçëm të publikuar në shkurt të 1997-ës.
“Drita Islame” e filloi veprimtarinë e saj fillimisht si gazetë deri në vitin 2011, për të vazhduar më pas në formatin e një reviste në janar të vitit 2012. Ajo nëpërmjet mesazheve që përcjell, përmbledh jo vetëm spektrin fetar, por trajton edhe një sërë çështjesh problemore që kanë të bëjnë me edukimin, ekonominë, normat e sjelljes komunitare, çështje me karakter social e politik, etj. Nga një vështrim i thjeshtë që mund t’i bësh çdo numri të gazetës/revistës, vihet re një larmi e gjerë analizash mbi çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me besimin, artin, kulturën, kombin, etj. Mjafton të shfletosh faqet e saj dhe që nga viti 1992 e deri më sot, do të gjesh tema të shumëllojshme, të cilat synojnë lexues të profesioneve, etnive dhe besimeve të ndryshme. “Drita Islame” ka edhe një meritë tjetër, atë të kujdesit të posaçëm që ka treguar për të respektuar arritjet bashkëkohore të gjuhës sonë me komponentët e saj, që ne e konsiderojmë si një kontribut me vlerë në drejtim të kulturës gjuhësore në të shkruar, pse jo, edhe në të folur.
Revista “Drita Islame” vjen në formatin online me adresën www.dritaislame.al, me një vizion të ri dhe me ambicie të reja në hapësirën mediatike shqiptare. Formati online i “Dritës Islame” u hap më 1 dhjetor 2011 me informacione të ndryshme për të gjithë lexuesit, me një larmishmëri rubrikash si: Kur’an, hadith, fikh, bota jonë, refleksione, familja, gruaja, hapësirë fëminore, trashëgimi kulturore, jeta e profetëve, jeta e profetit Muhamed (a.s.), jeta e sahabëve, histori fetare, fakte shkencore, personalitete, si dhe vetë formati i revistës në ‘pdf’.
Në 25 vjetorin e saj, më 28 shkurt 2017, ish Presidenti i Republikës së Shqipërisë SH.T.Z. Bujar Nishani, i ka akorduar revistës “Drita Islame” titullin “Naim Frashëri” me motivacion: “Për kontributin e saj në zgjimin e ndërgjegjes fetare e kombëtare, me anë të promovimit të atdhedashurisë, harmonisë, mirëkuptimit, kulturës e vlerave humane të besimit Islam në mbarë kombin shqiptar”.
Në këtë fillimvit, “Drita Islame” mbushi 30 vjet veprimtari të jetës në shërbim të myslimanëve dhe të të gjithë qytetarëve të kombit tonë, pa dallim ngjyre, religjioni apo shtrese shoqërore. Kontributi dhe arritjet e “Drita Islame” nuk mbarojnë këtu, veprimtaria e saj është mirëpritur nga vetë lexuesit. Me rastin e 30 vjetorit të organit të shtypit “Drita Islame”, vëmendje të posaçme e përgëzime, meritojnë të gjithë ata që, për të paraqitur idealet, mendimet apo rezultatet e kërkimeve të tyre studimore, zgjodhën “Drita Islame”.