Urimi i Myftiu të Kosovës, Naim ef. Tërnava me rastin e fillimit të muajit të bekuar Ramazan
Të nderuar besimtarë!
Vëllezër dhe motra!
Të nderuar qytetarë të Kosovës!
Kam kënaqësinë që sot, para kohës së xhumasë, në natën e madhe të Ramazanit, t’ju drejtohem me këtë mesazh urimi, duke ju përgëzuar me rastin e fillimit të muajit të bekuar Ramazan, gjatë të cilit, besimtarët myslimanë, anekënd globit kryejnë me bindje e përkushtim një ndër kushtet e besimit islam - agjërimin.
Për muajin e agjërimit, Allahu xh.sh., në Kuranin fisnik ka thënë: “Muaji Ramazan është muaji në të cilin zbriti Kurani, ai është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i së vërtetës nga gënjeshtra). Prandaj, kush e arrin prej jush këtë muaj, le të agjërojë…”Agjërimi i muajit Ramazan për çdo besimtar është një ibadet që kryhet vetëm për hir të Krijuesit, me shpresën se për këtë do të ketë shpërblim vetëm nga Allahu xh.sh..
Përmes agjërimit, besimtari mysliman synon që të jetë më i devotshëm, më i përkushtuar, më i ndjeshëm, më racional, më human dhe më tolerant në raport me vetveten, me familjen, komunitetin dhe shoqërinë në përgjithësi.
Përveç kësaj, agjërimi i Ramazanit, ky ibadet i veçantë, e fisnikëron besimtarin, e bën atë më të durueshëm, më të afërt e më të çiltër.Gjatë këtij muaji, ndër besimtarët agjërues shtohet edhe ndjenja e përkrahjes dhe solidaritetit shoqëror, sepse në këtë muaj ne jemi shumë më pranë familjeve, farefisit, miqve dhe komunitetit tonë. Këto ndjenja afrimi e dashurie shfaqen sidomos kur gjendemi rreth sofrës së Ramazanit në kohën e iftarit e të syfyrit, në vaktin e faljes së namazeve në shtëpitë dhe në xhamitë tona, si dhe në kohët e bashkëbisedimeve me të dashurit tanë.
Andaj, Ramazani përveç se një ibadet dhe farz i fesë sonë, ai është një muaj i bekuar që na i freskon dhe na i ujit zemrat me begatitë e tij të shumta dhe na bënë që të bashkohemi me familjarët tanë, dhe kështu na mundëson që ta ruajmë e ta kultivojmë dashurinë dhe kujdesin për familjen dhe misionin e saj. Gjatë këtij muaji, duhet gjendemi edhe më pranë prindërve tanë të cilët kanë shumë nevojë për dashurinë dhe kujdesin tonë, jemi më afër fëmijëve tanë, të cilëve u duhet mbështetja dhe ngrohtësia prindërore, gjendemi në ballë dhe ua japim dorën e ndihmës vëllezërve dhe motrave tona, të cilët kërkojnë mirëkuptimin, pëlqimin dhe mbështetjen tonë. Të gjitha këto vlera e virtyte, në saje të agjërimit, shumëfishohen, shprehen më fortë dhe jetësohen përgjatë gjithë muajit Ramazan.
Kur jemi te familja, më lejoni që në këtë natë të madhe, në vigjilje të muajit të bekuar të Ramazanit, të apeloj tek të gjithë ne, që të angazhohemi në ruajtjen dhe në edukimin e drejtë të saj, ashtu siç na ka krijuar e na ka porositur Krijuesi i Gjithësisë, Krijuesi ynë - Zoti i Madhëruar. Ai llojin njerëzor e ka krijuar të tillë, me dy gjini e me misione të caktuara, aq sa asnjë akt a vendim nuk mund ta zëvendësojë roli e nënës me të babait dhe as të babait me të nënës. Prandaj, në këtë muaj të mëshirës, të ibadetit e të solidaritetit, në këtë muaj Ramazani, ju ftoj të gjithëve që të jemi pranë familjes, ta ruajmë familjen dhe atë ta mbajmë në piedestal. Sepse, kur familja është e shëndoshë, edhe shoqëria është e shëndoshë dhe kështu e ardhmja jonë është e sigurt.
Të nderuar vëllezër dhe motra!
Në këtë muaj të bekuar Ramazan, po hyjmë më të lehtësuar nga sfida e pandemisë COVID-19, e cila dita-ditës po e humb forcën e saj, ndaj dhe lus të Madhin Zot që kjo të përfundojë sa më parë. Mirëpo, në këtë Ramazan, fatkeqësisht, po hyjmë me atmosferë luftërash e konfliktesh nëpër botë, nga të cilat po e pësojnë qytetarët e pafajshëm. Prandaj, në këtë muaj të rahmetit lutemi për paqe, qetësi, dashuri e mirëkuptim!
Të dashur vëllezër dhe motra!
Gjatë muajit Ramazan, të bëjmë më të mirën e mundshme me ibadete, lutje, namaz, sadaka e solidaritet, që ta meritojmë dhe të na arrij kënaqësia e Krijuesit.
Duke ju uruar mbarësi e shëndet, të gjithëve ju dëshiroj që muajin e madhëruar Ramazan ta përjetoni me të gjitha mirësitë e begatitë e tij, ju dhe familjet e juaja, kudo që gjendeni!
E lus të Madhin Zoti që të na lehtësojë agjërimin dhe të na fisnikërojë me moralin dhe etikën e Ramazanit.
Urime të gjithëve muaji Ramazan!