Ramazani në shkrimet e hafëz Ali Korçës
- Krijuar : 30-04-22
- / 1193 Lexime
Ramazani si adhurim, identitet dhe kulturë
Identiteti fetar te shqiptarët ka qenë i brumosur për shekuj me radhë. Jeta, veshja doket traditat kultura mendimi e shkrimi kanë qenë të ngjyrosura me bukuritë e Islamit për një kohë të gjatë te kombi ynë. Identiteti fetar me shenjat e tij ka qenë i theksuar në të gjithë gjeografinë tonë shqiptare, ku më pak e ku më shumë.
Shenjat e këtij identiteti e kanë shoqëruar në vazhdimësi kombin tonë, përveç kohës së komunizmit, i cili dhunshëm e ndryshoi identitetin tonë dhe historinë ndaj identitetit tonë. Krahas së vërtetës sonë për identitetin fetar të mishëruar brenda strukturës sonë kombëtare dhe historisë së keqinterpretuar zyrtare ndaj këtij identiteti, e kemi obligim t'i shpërfaqim të vërtetat e lidhjes së fortë midis identitetit dhe kulturës kombëtare e islame te shqiptarët.
Ramazani te shqiptarët përveç si adhurim ndaj Zoti të Madhërishëm ka qenë edhe shenj identitare, kulturore e intelektuale. Historia jonë dëshmon për lidhjen e ngushtë ndërmjet Ramazanit si adhurim, atmosferës si festë kulturore dhe studimet rreth tij si vlerë intelektuale. Tradita myslimane shqiptare me përgjegjësi dhe dashuri e ka kuptuar peshën universale të Ramazanit dhe është munduar që nga kjo traditë të strukturojë kulturën dhe mënyrën e jetesës së tij. Muaji Ramazan ishte një muaj të cilin mbarë Shqipëria e priste me respekt. Por, diçka më e thellë dhe më me peshë se kjo ishte se tri ditët e fundit para Bajramit për dyqanxhinjtë dhe besimtarët e pasur ishte periudha e regjistrimit të mallit, që në fakt, ka qenë përgatitja për dhënien e zekatit dhe sadakatul-fitrit, andaj gjatë këtyre ditëve, rrugët e qyteteve ndriçoheshin me llamba vajguri.(1)
Ramazani krahas ndikimit në jetën kulturore e organizative te shqiptarët, ishte edhe objekt studimi e hulumtimi nga dijetarët e hoxhallarët tonë. Ishte shkak për ngritje intelektuale, edukative e shkencore të elitës sonë kombëtare e fetare. Në funksion të shpërfaqjes së kontributit intelektual të dijetarëve tonë për Ramazanin, është edhe kontributi i madh i hafëz Ali Korçës.
Hafëz Ali Korça lindi më 5 prill të vitit 1873 në Korçë dhe vinte nga një familje e njohur intelektualësh. Fillimisht shkollohet në Korçë, ku në moshën 12 vjeçare arrin të bëhet hafëz i Kuranit dhe të mësojë gjuhën turke. Shkollimin universitar e kreu në Stamboll, ku krahas gjuhëve që njihte arriti të mësoi gjuhën arabe, perse dhe frënge, si dhe të njihet më pasurinë shkencore të autorëve klasik, dituri të cilat i shfaqi gjatë shkrimeve dhe publikimeve të tij të mëvonshme.(2)
Hafëz Ali Korça, përveç që ishte intelektual e personalitet i kohës, ai ishte i angazhuar vazhdimisht edhe në çështjen kombëtare dhe në jetën organizative fetare. Ishte në pozita të ndryshme shtetërore e shoqërore, që nga pozita këshilltar për çështje arsimore në Ministrin e Arsimit (v. 1914), pastaj kryemyfti në Këshillin e Naltë të Sheriatit në Shkodër (v. 1916), si dhe kryetar i Këshilli t të Naltë të Sheriatit në Tiranë (v. 1918), ku së bashku më kolegë hapi Medresenë e Tiranës.(3)
Hafëz Ali Korça përveç kontributit të tij kombëtar e fetar dha kontribut të jashtëzakonshëm edhe në publicistikën shqipe. "Abetare", Alfabeti arabisht", "Myslimania", "Treqint e tri fjalët të Imam Aliut", "Kur'ani i Madhnueshim e Thelbi Tij", "Shtat ëndrrat e Shqipërisë", "Mevludi 1909-1923- 1944", "Historija e shënjtë edhe katër Halifetë" , "Bolshevizma çkatërimi i njerëzimit", "Publicistikë dhe shkrime të tjera në revistat Zani i Naltë dhe Kultura Islame”(4), janë vetëm disa nga kontributet e jashtëzakonshme intelektuale të hoxhës, hafëz Ali Korça, në kuadër të së cilave e trajton shpesh herë edhe çështjen e Ramazanit.
Trajtimi i Ramazanit në revistën “Zani i Naltë” nga hafëz Ali Korça
Hafëz Ali Korça, shumë çështje kombëtare e fetare krahas trajtimit në librat e tij autorial, i ka trajtuar edhe në revistat e kohës, në veçanti në revistën "Zani i Naltë' dhe "Kultura Islame". Revista "Zani i Naltë" është revista e parë zyrtare e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, themeluar në vitin 1923, menjëherë pas ngritjes së institucionit të Komunitetit
Mysliman të Shqipërisë, pas Kongresit të parë. Botimi i saj ka zgjatur nga viti 1923 deri në vitin 1939.(5)
Hafëz Ali Korça në revistën "Zani i Naltë" i ka dy trajtesa të mrekullueshme sa i përket çështjes së reflektimit mbi Ramazanin. "Hytbe e Ramazani Sherifit", është shkrimi i publikuar në numrin 6/1924, të kësaj reviste, ku hafëz Aliu trajton disa elemente qenësore të agjërimit. Kjo hytbe që në fillim i drejtohet besimtarit për dashurinë e madhe që ka Zoti i Madhërishëm ndaj tij si "mu'min" si dhe në të njëjtën kohë për dashurinë e pa kushte që duhet ta ketë besimtari ndaj Zotit të Madhërishëm. Pastaj trajtohet aspekti historik i agjërimit dhe qëllimi fisnik i agjërimit për ta ndritur aspektin shpirtëror të besimtarit dhe për ta ofruar më shumë te Zoti. Po ashtu, agjërimit, përveç si adhurim i jepet rëndësi e madhe edhe si instrument për kontrollin e nefsit, egos, dhe për vlerën që ka në moralizimin e besimtarit, duke e larguar atë jo vetëm nga pija e ngrënia, por edhe nga fjala dhe vepra e ndaluar. Hafëz Aliu, në këtë hytbe, rëndësinë e agjërimit e nxjerr edhe në aspektin e drejtësisë sociale dhe solidarizimit me të tjerët. Ai në paragrafin përmbyllësh të kësaj hytbe, u drejtohet besimtarëve duke tërhequr vëmendjen për urtësitë e mëdha të agjërimit dhe kujdesin ndaj njëri-tjetrit. "Hazreti Jusufi a.s. në vjetët e zisë gjer mos ngopte të varfrit t'urët, vetë s'futte bukë në gojë. Ne, vallë a i mendojmë të varfrit që agjërojnë pa bukë?"(6)
"Mirë se erdhe hënëz e uruar" është shkrimi i hafëz Aliut, i botuar në numrin 1/1929, të revistës "Zani i Naltë". Autori në këtë shkrim shpreh gëzimin ndaj ardhjes së muajit të Ramazanit, duke e quajtur si hënëz e uruar dhe duke i uruar mirëseardhje, "Mirë se vjen hënë e agjërimit! Ti po vjen si një dhuratë qiellore e dërguar nga ana e Zotit, duhet të pritet me nderime të nalta, duhet pritur me buzë të qeshur e me krahë hapët."(7) Që në fillim të kësaj teme autori bën fjalë për kategoritë e njerëzve që do t'i gjejë Ramazani i posa ardhur. Ndër këto kategori, ai thekson varfanjakët, gratë e veja, të vdekurit dhe shumë të tjerë, të cilët presin mësimin dhe porosinë e lartë të agjërimit për solidaritet, ndihmë, durim dhe gjithë ato urtësi që përfshinë ky muaj.(8)
Trajtimi i Ramazanit në revistën “Kultura Islame” nga hafëz Ali Korça
Revista "Kultura Islame" ka qenë botim filozofik, letrar, moral e shoqëror i Komunitetit Mysliman Shqiptar, me drejtor përgjegjës z. Sadik Bega, e cila e ka mbuluar një hapësirë kohore nga 1 shtatori i vitit 1939 e deri në janar-shkurt të vitit 1946.(9) Pas ndërprerjes së punës dhe veprimtarisë së revistës "Zani i Naltë" për hafëz Ali Korçën vazhdon të mbetet muaji i Ramazanit tema më interesante që e preokuponte ku edhe vazhdoi t'i botoi shkrimet e tij në revistën "Kultura Islame".
"Rreth hënës së Ramazanit" është artikulli i botuar në numrin e muajit shtator - tetor 1940, në revistën "Kultura Islame"(10), i cili vazhdon edhe në numrat e tjerë. Në këtë shkrim hafëz Aliu, ndriçon pjesën historike të jetës para islame arabe. Po në këtë studim prek interesimin arab të hershëm për astronominë. Në këtë kontekst, duke përshkruar jetën e vështirë të shkretëtirës së thatë e të mundimshme, arabët gjatë udhëtimeve me karvanët e gjatë tregtar, orientoheshin përmes yjeve. Në vijim vë në dukje se astronomia morri hovin e zhvillimit me mësimet kuranore.(11) Nga analiza e thellës që i bënë kësaj çështje, hafëz Aliu, bënë thirrje dhe na e kujton detyrimin fetar për studimin e shkencave natyrore dhe astronomike. "Kur ani e detyroi besnikun e vet të studioi kartën e qiellit që me anën e saj të kuptojë madhërinë e pashembullt të Zotit dhe me anë të kësaj të njoh kohën, të dijë hisabet dhe të udhëtojë."(12)
"Rreth hënës së Ramazanit" është vazhdim i artikullit paraprak. Ky artikull është botuar në numrin e muajit nëntor të vitit 1940, në revistën "Kultura Islame".(13) Në këtë pjesë, hafëz Aliu, konstaton përmes llogaritjeve numrin e ditëve të vitit diellor prej 365 ditësh dhe atij hënor prej 354 ditësh, duke konstatuar lëvizjen prej 11 ditësh për vitin hënor. Në këtë pjesë të trajtimit janë dy specifika, e para që është llogaritje e detajuar matematikore e kohore, flet për kohën, klimat, zonat kohore, muajt e përllogaritje të ndryshe që lidhen me këto kategori, që në fakt edhe sot është problem t'i dimë. Ndërsa pjesa e dytë e shkrimit është fikh, jurisprudencë islame, por që përfshinë trajtesa jo pak të komplikuara, e cila sistemohet në formën pyetje-përgjigje.
Tejet i rëndësishëm është fakti se çka e shtyu hafëz Ali Korçën t'i hyjë kësaj teme aq të komplikuar, ku shkakun e sqaron në artikullin e botuar me titull "Shkaku i artikullit rreth hënës së Ramazanit", në po këtë revistë, numër. 6/1941. Hafëz Aliu thekson arsyen që e shtyri t'i hynte kësaj pune me vlerë për sistemin kalendarik islam shqiptar, e që ishte ofendimi që i bëri një i ri, i cili kishte deklaruar se "hoxhallarët s'kuptojnë asgjë nga astronomia përveç disa fjalëve arabisht". Ky rast, si duket, e detyroi që ai t'i hynte kësaj çështjeje në mënyrë shumë të hollësishme. Në vazhdim të punimit theksohen emrat dhe nivelet e yjeve përmes të cilave bëhet njehsimi i kohës.(14) Fatkeqësisht, me këtë formë nënçmimi ballafaqohen edhe sot hoxhallarët e fetarët, por fatbardhësisht e kemi modelin se si duhet të reagojmë në rastet e tilla duke e pasuar shembullin e hafëz Ali Korçës.
"Ç'është agjërimi dhe përse na u bë farz”, është shkrimi i radhës i hafëz Aliut i botuar në revistën "Kultura Islame" për muajin tetor 1941. Në këtë vazhdim autori i qaset citatit të Kur’anit që i referohet agjërimit, "O ju të cilit keni besuar, ju është bërë obligim juve agjërimi, sikur se për ata që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm." (El-Bekare, 183). Po ashtu janë prekur temat vitale ndërmjet agjëruesit dhe agjërimit si detyrim i dorës së parë, si dhe shumë tema të tjera.
Përfundim
Kombi shqiptar në mesin e vet ka pasur dijetarë e hoxhallarë të mëdhenj të cilët kanë dhënë kontribut të madh si në çështjen kombëtare e po ashtu edhe në çështjen fetare, letrare e shkencore. Trajtimet të cilat ua kanë bërë dijetarët shqiptar çështjeve të rëndësishme islame dëshmojnë për mishërimin dhe lidhjen e fuqishme që ka pasur dhe vazhdon të ketë identiteti ynë kombëtar dhe fetar. Po ashtu ky kontribut dëshmon edhe për kulturën e thellë islame në kombin dhe në gjeografinë tonë shqiptare. Besoj fuqishëm se është detyrim yni intelektual të nxjerrim në dritë kontributin e dijetarëve tonë si dëshmia më e mirë e pajtueshmërisë së plotë ndërmjet identitetit tonë kombëtar e fetar. Kontributi i tyre dhe shpërfaqja e punës së madhe të tyre, neve gjeneratës së këtij shekulli të ri, na bënë krenarë me identitetin tonë shqiptar dhe mysliman.
_____________________________
1. Bardhi, Ismail, "Amanet Ramazani" Sh.B. "Logos-A ", Shkup, 2019, fq.12.
2.ismaili, Ahmed, "Hafiz Ali Korça - Jeta dhe Vepra" vepra 1, Sh. B. "ALSAR", Tiranë, fq. 33-34.
3. Enciklopedi "1000 Personalitete Shqiptare të Kulturës Islame" Komuniteti Mysliman Shqiptar; Tiranë 2012, fq. 26.
4. Ismaili, Ahmed, "Hafiz Ali Korça-Jeta dhe Vepra" vepra 1, Sh. B. "ALSAR", Tiranë, fg. 11.
5. "Zani i Naltë" Organ i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë" Sh.B. "K.M.SH", themeluar në vitin 1923.
6. Korça, Ali. "Publicistikë dhe shkrime të tjera" vepra 12, Sh. B. "ALSAR''. Tiranë, fq 34.
7. Korça, Ali, "Publicistikë dhe shkrime të tjera" vepra 12, Sh. B. "ALSAR", Tiranë, fq. 163.
8. Ismaili, Ahmed, "Hafiz Ali Korça - Jeta dhe Vepra" vepra 1, Sh. B. "ALSAR", Tiranë, fq. 314.
9. "Kultura Islame" Organ i KMSH-së, përmbledhja e riprodhuar; Sh.B "ALSAR ", Tiranë. fq. 2.
10. "Kultura Islame, shtator - tetor" Organ i K.M.SH-së, përmbledhja e riprodhuar; Sh.B "ALSAR", Tiranë fq. 33.
11. Ismaili, Ahmed, "Hafiz Ali Korça-Jeta dhe Vepra" vepra 1, Sh. B. "ALSAR", Tiranë. fq. 314.
12. Korça, Ali, "Rreth hënës së Ramazanit ", "Kultura Islame - shtator; tetor", përmbledhja e riprodhuar Sh.B. "ALSAR ", Tiranë fq. 33.
13. "Kultura Islame, nëntor Organ i K.M.SH-së, përmbledhja e riprodhuar; Sh.B "ALSAR", Tiranë fq. 59.
14. Ismaili, Ahmed, "Hafiz Ali Korça - Jeta dhe Vepra" vepra 1, Sh. B. "ALSAR", Tiranë. fq. 316.
Msc. Abdullah Klinaku
Dituria Islame 376
"Për të vazhduar punën tonë dhe për të sjellë më shumë përmbajtje të vlefshme për ju, ju lutemi të merrni në konsideratë dhurimin e një shume të vogël. Çdo kontribut është i çmuar për ne dhe do të shkojë në përhapjen e përmbajtjes sonë dhe promovimin e vlerave të shumta dhe të bukura të Islamit në të gjithë botën, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni."
DHUROShare News
-
Të fundit
-
Më të lexuarat