Fotografitë nga kampet qeveritare të riedukimit dhe dokumente të tjera dëshmojnë për internimin e ujgurëve në Kinën veriperëndimore. Nga dokumentet sekrete shihet se ujgurët atje keqtrajtohen në mënyrë brutale.
Dokumente tronditëse nga veriperëndimi i Kinës, nga provinca ujgure e Xinjiang: fotografitë tregojnë kampe internimi të ruajtura mirë, karrige torture, roje me shkopinj, të burgosur të poshtëruar. Në procesverbalet e urdhrave të zyrtarëve të lartë të partisë ata i urdhëronin rojet të qëllonin mbi të arratisurit. Refugjatë që sipas Pekinit duhet të jenë studentë në qendrat e formimit profesional dhe jo të burgosur.
Dokumentet e publikuara sekrete janë pjesë e rrjedhjes më të madhe të të dhënave ndonjëherë nga kampet e riedukimit të drejtuara nga shteti në rajonin Xinjiang të Kinës veriperëndimore. Ato ilustrojnë shtrirjen e persekutimit dhe ndalimit masiv të shumë njerëzve. “Dosjet e Policisë Xingjiang”, për të cilat tani po raporton një grup mediash ndërkombëtare, përmbajnë informacione për rreth 300.000 kinezë të regjistruar nga autoritetet, kryesisht anëtarë të pakicës myslimane ujgure.
Fotografitë, fjalimet dhe udhëzimet zyrtare dëshmojnë se kampet nuk janë “institucione të trajnimit profesional”, siç pretendon qeveria kineze, por kampe të mbajtura nën mbikqyrjen e forcave të mëdha të sigurisë, njoftojnë gazetarët nga 14 kompani mediatike nga e gjithë bota. Në Gjermani janë përfshirë në këtë hulumtim Bayerischer Rundfunk dhe revista “Der Spiegel”.
Rojet e sigurisë me pushkë, karriget për tortura…
Fotografitë e publikuara tregojnë forcat e sigurisë me pushkë në krah. Foto të tjera dokumentojnë se si burra të armatosur me shkopinj çojnë larg një të burgosur me pranga në duar dhe këmbë.
Ai mban një thes të zi mbi kokë dhe, në fund të serisë së fotografive, është ulur në një karrige të ashtuquajtur tigër – një karrige speciale që, sipas organizatës për të drejtat e njeriut Human Rights Watch, përdoret për tortura në burgjet kineze. Në këto të dhëna përfshihet edhe një fjalim i panjohur më parë nga viti 2017, i liderit të atëhershëm të Partisë Komuniste në rajonin Xinjiang. Aty thuhet se çdo i burgosur që tenton të arratiset qoftë edhe vetëm disa hapa duhet “të vritet me plumb”.
Dënime të larta me burg
Për shumë persona, autoritetet kanë regjistruar arsyen e ndalimit të tyre atje. Bëhet e ditur se një burrë se bashku me nënën e tij ka dëgjuar për një orë një audio-inçizim, ku përfshiheshin edhe “taksat fetare”. Ata të dy janë denuar me 20 vjet burg “për përgatitjen e një akti terrorist”. Për studimin e librave fetare, një person tjetër u burgos plot 34 vjet pas kësaj vepre dhe u dënua me 10 vjet heqje lirie. Edhe ai është dënuar për konvertim dhe përgatitje të veprave terroriste. Stërvitja prej 15 ditësh në një palestër fitnesi është interpretuar nga autoritetet kineze të sigurisë si përgatitje për një akt terrorist. Personi për këtë vepër është dënuar me dymbëdhjetë vjet burg.
“Dosjet e Policisë Xinjiang” i janë dhënë antropologut gjerman Adrian Zenz nga një burim anonim. Sipas studiuesit, të dhënat kanë ardhur nga sistemet kompjuterike në Byronë e Sigurisë Publike në qarqet Ili dhe Kashgar në rajonin Xinjiang.
Për arsye sigurie, ai ka hakuar sistemet kompjuterike dhe më pas e ka kontaktuar personin. Sipas Zenz, personi i ka siguruar të dhënat pa kushte dhe nuk i është paguar asnjë para. Gjermani i ka përcjellë më pas këto dokumente tek mediat.
Zenz ka qenë i përfshirë shumë në zbulimin e sistemit të kampit në Xinjiang në të kaluarën. Për ekspertin e Kinës, i cili hulumton në Fondacionin Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit në Uashington, “Dosjet e Policisë Xinjiang” përfaqësojnë një “dimension të ri”. Materiali është “unik” dhe hedh poshtë “propagandën shtetërore kineze” se bëhet fjalë për “shkolla normale”.
Qeveria kineze nuk i ka komentuar deri tani dokumentet dhe fotot e publikuara. Në një deklaratë, Ambasada Kineze në Uashington D.C. nuk iu përgjigj pyetjeve specifike, por shpjegoi se masat në Xinjiang ishin të drejtuara kundër përpjekjeve terroriste dhe jo kundër “të drejtave të njeriut apo një feje të caktuar”.
Bütikofer kërkon sanksione të reja kundër Kinës
Kryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Republikën Popullore të Kinës, Reinhard Bütikofer, bën thirrje për sanksione të reja ndaj Kinës, pas "Dosjeve të Policisë së Xinjiang". Fotot tregojnë "me qartësi dramatike” se me çfarë kemi të bëjmë këtu”, tha politikani ekologjist në një intervistë për Bayerischer Rundfunk dhe revistën "Der Spiegel”. Këto "imazhe tmerri" duhet të dënohen qartë nga Bashkimi Evropian.
Publikimi i "Dosjeve të Policisë Xinjiang” përkon me vizitën e Komisioneres së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet në Kinë. Bachelet pritet të vizitojë qytetet Urumqi dhe Kashgar në Xinjiang këtë të martë dhe të mërkurë. Qeveria në Pekin është akuzuar në të kaluarën se ka internuar më shumë se një milion ujgurë dhe pakica të tjera myslimane në "kampet e riedukimit" në rajonin e largët perëndimor të vendit.
Përveç kësaj thuhet se objektet kulturore ujgure janë rrafshuar prej shkatërrimit. I gjithë rajoni është nën mbikqyrje të rreptë. SHBA flet për gjenocid. Ata shprehën gjithashtu dyshime se Bachelet do të merrte një pamje "të pamanipuluar" të situatës. Kina i mohon me forcë akuzat. / DW