Dr. Mustafa Mahmudi njëherë kishte treguar për situatën më të pabesueshme që kishte kaluar në jetën e tij. Ai thotë: “Ishte viti 1969. Më dhembte tmerrësisht shpina, aq sa bërtisja nga dhimbja. Menjëherë shkova te mjeku i cili më tha: ‘Ke një gur të madh në veshkë.’
Në atë kohë nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse të bëhej një operacion për ta hapur veshkën dhe për ta hequr gurin prej saj. Mirëpo, unë nuk mund të bëhesha operacion, sepse trupi im nuk mund ta përballonte rrezikun e operacionit.
Shkova në shtëpi duke u përpëlitur nga dhimbja. Piva një analgjetik, por nuk kishte asnjë dobi. Isha shumë i frikësuar dhe i tmerruar, e ndjeva se ishte fundi im. Pastaj u ngrita, mora abdes, fala dy rekate namaz dhe qava. Me lot në sy bëra duâ (lutje): „O Allah! Unë nuk mund ta duroj këtë operacion. O Zoti im, më ndihmo dhe më shpëto!“
Isha plotësisht i rraskapitur, dhe gjatë këndimit të lutjes ndjeva se çdo qelizë e trupit tim po kërkonte ndihmë nga Allahu dhe po lutej me bindje dhe siguri. Plotësisht iu dorëzova Allahut.
Gjysmë ore më vonë vrapova në tualet dhe urinova pothuajse një litër lëng që dukej si farat e susamit të shtypur. Guri u shpërbë dhe u shndërrua në pluhur, dhe ishte e qartë, se guri ishte i madh pasi që aq shumë lëng i lartpërmendur doli nga unë.
Pra, gjysmë ore pas namazit dhe lutjes, Allahu i Plotfuqishëm iu përgjigj lutjes sime deri në atë masë saqë mbeta i habitur dhe i mahnitur. Pas kësaj piva një gotë ujë dhe çështja përfundoi sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Në atë moment m’u kujtuan fjalët e një mjeke franceze që kishte përqafuar Islamin, kur ishim në një takim shkencor në Marok. Ajo më tha: “Ju muslimanët keni një xhevahir të cilit nuk ia dini vlerën.” Unë e pyeta: “Cili është ai?” Ajo u përgjigj: “Duâja – lutja.”
Vërtet, Allahu nuk e lë robin e Tij që i drejtohet Atij me lot në sy, i cili pikëllimin dhe dhimbjen ia shpreh vetëm Atij, dhe i cili me përulësi dhe pendim i lutet Allahut dhe i kërkon ndihmë.
Përkthim: Miftar Ajdini
(Islampress.ch)