Nëse s’jemi të kënaqur nga gjendja e sotme e botës, nëse disa negativitete na ngulen në shpirt si heshtë, nëse s’jemi të kënaqur prej atyre që e kanë përgatitur këtë mjedis e që, pastaj, i kanë sendërtuar të gjitha këto gjëra, cilat janë zgjidhjet dhe propozimet tona? Sigurisht, e kemi të domosdoshme t’i dimë të gjitha këto!
Edhe nëse disa njerëz e quajnë si domosdoshmëri lirie ta nënvleftësosh namazin e të mos falesh, të të duket i rëndë agjërimi e të mos agjërosh, të përsillesh kot më kot rrugëve e të grindesh me këtë apo atë, njerëzit besimtarë i quajnë këto gjëra si imoralitet. Prandaj ne do të përpiqemi që të parashtrojmë se ç’janë morali dhe imoraliteti, ç’është edukata dhe ç’kuptojmë me të duke i analizuar nën dritën e Kur’anit dhe në kuadrin e parimeve të tij.
Parimi më i rëndësishëm i moralit është besimi dhe kontrata besimore. Megjithatë, kontrata besimore s’është gjithçka. Po qe se kontrata besimore nuk mbështetet me jetën praktike, me veprimtarinë praktike dhe njeriu nuk ndjek një vijë në përputhje me gjërat që beson, besimi tek ai mbetet thjesht një opinion, për rrjedhojë, siç nuk ushtron ndikim as në jetën personale të individit, as në jetën e tij familjare e shoqërore, ashtu dhe nuk bëhet orientues për të. Ç’është e vërteta, ndërsa besimi është një dritë dhe burim force, kurse mosbesimi, dobësi dhe zbrazëtirë, besimi i vërtetë e vë në shesh forcën e tij me anë të veprimit. Nuk është parë që një njeri që s’ka besuar, të jetë bërë i dobishëm për shoqërinë e tij, ndërkaq që të dobishmit numërohen me gishta! Për shembull, dikush nuk beson por është i ndershëm. Nuk e di nëse persona të tillë janë apo s’janë të virtytshëm sipas kritereve tona themelore. Sepse virtyti i vërtetë është virtyti i bazuar në besim dhe ndjenjën e vetëllogarisë. Sigurisht, besimi te Allahu, ringjallja dhe jeta e pasme, xhenneti dhe xhehennemi janë elementë shumë të rëndësishëm që na e formësojnë jetën dhe na japin mundësi të kalojmë një jetesë të rregullt.
Zbatimi i domosdoshmërive të këtyre specifikave të besuara ka vlerë të madhe jetësore. Jeta e pasme është gjyqi ku jepet llogari për ekzistencën në këtë botë, është vendi ku ne japim llogari nëse e kemi falënderuar apo jo Allahun që na krijoi në këtë botë si njerëz duke na dhënë trajtën më të përsosur. Në këtë botë ka turma të tëra njerëzish të padrejtë e mosmirënjohës që këmbëngulin për të mos e kuptuar Zotin, për të mos i parë artet e Tij që na i ka shtrirë dhe ekspozuar para syve, madje që i mbyllin sytë duke bërë sikur s’i shohin tërë ato bukuri që duken si dhe shumë e shumë qorra, shurdhër e të pandjenjë pavarësisht nga mijra ngjyra, zëra, dekoracione, variante, pavarësisht nga rregulli dhe harmonia që na rrethojnë! Ja, pra, Allahu do ta bëjë ringjalljen, grumbullimin dhe llogarimarrjen edhe për këta, edhe për besimtarët dhe do t’i përgatisë xhennetin dhe xhehennemin e Tij. Njerëzit e mirë, e virtytshëm, që kanë jetuar të hapur ndaj jetës ndiesore e shpirtërore dhe me dëshira ndaj gjërave të larta e sublime, pasi të japin llogari, ashtu siç të kenë jetuar në këtë botë si njerëz të lartë, të përsosur e të virtytshëm, edhe në atë botë do të shpërblehen me xhennete të premtuara për njerëzit e virtytshëm.
Kështu, besimtar do të thotë njeri që i mendon këto dhe që e rregullon jetën e tij sipas këtyre gjërave. Prandaj, më së pari, besimi, kontrata besimore duhet të jenë shumë të shëndosha edhe te individi edhe te shoqëria në mënyrë që me anë të forcës së besimit të mund të ruhet orientimi përballë ndjenjave çorientuese e devijuese. Nuk ka bekim, dobi e perspektivë as në familjen, as në shoqërinë e formësuar prej individëve që herë duken se besojnë e herë se s’besojnë. Gjithashtu as në kombin e formuar nga një shoqëri e tillë. Më së pari njerëzit duhet të besojnë shumë mirë, për më tepër duhet edhe të besojnë në mënyrë të prerë e të palëkundshme në të nesërmen e kësaj bote, pra në ahiretin ose ringjalljen dhe jetën e pasme në mënyrë që të bëhen të afërt ndaj Allahut si dhe elementë të vlefshëm për shoqërinë.
Sigurisht, aq sa ç’është shumë e rëndësishme që çdo individ ta bartë frikën se, po të mos punojë, do të mbetet pa ngrënë, është shumë e rëndësishme edhe që të ketë një besim aq të shëndoshë saqë të besojë pa lëkundje se, po të mos kryejë detyrat fetare, po të mos punojë dhe po të mos ta jetojë besimin në praktikë, do t’i duhet të përballet me një llogaridhënie shumë të rëndë para Zotit! Individi me një besim të tillë, me një fuqi tërheqëse gravitacionale të krijuar nga ky opinion, do të priret kah punët e mira dhe do të bëjë çmos për të dalë para Zotit me faqe të bardhë!
Çështjen e familjeve të formuara prej individësh të tillë do ta trajtojmë në një pjesë më vete. Aspektet e ndryshme të familjes, faktin se si duhet të edukohen me edukatën dhe moralin islam fëmijët në familje do t’i trajtojmë më tej nën dritën e ajeteve kur’anore dhe disa haditheve profetike.
Fëmijët dhe pasuria janë stolia dhe zbukurimi i kësaj bote (shih Kur’ani, Kehf, 18/46). Po të vlerësohen siç duhet, janë edhe investim për jetën tjetër. Me anë të këtyre, Allahu (xh.xh.) u jep gëzim zemrave të njerëzve, i bën këto stoli për syrin dhe ushqim për zemrën. Duke i parë këto stoli, mund të ndjejë në praktikë lumturinë e kësaj bote dhe në shpresë, lumturinë e së përtejshmes. Por ç’e do që, po s’u dhatë përjetësi këtyre stolive, nuk mund të bëheni të lumtur; edhe po të bëheni, do të jetoni të rrudhur. Po, fëmija, nipi e mbesa, bota juaj mund t’ju sjellë juve shqetësim! Por, po qe se i përjetësoni këto gjëra të përkohshme e të asgjësueshme duke i parë në emër të Krijuesit të gjithësisë, po i përdorët dhe i zhvilluat në rrugën e Tij dhe në atë drejtim që do Ai, do të shihni se çdo moment i pandehur si finish është një start. E gjithë stolia e përkohshme dhe e asgjësueshme, madhështia, shkëlqimi dhe pompoziteti që marrin fund me mbylljen e jetës së kësaj bote kur kjo të ketë arritur në pikën e konsumimit të plotë, do të shfaqen në trajtën më të përsosur e të mrekullueshme të tyre me hapjen e botës tjetër dhe për të vazhduar atje.
Marre nga Zell.al