Monday 09-06-2025
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

Kush janë Druzët dhe pse po shënjestrohen në Siri?

admin
  • Krijuar : 03-05-25
  • / 613 Lexime

Rreth një milion Druzë jetojnë në Lindjen e Mesme

Sulmet ajrore të Izraelit pranë pallatit presidencial në Damask shënuan një ndërhyrje të rëndësishme në dhunën që përfshin komunitetin minoritar të druzëve në Siri. Teksa tensionet përshkallëzohen, vëmendja është rikthyer te kjo pakicë e fshehtë dhe e shpërndarë, e cila luan role kyçe politike duke lundruar në mes të kaosit të shteteve të përçara të Lindjes së Mesme.

Kush janë Druzët?

Druzët janë një sekt i vogël fetar që lindi nga një degë e Islamit në shekullin XI. Besimi i tyre përzien elemente të Islamit me tradita të lashta.

Është një fe e mbyllur – mund të lindësh druzi, por nuk mund të konvertohesh në të dhe as të largohesh prej saj – dhe reinkarnimi është në qendër të doktrinës.

Sipas udhëheqësve të sektit, ruajtja e fshehtësisë dhe mbylljes ka për qëllim mbrojtjen e thelbit shpirtëror, unitetin dhe shmangien e ndërhyrjeve të jashtme.

Pavarësisht përmasave të vogla, druzët kanë pasur një rol të rëndësishëm në historinë e Lindjes së Mesme – si udhëheqës ushtarakë, ndërmjetës politikë dhe faktorë vendimtarë në politikë.

Ku jetojnë?

Rreth 1 milion Druzë jetojnë në Lindjen e Mesme, kryesisht në Siri, Liban, Jordani dhe Izrael.

  • Në Siri, përqendrimi më i madh është në krahinën jugore të Suveidës, si dhe në disa periferi të Damaskut si Jaramana dhe Sahnaya. Numri i tyre atje llogaritet rreth 700,000.
  • Në Liban, rreth 300,000 Druzë jetojnë kryesisht në malet Shuf dhe pjesë të Malit të Libanit. Edhe pse janë më pak se 10% e popullsisë, ndikimi i tyre është shumë më i madh.
  • Rreth 150,000 jetojnë në Izrael, sidomos në veri dhe në Lartësitë e Golanit të pushtuara nga Izraeli.
  • Një komunitet më i vogël jeton edhe në Jordani, afër kufirit me Sirinë.

 

Çfarë ndodhi këtë javë në Siri?

Në Siri shpërtheu tensioni pas një regjistrimi të manipuluar, që gjoja tregonte një klerik druzi duke fyer Islamin. Kjo shpifje shkaktoi dhunë sektare, ku militantë sunitë sulmuan qytete druze pranë Damaskut.

Dhjetëra persona u vranë në trazirat.

Izraeli ndërhyri duke kryer sulme ajrore pranë pallatit presidencial në Damask, si paralajmërim për regjimin sirian që të mos i dëmtojë druzët.

Udhëheqësi shpirtëror i druzëve në Siri, Sheikh Hikmat Al Hijri, e quajti situatën një “fushatë gjenocidale” ndaj popullit të tij dhe kërkoi që forcat ndërkombëtare të ndërhyjnë për të ruajtur paqen dhe ndalur këto krime.

Edhe pjesë të Suweidës, që është vendlindja historike e druzëve, u sulmuan nga grupe të armatosura nga Deraa, në sulmin më serioz ndaj kësaj pakice që nga ardhja në pushtet e grupit ekstremist Hayat Tahrir al-Sham vitin e kaluar.

Çfarë kërkon Izraeli?

Në Izrael, druzët janë qytetarë që u nënshtrohen shërbimit të detyrueshëm ushtarak, gjë që e ka bërë ruajtjen e marrëdhënieve të mira me ta një prioritet për qeveritë izraelite.

Në Lartësitë e Golanit, shumica e druzëve ruajnë ende shtetësinë siriane dhe e refuzojnë publikisht pushtimin izraelit.

Vitin e kaluar, një raketë goditi një fushë futbolli në Majdal Shams, duke vrarë 12 fëmijë dhe të rinj. Izraeli akuzoi Hezbollahun për sulmin, por grupi libanez e mohoi.

Që nga ajo kohë, liderët izraelitë kanë tentuar t’i afrohen komunitetit druzi, por janë përballur me reagime të forta. Kryeministri Netanyahu u prit me thirrje “vrasës!”, ndërsa ministri i ekstremit të djathtë Bezalel Smotrich u rrethua nga banorë të revoltuar.

Si janë trajtuar nga regjimi i Asadit?

Druzët në Siri për shumë kohë kanë mbajtur neutralitet gjatë luftës civile – duke mos u bashkuar në rebelim të hapur, por duke ruajtur autonomi lokale, sidomos në Suweidë dhe rreth Damaskut.

Por kjo ekuilibër nuk zgjati.

Shteti nuk i mbrojti gjatë dhunës sektare, ndërsa pakënaqësia u rrit për shkak të neglizhencës ekonomike dhe pranisë së milicive të mbështetura nga Irani pranë zonave druze.

 

Pse janë politikisht të rëndësishëm?

Megjithëse pakicë numerike, druzët kanë rëndësi të madhe politike në të gjithë rajonin:

  • Në Izrael, janë pjesë e institucioneve shtetërore, por gjithnjë e më shpesh ngrejnë zërin kundër pabarazisë.
  • Në Siri, jetojnë në zona strategjike në jug, pranë kufijve me Jordaninë dhe Izraelin.
  • Në Liban, kanë rol vendimtar në politikën e koalicioneve. Udhëheqësi i tyre, Walid Jumblatt, ka ruajtur peshën politike të komunitetit edhe përballë rënies së ndikimit të sekteve të tjera. 
    / bota-islame.com 

 

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2025 All rights reserved - Bota Islame