Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij. Të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit (Mbikëqyrësit) të gjithçkaje! Atë nuk E kaplon as dremitja (kotja), as gjumi. Gjithçka ka në qiej dhe në Tokë, është vetëm e Tij. Kush mund të ndërmjetësojë tek Ai për ndokënd pa lejen e Tij? Ai di çdo gjë që ka ndodhur përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë, kurse të tjerët nuk mund të përvetësojnë asgjë nga dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron. Kursija e Tij (dija-sundimi) përfshin qiejt dhe Tokën, kujdesi i Tij ndaj të dyjave, nuk i vjen rëndë. Ai është më i Larti, më i Madhi (Madhështori)”! (El-Bekare, 255)
Ajetul Kusija – ajeti më me vlerë dhe më madhështor në Kur’an
Allahu i Madhërishëm, pasi rrëfen në ajetet paraprake përçarjen e popujve pas dërgimit të pejgamberëve a.s., luftën ndërmjet tyre si dhe mosbesimin e përgënjeshtrimin e tyre pas paraqitjes së argumenteve nga Allahu xh.sh. nëpërmjet pejgamberëve, më pastaj vjen ky ajet, i cili përfshin bazat e besimit hyjnor islam. Në të përmenden cilësitë - emrat e Krijuesit, që vërtetojnë Njëshmërinë e Tij, mbase çdo cilësi e Allahut xh.sh. në këtë ajet përmban një nga bazat e përgjithshme të konceptitislam, mbi të cilat ndërtohet besimi, programi dhe sistemi islam si tërësi(1).
Ajetul-Kursija përmban dy të vërteta esenciale dhe bazike të Islamit, të cilat vërtetojnë Njëshmërinë e Zotit një - Allahut, si dhe forcojnë zemrat e atyre që E besojnë Atë me devotshmëri, duke i ruajtur ata nga çfarëdo lloj ndikimi të mosbesimit e dyshimit.
E para, ky ajet përfshin dhjetë maksima, secila prej të cilave përmban një apo dy cilësi të Allahut xh.sh., që vërtetojnë bindshëm për fuqinë, dijen dhe pushtetin e Tij, që argumentojnë se Ai është Zot i Vetëm në gjithësi. Kurse
E dyta, krahasuar me ajetet e tjera, ky është ajeti kuranor në të cilin përmendet më së shumti Emri i Allahut xh.sh.. Mbështetur në hadithe të Muhamedit a.s. dhe në këto dy maksima përmbajtje sore, shumë dijetarë mendojnë se ky është ajeti më madhështor në Kuran(2).
Ebu Dherri thotë: E kam pyetur Muhamedin a.s.: Cili ajet është më madhështori që të ka zbritur? Ai u përgjigj: Ajetul Kursija(3).
Transmeton Ebu Hurejre se Muhamedi a.s. ka thënë: “Në kaptinën El-Bekare gjendet një ajet që është zotëria i të gjitha ajeteve, nëse lexohet në shtëpi, ku është shejtani, ai do të ikë prej saj”(4).
Ubejj Bin Ka'bi transmeton se Pejgamberi a.s. i kishte thënë një ditë: "O Ebu Mundhir! A e di se cili ajet në Kur'an është më i vlefshmi”? I thashë "Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri”! Më pyeti përsëri: "O Ebu Mundhir! A e di se cili është ajeti më i vlefshëm në Kur'an”? Iu përgjigja: "Ajetul- Kursija". Ai më vuri dorën në gjoks dhe më tha: "Pasha Allahun (ai është)! Të pastë hije dituria (e gëzofsh këtë dituri), o Ebu Mundhir". [Transmeton Muslimi](5).
”Allahu (është Një)! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij”.
Allahu – Zoti i gjithësisë është i vetmi Që meriton të adhurohet me plot të drejtë, dhe askush tjetër përveç Tij. Kjo e vërtetë absolute dëfton prerazi Njëshmërinë e Allahut xh.sh., që konsiderohet themel i Islamit dhe program i jetës së myslimanëve në tërësi, prandaj mbi këtë bazë të fortë ndërtohet edhe adhurimi ndaj Zotit Një. Njeriu nuk është krijesë e askujt tjetër përveçse e Allahut Fuqiplotë, prandaj njeriu nuk drejtohetpër lutje, ndihmë dhe respekt përveçse tek Ai. Nuk ka zot tjetër përveç Tij, e të tjerët që quhen zota, janë shumë, por të fantazuar, imagjinuar dhe adhurohen pa të drejtë e kot, sepse janë të trilluar, kurse Allahu është i vetmi Që meriton të adhurohet, sepse është Një i Vetëm, i cilësuar nga jeta e përhershme, i pafillim e i pambarim, ekzistenca e Tij është absolute dhe e domosdoshme(6).
Në fjalinë “nuk ka zot tjetër përveç Tij“, kemi dy çështje esenciale: Mohimin në pjesën e parë “nuk ka zot tjetër”, dhe vërtetimin në pjesën e dytë “përveç Tij“, kjo d.m.th se Allahu xh.sh. ka mohuar për veten e Tij që të ketë ortak dhe ka vërtetuar Njëshmërinë e Tij. Nga kjo rezulton se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë adhurimi përveç Zotit të Vërtetë - Allahut.
Kështu, Krijuesi ka vërtetuar dhe dëshmuar Njëshmërinë e Tij dhe adhurimin e merituar ndaj Tij, sepse është i vetmi Krijues i çdo gjëje dhe i vetmi furnizues. Emri “Allah” është emër që Zoti e ka zgjedhur për Veten e Tij, i cili përmban dhe përmbledh të gjitha cilësitë dhe emrat e bukur të Tij, dhe për këtë na ka informuar nëpërmjet Shpalljes kuranore. Ai ka edhe shumë emra të tjerë, por Emri Allah është më madhështori dhe më i famshmi. Në këtë mënyrë Ai demantoi spekulimet dhe gënjeshtrat e pabesimtarëve lidhur me ekzistencën e zotave të tjerë si dhe trillimin kinse Ai ka djalë, prandaj në Kuran tha: “Thuaj: “Nëse përveç Atij do të kishte edhe zota të tjer


