Besimtarët e fesë së përsosur
Islami është emërtimi dhe cilësia e një përmbledhjeje vlerash të përkryera e të pareduktueshme, pa kurrfarë të mete a mangësie, e cila do t’i përgjigjej çdo nevoje të çdo shoqërie që ka ardhur dhe do të vijë mbi rruzull gjer në kiamet. Për rrjedhojë, kush bën pjesë në këtë fe duhet të jetë pandërprerë në kërkim të përsosurisë dhe plotërisë, me një fjalë, të asaj ç’është e përkryer e që nuk ka as të metën më të vogël. Nëse do të shpreheshim më thjesht, pjesëtarët e fesë së fundit, e cila është kryer e plotë dhe e përsosur, në qoftë se duan që t’i arrijnë synimet e bukura dhe të mbara që parashtron ajo, do të thotë se duhet të ngarendin për t’i sendërtuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në mënyrën më të plotë e sa më të përkryer. Siç kuptohet edhe prej përmbajtjes së qartë të këtij ajeti, kjo është edhe rruga për të ecur drejt horizontit të kënaqësisë hyjnore.
“Bjerrjet dhe dështimet qenë për fajin tim”
Ndërsa po të vijmë tek kushtet për të arritur tek ky horizont; kushti i parë për të realizuar qëllimin e treguar prej ajetit fisnik, është të jesh i vendosur e t’i kesh vënë vetes qëllimin, që ato mundësi dhe aftësi që të ka falur Allahu (xh.xh.) t’i përdorësh në mënyrën më të frytshme të mundshme. Për shembull, dikush ka zë mjaft të bukur; dikush tjetër ka aftësi marramendëse për punë të caktuara, ta zëmë, di t’i organizojë dhe t’i ngarkojë njerëzit me detyrat e duhura; dikush tjetër mund të ketë një penë shumë të mirë; dikush tjetër mund të ketë aftësi tejet të mira për të folur bukur. Cilido, ciladoqoftë aftësia që zotëron duhet të përpiqet që t’i përdorë në mënyrë sa më të frytshme gjer në pikën e fundit të tyre në emër të shprehjes të së drejtës dhe të vërtetës; kësisoj edhe nëse në pah dalin një sërë gabimesh a të metash, në vend që gabuesi a fajtori të kërkohet jashtë vetes, duhet t’i dish ato prej vetes, duke nisur menjëherë nga përpjekja për t’i ndrequr.
Veçanërisht ata që ia kanë dedikuar veten shërbimit të besimit dhe Kuranit, le të jenë të ngarkuar me detyrë në cilëndo prej aspekteve të jetës shoqërore, duhet ta shohin secili veten si përgjegjës në rast të mosarritjes dot të përsosurisë dhe plotërisë në punët e bëra, e kësisoj edhe të metat t’i dinë prej vetes. Sepse, në thelb, mendimi i gjithsecilit syresh, se “nuk arrita dot që t’i kryeja siç duhej detyrat që më ishin ngarkuar mbi supe, madje nuk arrita dot ta përfundoja, edhe pse vazhdimisht merrja fryte prej saj; ja, kjo punë shkoi dëm pikërisht prej të metave të mia.“, nuk është tjetër por një pendim i vetvetishëm, madje sipas gjerësisë së zemrës, mund të quhet edhe një rikthim tek Allahu apo një dimension akoma edhe më i thellë i pendesës, që është t’i kërkosh Allahut mbrojtje prej çdo lloj shkarjeje prej rrugës së drejtë. Dhe Allahu (xh.xh.) i përgjigjet me mirësitë dhe ndihmesën e Tij kësaj zemre të këtillë, që vuan, duke ia çuar akoma edhe më përpara punët me ndihmesën e Tij shtesë.
Në të kundërt, nëse ndokush i sheh përherë si të përkryera punët që bën vetë, duke besuar se në punët që ai kryen nuk mund të gjendet kurrfarë e mete, madje duke menduar sikur planet dhe projektet e tij janë aq të patëmeta, sa do të mund të ngadhënjenin edhe mbi qiellin, i cili për çdo blof ua vë fajin atyre që nuk e dëgjuan, nuk e kuptuan dhe nuk iu bindën asohere, nuk është tjetër pos një tjetër trajtë e vetëmashtrimit të faraonit, që tha: “Unë jam Zoti juaj më i madh!“[2] Madje, njeriu duhet ta kryejë vetëgjykimin e egos së tij përballë gabimeve apo dështimeve lidhur paksa përpjesëtueshëm me punën në krye të së cilës ndodhet. Me një fjalë, sa më e rëndë të jetë detyra e tij, aq më i ashpër duhet të jetë edhe kërkimi i llogarisë ndaj vetes. Domethënë, sa më shumë që shtohen institucionet e ndërvarura për të cilat është përgjegjës, ai duhet t’ia atribuojë vetes çdo mangësi apo dështim të ndonjërit syresh. Ai duhet të mendojë se të gjitha këto përfundime jopozitive, rrëzime a dështime burojnë prej një sërë mangësish të tij, siç mund të jetë ajo e mosmbajtjes së një lidhjeje të shëndoshë me Allahun (xh.sh.), nga mosndijimi aq thellë sa duhet i Islamit, nga mosinterpretimi i drejtë i parimeve të mrekullueshme të Krenarisë së Njerëzimit (s.a.s.), nga mosleximi siç duhet i kohës dhe kushteve të veprimit dhe nga mosnjohja mjaftueshëm e anës kundërshtare.
Bukuritë janë të Tijat, mang


