Jo vetëm fitues i çmimeve ndërkombëtare, fotografia ikonë e Munzir El Nezzel duke ngritur gjallë djalin e tij, Mustafa, i cili lindi pa gjymtyrë, i ka dhënë gjithashtu familjes mundësinë për të ndërtuar një jetë të re në Itali, pasi u bë një simbol prekës i vuajtjeve të lufte ne Siri.
Imazhi tronditës por edhe prekës i bërë nga fotografi turk Mehmet Aslan, i titulluar Vështirësia e Jetës, kapi një moment intim dashurie mes babait dhe djalit, të cilët kanë humbur të dy gjymtyrët.
Fotoja, e cila u emërua fotografia e vitit në Siena International Photo Awards (SIPA) të vitit të kaluar ka nxitur një mbledhje fondesh që ka mbledhur rreth 100,000 euro (114,000 dollarë) për të siguruar gjymtyrë protetike për babanë dhe djalin.

Mustafa, gjashtë vjeç, humbi gjymtyrët për shkak të një deformimi kongjenital të shkaktuar nga medikamentet që nëna e tij mori gjatë shtatzënisë pasi u sëmur nga gazi nervor. Ndërsa babait të tij, 35 vjeç, i është prerë këmba pasi u godit nga një sulm me bombë në Siri.
Organizatorët e festivalit të fotografisë kanë caktuar dioqezën katolike të trajtojë dokumentet, të sigurojë mbështetje financiare dhe të kërkojë viza për arsye humanitare në përputhje me kërkesat italiane të sponsorizimit për familjen.
Mustafa zbarkoi në aeroportin Fiumicino të Romës të premten, së bashku me babanë, nënën dhe dy motrat e tij, respektivisht një dhe katër vjeç. Ata do të vendosen në Siena, një qytet në rajonin e Toskanës të Italisë Qendrore.
Në një intervistë për gazetën italiane La Repubblica, El Nezzel tha se ishte shumë mirënjohës për mundësinë e dërgimit të fëmijëve të tij në shkollë. Ai shtoi se dëshira e tij më e madhe ishte që një ditë të mund ta shihte djalin e tij në këmbë dhe ta përqafonte me gjymtyrë protetike.
Sipas The New York Times, këmba protetike që do ta ndihmojë Mustafën me lëvizshmëri do të dizajnohet nga ekspertë protetikë në Centro Protesi Inail në Vigorso në Budrio, Italia Veriore.
Specialistët e cituar nga gazetat amerikane thanë se Mustafa do të kishte nevojë për trajtim afatgjatë që të mund të ecë në mënyrë të pavarur, por se babai i tij do të ishte në gjendje të rikuperonte pjesën më të madhe të aftësisë së tij të ecjes brenda disa javësh.
Mustafa dhe familja e tij mbërritën në aeroportin Fiumicino të Romës të premten


