Karakteri dhe mbështetja ndaj Profetit
Bashkëshortja e Profetit, shoqja e jetës dhe e ditëve të tij më të vështira, ishte një grua e bukur dhe me moral të lartë, e cila rridhte nga një familje e respektuar, me tradita dhe njohuri fetare. Ajo njihej për karakterin e saj të fortë, ndershmërinë dhe drejtësinë, virtyte këto të cilat e bënë të respektuar në Mekën e asaj kohe.
Duke qenë një nga personazhet më dinamike dhe vitale të historisë islame, jeta e pashembullt e Hatixhes, ka qenë një burim frymëzimi dhe inkurajimi, duke luajtur një rol model, për të gjithë ata që aspirojnë një shërbim aktiv, me jetën dhe pasurinë e tyre, në rrugën e Allahut dhe të Profetit a.s. Jeta e saj përbën një shembull me ato që arriti si grua, megjithëse jetoi në një kohë kur të qenët grua ishte një disavantazh dhe mangësi. Hatixhja është një ndër katër gratë më të mira në historinë e njerëzimit, krahas Mejremes, nënës së Isait a.s., Asijes, gruas së faraonit, dhe Fatimes, vajzës së Profetit, fakt ky të cilin e ka pranuar vetë Profeti Ynë.
Në Mekë, ku besimi, sakrifica dhe trimëria ishin aq të nevojshme, Allahu i dha Profetit Hatixhen. Ajo ishte asokohe ndoshta gruaja më e guximshme e Mekës, e cila i siguroi mbështetje të palëkundur të Dërguarit të Allahut, gjatë ditëve më të vështira, kur problemet ishin në kulmin e tyre, dhe pasonin njëri- tjetrin. Hatixhja ishte myslimania e parë, që besoi në të Dërguarin e Zotit, kur ai kishte më shumë nevojë për të, dhe kjo nënkuptonte se ajo zinte një vend të veçantë te Profeti ynë.
Hatixhja ishte e dashura e rinisë së tij, këshilltarja dhe partnerja e tij besnike, përgjatë pesëmbëdhjetë viteve që ata kaluan së bashku përpara shpalljes apo dhe në mjedisin kaotik të shpalljeve të para, si një grua e fortë dhe e palëkundur. Kur ai filloi të thërriste njerëzit në Islam, ajo u bë përkrahësja e tij më e madhe, si materialisht ashtu dhe shpirtërisht. Kur sulmet e idhujtarëve bëheshin të padurueshme ai gjente prehjen pranë saj dhe kur ata e kërcënuan me jetë, ai gjeti tek ajo siguri. Si në fjalën ashtu dhe në heshtjen e saj fshihej dituria. Në ngazëllimin e saj mund të dalloje kurajë dhe forcë.
Si bashkëshorte e robit më të dashur të Allahut, ajo do të merrte titullin “nëna e besimtarëve”, një titull i dhënë nga Zoti i Plotfuqishëm.
Mbështetja ndaj Profetit tonë duket qartë edhe në fjalët e saj: “Mos u frikëso! Allahu padyshim do të të mbrojë. Ti je i tillë që ruan lidhjet farefisnore, ndihmon të dobëtit dhe ushqen të varfrit. Ti je gjithmonë mikpritës me mysafirin. Ti vazhdimisht kërkon të vërtetën, duke iu përkushtuar rrugës së drejtë….” si dhe “Me siguri që Allahu nuk do të të braktisë ty dhe nuk do të lejojë që asgjë e keqe të të ndodhë, sepse në çdo fjalë, ti thua të vërtetën, je i besueshëm me gjithçka që të besohet ty dhe ti je që kujdesesh për ata që ke nën mbikëqyrje”, fjalë këto të cilat do t’i jepnin një kurajë të madhe Profetit të Dhembshurisë.
Shpenzimi i pasurisë në rrugën e Allahut
Hatixhja ishte e pasur, por pasuria nuk mund të sigurojë paqe, as nuk mund të përmbushë nevojat shpirtërore të njeriut. Ajo merr vlerë kur fitohet dhe shpenzohet për një qëllim të denjë dhe, për më tepër, në këtë mënyrë, kthehet në një thesar të përjetshëm që ndriçon botën e përtejme. Për këtë, Hatixhja donte që jeta dhe pasuria e saj të bëheshin të përjetshme, duke i përdorur ato në shërbim të Profetit dhe kauzës së tij.
Ajo la mënjanë të gjitha dëshirat personale dhe punoi ditë e natë për ta ndihmuar profetin në përhapjen e mesazhit islam dhe do të trokiste shumë herë, derë më derë, duke shpresuar se të paktën një zemër më shumë, do të shijonte besimin. Ajo u zgjati dorën atyre që kishin nevojë dhe sakrifikoi të gjithë pasurinë e saj në rrugën e Allahut, në mënyrë që zemra të tjera të mbusheshin me bukurinë e besimit.
Vetëm disa vite pasi kishte ardhur Shpallja në shpellën Hira, Hatixhja nuk kishte më asgjë nga pasuria e saj dhe ishte në gjendje nevoje. Nëse do të kishte dashur, do të kishte pasur një jetë të rehatshme, në vend të vuajtjes së agonisë. Ajo kishte një karakter dhe besim aq të fortë, saqë nuk do ta linte në baltë atë të cilin e kishte besuar si profet, që ditën e parë të profetësisë. Ashtu siç kishte kaluar ditë të bukura me të, ashtu do të kalonte edhe të hidhurat. Kështu që ajo zgjodhi urinë dhe etjen mbi shtratin e ngrohtë të shtëpisë


