Hiqen vizat dalëse për haxhinjtë
Reisul Ulema i BFI-së, haxhi hafiz Shaqir ef. Fetai në mars të këtij viti në kërkesën drejtuar krerëve të Qeverisë kërkoi të anulohet vendimi me numër 23-1375/1, i datës 3 qershor 1993 i cili obligonte haxhinjtë në dalje nga vendi të paguajnë vizë dalëse.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e saj e ka shqyrtuar dhe pozitivisht i është përgjigjur kërkesës së kreut të BFI-së, duke miratuar vendim, sipas të cilit hiqen vizat dalëse për të gjithë ata që do kryejnë Haxhin për vitin 2023.
Këtë e ka bërë të ditur vetë zëvendëskryeministri i parë, z. Artan Grubi i cili në postimin e tij në faqen zyrtare në Facebook, konfirmoi se në seancën e sotme të Qeverisë është marrë vendim për heqjen e vizave dalëse për haxhinjtë.
“Po ndaj me ju lajmin se në seancën e sotme të Qeverisë, me propozim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, miratuam vendimin për heqjen e vizave dalëse për kryerjen më të lehtë të obligimit fetar të besimtarëve myslimanë të vendit tonë – Haxhit. Qeveria me kujdes do të ndjekë udhëtimit e haxhinjve dhe do të jetë e hapur për çfarëdo lloj ndihme që atyre do t’ju nevojitet nga institucionet shtetërore”, shkruan në Facebook, zëvendëskryeministri Artan grubi.
Reisul ulema haxhi hafiz Shaqir ef. Fetai, ne emër të institucionit më të lartë fetarë dhe në emër të gjithë hanxhinjve shpreh falënderime dhe mirënjohje për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ministrat për angazhimin e tyre në drejtim të kryerjes sa më të lehtë të obligimit të haxhit.


