KARTA E MEDINES: TË DREJTAT E NJERIUT DHE VLERA INTEGRUESE-
Çka paraqet “Karta e Medines”?
“Karta e Medines” është një dokument historik i cili është përpiluar nga ana e profetit Muhamed, paqja e Zotit qoftë mbi të, pas shpërnguljes së tij në Medine, me të cilin dokument rregulloheshin të drejtat dhe obligimet e bashkësive ekzistuese në Medine, në shtetin e ri, i cili udhëhiqej nga vetë profeti Muhamed, paqja e Zotit qoftë mbi të, si lider shpirtëror dhe politik. Me fjalë tjera, me shpërnguljen e profetit Muhamed, paqja e Zotit qoftë mbi të, dhe të muslimanëve nga Meka në Medine, në Medine u formuan tri bashkësi të mëdha: Ensarët-banorët arabë të Medines, vendasit, të cilët kaluan në Islam; Muhaxhirët- muslimanët e Mekes të cilët u shpërngulën në Medine; Hebrenjtë të cilët jetonin në Medine, dhe të cilët përbëheshin nga disa fise. Ky dokument mund të pranohet si dëshmi për gjendjen politike në Medine, pas ardhjes së profetit Muhamed, paqja e Zotit qoftë mbi të (Watt, 1989: 93).
Karta e Medines-Es-sahife, është një dokument i rëndësishëm fetar dhe politik i cili flet për mënyrën si i ka integruar i Dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem], bashkësitë e ndryshme në shtetin dhe shoqërinë e re, pa mos u përjashtuar asnjëra bashkësi nga jeta politike dhe nga rrjedhat shoqërore. Kështu, në shtetin e Medines u ndërtua një shoqëri multietnike dhe multikonfesionale me një dokument juridiko-politik i cili është i njohur edhe si “Kushtetuta e Medines” (Ibidem, 93), i cili u jepte përparësi specifikave fetare, juridike dhe kulturore, dhe e përmbante modelin pluralist të shoqërisë. Këtë pluralizëm e vente nën garanci kushtetuese (Bulaç, 1998: 31). Sipas “Kartës së Medines”, të gjitha bashkësitë në Medine janë element konstitutiv i shoqërisë, i kanë të gjitha të drejtat dhe obligimet që u takojnë, gjegjësisht, kjo kartë, për të gjitha bashkësitë në Medine e vuri në funksion kategorinë “umma” shtetas, e cila mund të krahasohet me nocionin “nation”. Në fillim të Kartës së Medines flitet për themelimin e bashkësisë muslimane, e cila është edhe bashkësi fetare edhe politike, dhe përbëhet prej muslimanëve të cilët u shpërngulën prej Meke, prej muslimanëve vendas të Medines, si dhe prej atyre muslimanëve të cilët e pranuan pushtetin e tillë dhe detyrën që të luftojnë bashkë me muslimanët në rast lufte (Hamidullah, 1990:I, 176).
Në pjesën hyrëse (preambulën) të Kartës së Medines, në mënyrë taksative thuhet: “Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirbërësit. Ky është dokument i profetit Muhamed, dhe u referohet besimtarëve të fisit Kurejsh dhe Jethribit, si dhe të gjithë tjerëve të cilët ishin pjesë e kësaj marrëveshje dhe bashkërisht luftojnë” (Ibn Hišam, 1998: 106). Kështu, të gjithë anëtarët dhe të gjitha bashkësitë në Medine, nënshkrues të Kartës, konsiderohen një “umma” ose “nation”, megjithatë, çdo bashkësi është bashkësi e veçantë juridike me autonomi fetare dhe kulturore (Bulaç, 1998: 23).
Në drejtim të integrimit të bashkësive, Karta e Medines i garanton edhe të drejtat fetare, ndërkaq integrimi i një bashkësive nuk mund të mendohet pa garantimin e të drejtave fetare. Kështu, në Kartën e Medines në mënyrë taksative thuhet: “Hebrenjtë le ta ndjekin fenë e vet, e muslimanët fenë e vet, si dhe le t’i mbrojnë mbrojtësit dhe jetët e tyre” (Ibn Hišam, 1998: 108).
Sipas Kartës së Medines, si legjislaturë e parë me të cilën u rregulluan marrëdhëniet e të gjitha bashkësive në shtetin e ri të formuar në Medine, bashkësia hebreje pakicë ishte e integruar edhe në segmentin e sigurisë, si një nga segmentet më të ndjeshme të shtetit. Kjo ishte e theksuar në mënyrë eksplicite në vetë nenet e Kartës së Medines, dhe disa nene të këtij dokumenti i referohen aspektit të sigurisë së shtetit, gjegjësisht rolit të bashkësive në hartimin e politikës së sigurisë në shtetin musliman të Medines. Për shembull, në njërin nga nenet e kësaj Karte, thuhet: “Hebrenjtë dhe muslimanët le të ndihmohen mes veti kundër çdo kujt që do ta sulmojë Jethribin”. (Ibidem, 108).
Në një nen tjetër thuhet: a) Hebrenjtë do t’i mbulojnë harxhimet e veta, ndërkaq muslimanët të vetat. Le të ndihmohen mes vete në luftë kundër armiqve të kësaj Karte. Le të kalitin marrëdhënie të mira dhe le të mbretëroj paqja mes tyre. Le t’i përmbahen kësaj Karte dhe mos ta thyejnë;
b) Mos e dëmtoni aleatin tuaj, dhe ndihmoni të shtypurit (Ibidem, 108). Në këtë kontekst, Karta e Medines i obligon të gjitha bashkësitë që ekzistonin në Medine, muslimanë dhe jomuslimanë, që t’i mbajnë harxhimet e luftërave mbrojtëse. Kjo qartë është e theksuar në dy pika të Kartës së Medines


