Kryeimami i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, mbajti sot mbledhjen e rregullt me kryeimamët e këshillave të Bashkësisë Islame të Kosovës. Që në fillim të takimit, kryeimami Sahiti theksoi se ky takim ka për qëllim paraqitjen e programit të Ramazanit që është ka marrë edhe miratimin e Kryesisë së BIK-ut në mbledhjen e fundit të saj, e që ka të bëjë me platformën e aktiviteteve fetare për muajin e bekuar Ramazan, si dhe disa projekte vjetore që priten të realizohen në këtë vit. Ai falënderoi kryeimamët për punën që janë duke bërë nëpër këshilla, që dhe falë angazhimit tuaj, jeta fetare po zhvillohet mirë dhe ka shënuar progres të dukshëm dhe rezultate pozitive që preken dhe shihen në çdo pore të jetës fetaro-arsimore.
Në vazhdim, kryeimamët e këshillave të Bashkësisë Islame të Kosovës diskutuan dhe paraqitën mendimet e tyre se si të pritet sa më mirë muaji Ramazan, si dhe për vazhdimësinë e projekteve të mësimit fetar nëpër xhami dhe për aktivitetet e tjera fetare.


