Këtë na e tregon vetë Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) në një thënie të tij, të cilën e transmeton Ubade ibn Samit: “Gjëja e parë që krijoi Zoti ishte penda, të cilën e urdhëroi të shkruajë dhe ajo në ato çaste shkroi gjithçka që do të ekzistojë deri në Ditën e Kiametit.”
Kurse në një thënie të Profetit (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem), tek Buhariu, thuhet:”Zoti’ i tha pendës: Shkruaj dijen Time rreth krijesave të Mia që do të ekzistojnë deri në Ditën e Kiametit.”
Pyetja e parë që na lind, pasi dëgjojmë se çdo gjë që ndodh është e shkruar dhe e caktuar që para krijimit, është nëse njeriu është i detyruar t’i bindet asaj që ka caktuar Zoti për të, apo ka të drejtë të zgjedhë? Përse duhet të punojmë dhe të lodhemi, në një kohë që gjithçka qenka e shkruar dhe e caktuar që para se të lindim?!
Përgjigjen e kësaj pyetjeje do e ndajmë në tre pika kryesore:
1. Këtë pyetje në përgjithësi e shtrojnë ata që nuk i binden urdhrave të Zotit. Asnjëherë ata që falen, agjërojnë… nuk e thonë diçka të tillë. Pyetje të tilla vijnë vetëm nga ata që nuk falen dhe nuk kanë asnjë lidhje me fenë dhe Zotin.
2. Në hadithin e mësipërm, të Buhariut, po ta vërejmë me kujdes do të shohim se fjalët: “Shkruaj dijen Time…” tregojnë se Zoti di gjithçka që ka ndodhur dhe do të ndodhë deri në Ditën e Kiametit. Ai di atë që ka qenë dhe atë që do të jetë. Ai di atë që nuk është, sikur të ishte si do të ishte. Ai thjesht shkroi dijen e Tij për atë që do të ndodhë dhe na ka lënë të lirë të veprojmë sipas dëshirës sonë.
Që ta thjeshtojmë më mirë këtë pikë, le të marrim një shembull të thjeshtë: Një baba ka tre fëmijë. I merr të tre dhe secilit i jep një sasi të hollash dhe u thotë: Me këto të holla, mund të bëni ç’të doni. Më pas nxjerr një libër ku shkruan: Djali i madh do i shpenzojë këto para për bamirësi. Djali i mesëm do i mbajë pasi, është kursimtar. Kurse i treti do i shpenzojë për qejfe dhe argëtime. Dhe me të vërtetë ndodh ajo që shkroi babai në libër. Të tre djemtë, i kishin shpenzuar të hollat sipas parashikimit të babait. Mos vallë është babai ai që i detyroi fëmijët që t’i shpenzonin të hollat sipas dëshirës së tij? Jo! Ajo që ndodhi është se babai e dinte natyrën dhe karakterin e secilit prej fëmijëve të tij. E njëjta gjë është dhe në rastin e shkrimit të caktimit të gjithçkaje që do të ndodhë, nga ana e Zotit. Zoti e shkroi gjithçka që do të ndodhte, mbi bazë të dijes së Tij, mbi gjithçka që do të ndodhë. Ai thjesht shkroi dijen e Tij dhe nuk imponon asnjërin të sillet sipas një mënyre të caktuar.
Nëse kjo nuk të bind, më lër të ta bëj një pyetje: Si mendon vallë, Zoti është i drejtë apo jo? A ke dëgjuar mbi cilësitë dhe emrat e Tij? Një nga këto emra është dhe “I Drejti”. Pra, drejtësia është nga cilësitë e Zotit dhe Ai nuk mund t’i bëjë padrejtësi askujt.
3. A e shikon se sa është dija e Zotit, i Cili di çdo gjë që ka ndodhur dhe çdo gjë që do të ndodhë deri në Ditën e Kiametit? A e di që Ai të shikon, teksa vepron diçka jo të hijshme? Ai di atë që fshehin zemrat. Si vallë shikon haram, duke e ditur se Zoti po të vështron në ato çaste? Si vallë fshihesh nga njerëzit, teksa vepron gjynahe dhe gëzohesh që nuk po të shikon kush, në një kohë që të ka parë vetë Zoti? Zemra do të pushonte, nëse dikush do të hapte derën dhe do të shikonte teksa vepron gjynahun. Kurse për shikimin e Zotit nuk të vjen rëndë! Zoti e di rizkun tënd dhe e ka shkruar që para se të lindësh. Atëherë përse lodhesh dhe preokupohesh kaq shumë? Përse kalon net të tëra pa gjumë, për shkak se ke vajzat e pamartuara? Nëse je lodhur për të arritur diçka dhe në fund nuk e ke arritur, mos u shqetëso se ky ka qenë caktimi yt. Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) e mësonte Ibn Abasin duke i thënë:”Dije se nëse do të mblidheshin të gjithë njerëzit që të bëjnë dobi, nuk do arrinin të bëjnë dobi veçse me diçka që e ka shkruar Zoti. Dije se nëse do të mblidheshin të gjithë njerëzit të dëmtonin, nuk do të dëmtonin veçse me diçka që e ka shkruar Zoti për ty. Janë ngritur lapsat dhe janë tharë fletët.”
Mos u mërzit se humbe punën, pasi aq ka qenë rizku yt në atë vend pune.
Gjëja e dytë që u krijua pas pendës është “Leuhul Mahfudh” (Regjistri i punëve)
Para se të krijohej penda dhe “Leuhul Mahfudh” ishte krijuar Arshi i Zotit. Thotë Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) në një thënie: “Zoti ekzistonte kur nuk ekzistonte gjë tjetër dhe Arshi i Tij ndodhej mbi ujë.”


