Reisul Ulemaja shpreh ngushëllime për ndërrimin e jetës së ish-Presidentit Nishani
Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai në emrin e vet dhe në emër të Bashkësisë Fetare Islame të RMV, shprehu ngushëllimet më të thella për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani.
Në faqen e tij personale, Kreu i BFI, Reisul Ulema përcjell ngushëllimet e tij deri tek familja e të ndjerit dhe deri tek të gjithë shqiptarët, për të cilët e cilëson se është një humbje e madhe.
Në vijim është ngushëllimi i Kryetarit të BFI: “Me keqardhje pranuam lajmin e ndërrimit të jetës të ish Presidentit të Republikës së Shqipërisë Z. Bujar Nishanit.
Është një dhimbje dhe humbje e madhe për të gjithë shqiptarët, por dhe më gjerë. Ishte personalitet i pathyeshëm në zhvillimin e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri.
Kam pasur rastin ta takojë në Tiranë dhe menjëherë fitova përshtypjen time të thellë të një personaliteti burrëror, i urtë, i heshtur dhe i mençur. Dha kontribut të madh në ngritjen e vetëdijes tek shqiptarët mbi vlerën e besimit, kombit, vatanit dhe shtetit.
Ngushëllime të thella familjes dhe gjithë shqiptarëve, ndërsa të ndjerit Zoti i faltë Xhenetin-Parajsën në botën tjetër”, thuhet në ngushëllimin e lëshuar nga Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai.
Ndërsa në reagimin e tij, Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava është shprehur:-
"Të Zotit jemi dhe tek Ai do të kthehemi!"
Me pikëllim të thellë mora lajmin për kalimin në Ahiret të presidentit Bujar Nishani.
Në emrin e Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saj dhe në emrin tim personal, shpreh ngushëllimet e mia për familjen, farefisin, të afërmit dhe miqtë e tij.
Presidenti Nishani do të kujtohet si një personalitet me integritet të lartë, i përkushtuar ndaj popullit e atdheut dhe si një burrështetas e vizionar i dëshmuar.
Jemi mirënjohës për kujdesin, kontributin dhe angazhimin e tij për çështjen e Kosovës!
Zoti u dhashë sabër e gajret familjes së presidentit, ndërsa shpirtin e tij, Zoti e mëshiroftë!
Myftiu i Kosovës,
Naim ef. Tërnava.


