Në ajetet ku përmendet porosia e Allahut të madhëruar për mbajtjen pastër të Qabesë, përmenden edhe tre lloje adhurimesh të cilat kryhen te kjo shtëpi e Tij.
I pari: Tavafi.
Tavafi është një lloj adhurimi i cili përmban rrotullimin shtatë herë rreth Qabesë, duke filluar nga këndi që mban gurin e zi të cilin duhet ta kesh në të majtë dhe për të mbaruar në të njëjtin vend me qëllim që rrotullimi të jetë i plotë. Ky rrotullim është respekt për Qabenë dhe adhurim për Allahun e madhëruar, sepse shoqërohet me madhërime për Të e lutje dhe prandaj Profeti -alejhi selam e ka quajtur atë namaz. Ibn Abasi -radiallahu anhu- thotë se Profeti alejhi selam ka thënë: “Tavafi rreth shtëpisë së Allahut është namaz, veçse Allahu i madhëruar e ka lejuar të flasësh. Prandaj, ai që flet, të flasë fjalë të mira” dhe në një transmetim tjetër “t’i pakësojë fjalët!”.Profeti -alejhi selam- me këto porosi do të thotë se ai i cili bën tavaf duhet të preokupohet me madhërimin e Allahut dhe lutje, siç preokupohet namazliu! Tavafi si adhurim nuk duhet të ketë qenë para ndërtimit të Qabesë, sepse ajo është ndërtesa e parë për adhurimin e Allahut të madhëruar në Tokë dhe mosekzistimi i ndonjë objekti tjetër më të hershem se ajo, do të thotë mosekzistim i këtij adhurimi para saj. Tavafi gjithashtu siç nuk është ligjësuar para ndërtimit të Qabesë, nuk është ligjësuar dhe për asnjë objekt tjetër veç saj, çfarë do të thotë se Qabeja është vend i veçantë dhe simbolika e saj nuk është si simbolika e vendeve të tjera.
I dyti: Ngujimi për adhurim (Itikafi).
Ngujimi në Qabe është qëndrimi në të për adhurim, më e pakta një ditë e plotë, për të mos dalë prej saj veçse për gjëra të domosdoshme si: kryerja e nevojave biologjike, ngrënia, pirja, abdesi etj, dhe pa kontaktuar me gratë. Qabeja është shtëpia e Allahut të madhëruar dhe për këtë arsye vet qëndrimi në këtë shtëpi është adhurim dhe përkujtim për Allahun e madhëruar, siç dhe mundëson gjithashtu kryerjen në këtë vend të adhurimeve të tjera si: dhikr, namaz, meditim etj, shpërblimi i të cilave aty është më i madh se në çdo vend tjetër.Edhe ky lloj adhurimi nuk ka qenë para ndërtimit të Qabesë e cila është xhamia e parë në Tokë dhe nuk e shoqëron atë në këtë lloj adhurimi, veçse dhe dy xhami të tjera të ndërtuara pas saj: Xhamia e Profetit -alejhi selam- në Medine dhe Xhamia Aksa në Palestinë. Profeti -alejhi selam- në lidhje me këtë realitet thotë: “Nuk ka ngujim (itikaf) veçse në tre xhami: Xhamia e Shenjtë (Qabeja), Xhamia Ime dhe Bejtul-Makdis” e transmeton Bejhakiu, Tahauiu.Veçimi i këtyre xhamive për këtë lloj adhurimi është për shkak se këto xhami janë xhami të ndërtuara nga profetët e Allahut mbi bazën e devotshmërisë, thelbi i secilës ishte besimi i Allahut një pa shok e rival dhe përkushtimi ndaj Tij. Kjo karakteristikë ka bërë që edhe sevapet e punëve të mira në këto xhami të shumëfishohen -siç do të vijë më poshtë- dhe prandaj qëndrimi në to merr vlerë të madhe. Për këtë arsye, tabi’ini dhe dijetari i njohur i Islamit, Said bin El-Musejib -Allahu e mëshiroftë- thoshte: “Nuk ka ngujim (itikaf) veçse në një xhami profeti” e transmeton Ibn Ebij Shejbe.
I treti: Namazi.
Namazi është një lloj adhurimi i cili përmban përmendjen e Allahut të madhëruar me: madhërime, lexime vargjesh nga libri i Tij, lutje, përkulje me ruku dhe sexhde dhe së fundi selam.Ky lloj adhurimi ndryshe nga dy të parët ka qenë edhe para ndërtimit të Qabesë, sepse është përmendur për të gjithë profetët që nga koha e Ademit -alejhi selam- babait të njerëzimit. Imam El-Meruezij një prej dijetarëve të hershëm -Allahu e mëshiroftë- i cili ka shkruar për historikun e namazit, thotë: "Namazi ka qenë detyrë për Nuhun dhe për të gjithë profetët si dhe për profetin tonë -alejhi selam-. Allahu i madhëruar i ka përmendur (në Kuran) profetët: profet, profet dhe i ka përshkruar duke thënë:“Këta janë ata, të cilët i begatoi Allahu prej profetëve, prej pasardhësve të Ademit, prej atyre që i mbartëm me Nuhun, prej pasardhësve të Ibrahimit dhe të Israilit dhe prej atyre që i udhëzuam dhe i zgjodhëm. Atyre kur iu lexoheshin vargjet e të Gjithëmëshirshmit, binin në sexhde dhe qanin”. Kështu, Allahu njofton se të gjithë profetët i përkushtoheshin namazit, e adhuronin Allahun dhe afroheshin me të tek Ai, sepse më pas thotë: “Pastaj erdhën brezni, që e braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta dhe ata me pa dyshim do të gjejnë dënim të madh” suretu Merjem: 58-59.» Mbaron këtu fjala e tij Allahu e mëshiroftë . Pra, të gjithë profetët e Allahut edhe para ndërtimit të Qabesë e kanë njohur namazin, madje në shumë argumente


