MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT - ËSHTË I SHTRESUAR THELLË NË IDENTITETIN FETAR E KULTUROR TË POPULLI TONË
(Naim ef. Tërnava – Myfti i Kosovës)
Të nderuar vëllezër e motra!
Besimtarët myslimanë anekënd botës 12 rebiul-evelin e shënojnë me aktivitete të ndryshme, duke rikujtuar lindjen, jetën dhe misionin e të Dërguarit tonë të fundit, Muhamedit a.s., të cilit iu shpall nga Allahu xh.sh. Kurani, e nëpërmjet tij edhe neve, që të na rregullojë jetën në këtë botë dhe të përgatitemi për botën tjetër.
Manifestimi i Ditëlindjes së Pejgamberit, Muhamedit alejhisselam, si tek të gjithë popujt myslimanë edhe te populli ynë, ka një traditë po aq sa edhe prania e fesë islame në këto troje, dhe si i tillë është i shtresuar thellë në identitetin fetar e kulturor të populli tonë, aq sa ka marrë edhe karakter të një manifestimi thuajse gjithëpopullor, kjo për faktin se populli ynë tërë muajin rebiul-evvel e kalonte në përkujtim të Muhamedit a.s.
Nuk është e largët koha kur populli ynë, por edhe popujt përreth të besimit islam muajin rebiul-evvel e kalonin në kërkim të njohjes së Pejgamberit, dhe këtë nëpërmjet derseve, ligjëratave, ibadeteve e debateve për dhe rreth jetës së Muhamedit a.s. për dhe rreth fesë e dinit islam.
Por s’ka dyshim se kontribut të madh në këtë drejtim kishte dhënë ulemaja jonë, që kishte emancipuar e vetëdijesuar dhe kishte përgatitur masën e besimtarëve shpirtërisht e emocionalisht për ta njohur, dashur, respektuar e çmuar ashtu siç e meriton Resullullahu s.a..
Kjo shihet më së miri nga veprat që ulemaja jonë i ka kushtuar Pejgamberit, Muahmedit a.s., si në prozë e poezi, në hymne, gazele e kaside, nëpërmjet të cilave bëhej e mundur njohja më e afërt e personalitetit të Pejgamberit a.s., rritej dashuria për të, shtohej devocioni e përkushtimi ndaj tij. Për më tepër, ky korpus letrar kushtuar Muhamedit a.s. mësohej përmendsh e përsëritej gojë me gojë e brez pas brezi ndër besimtarë.
Po e përmendim këtu Mevludin si kategori e veçantë që u kultivua ndër shqiptarët dhe sot njohim mbi 30 autorë shqiptarë që kanë shkruar mevlude. Për më tepër, organizimi i mevludit qe kthyer në një ritual me karakter ibadeti dhe pikërisht për këtë muaji – reibiul-evvel te ne është njohur dhe njihet si Muaji i Mevludit. Kështu, tani gjendemi në pjesën e parë të këtij muaji dhe pikërisht për këtë edhe po shënojmë dhe po manifestojmë Mevludin e Pejgamberit a.s.
Vëllezër e motra,
Të nderuar të pranishëm!
Kur kujtomë lindjen e Pejgamberi a.s., kemi për synim që të njohim misionin e tij, mësimet e tij, sjelljet e tij, virtytet e cilësitë e tij, edebin e ahlakun e tij, për të cilat njerëzimi ka nevojë që t’i njohë, t’i dijë, t’i trajtojë, t’i studiojë e t’i vërë në përdorim në vazhdimësi, sepse të gjitha këto janë me burim hyjnor, sepse Allahu xh.sh., për të Dërguarin e Tij, Muhamedin a.s. ka thënë: “Dhe ai nuk flet nga mendja e tij. Ai (Kur’ani) nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet”. En-Nexhmu-3-4).
Pastaj ajeti: “Vërtet, ti (o Muhammed) je me moral sublim!” [Kalem: 4]
Kurse në një ajet tjetër kuranor, duke na mësuar ne se personaliteti i Muhamedit a.s. duhet të jetë shembulli dhe modeli ynë që duhet ndjekur, thotë:
“Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe që e përmend shumë Allahun.” [Ahzab: 21]
Ndërsa për nevojën tonë për Muhammedin a.s., për dashurinë ndaj tij, për pasimin e rrugës dhe mësimeve të tij, e që janë vetë feja islame në praktikë, në Kuran Allahu xh.sh., na thotë:
“Thuaj: “Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se Allahu është që fal shumë, mëshiron shumë.” [Ali Imran: 31]
Prandaj, njohja, dashuria dhe respekti për Pejgamberin, Muhamedin a.s. dhe misionin e tij, përveçse janë të urdhëruara, ato e fisnikërojnë, e edukojnë dhe e begatojnë individin dhe shoqërinë.


