Komandanti i KFOR-it i bën bashkë krerët e tri bashkësive fetare të Kosovës
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, ka pritur sot në takim prijësit e bashkësive fetare të Kosovës, kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim ef. Tërnava, ipeshkvin Dodë Gjergji dhe peshkopin Teodosije Shibaliq.
Myftiu Tërnava në këtë takim shprehu përkushtimin e institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës për promovimin e paqes, tolerancës dhe bashkëjetesës ndërfetare në vend. Ai shprehu gatishmërinë e tij dhe të institucionit që ai drejton që edhe më tej të kontribuojë për harmoninë ndërfetare.

Ky takim me prijësit fetarë u zhvillua për promovimin e dialogut ndërfetar dhe për rolin që kanë ata për forcimin e paqes. Komandanti Ristuccia theksoi rëndësinë e komuniteteve fetare për promovimin e paqes, tolerancës dhe respektit të ndërsjellë. Ai tha se fetë janë pjesë e zgjidhjes për një bashkëjetesë harmonike.
Me një postim në Facebook të publikuar nga KFOR-i, shkruan se takimi u bë me qëllim për të promovuar rolin e udhëheqësve fetarë në forcimin e paqes.

“Gjenerali Ristuccia theksoi rëndësinë e të gjitha komuniteteve fetare në promovimin e paqes, tolerancës dhe respektit të ndërsjellë dhe sigurimin e unitetit përballë provave që kërcënojnë të përçajnë edhe më shumë. Fetë nuk janë probleme, por pjesë e zgjidhjes për një bashkëjetesë më harmonike”, shkruan në njoftim.
Aty theksohet se Ristuccia është shprehur se fetë janë pjesë e zgjidhjes për bashkëjetesë në harmoni.
“Komandanti i KFOR-it gjithashtu nënvizoi përkushtimin e KFOR-it për të mbështetur paqen, bashkëpunimin dhe përparimin për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, siç thuhet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999”, shkruan në postim.


