Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.
Vëllezër besimtarë!
Në hutben e sotme, me lejen dhe ndihmën e Allahut, do të flasim në temën: Nata e Beratit – nata e afrimit të robërve tek Krujuesi i tyre!
Në javën para nesh gjendet një natë e madhe dhe e bekuar, e cila quhet nata e Beratit. Ajo bie në natën e 15 të muajit shaban, që sivjet i është të enjtën, më 17 mars 2022, për të cilën thuhet se ajo është nata e afrimit të robërve tek Krijuesi i tyre.
Fjala “berat” në gjuhën arabe do të thotë: të shpëtosh, të falesh e të lirohesh prej gjynaheve, fajeve dhe dënimeve. Në këtë natë shumë muslimanë gjejnë faljen dhe lirimin prej gjynaheve nga ana e Allahut xh.sh., i arrijnë mirësitë dhe dhuntitë e Zotit dhe zemrat u mbushen me nur e dritë hyjnore.
Është kjo natë e bekuar dhe e madhe ngase, sipas disa komentatorëve të Kur’anit, në këtë natë Kur’ani fisnik ka zbritur në formë të plotë nga qielli i shtatë në të parin, pra në qiellin e dynjasë, kurse në natën e Kadrit ka filluar t’i shpallet Pejgamberit a.s. në formë të shkallëshkallshme brenda 23 vjetëve. Këta komentatorë, për këtë mbështeten në ajetet e para të sures ed-Duhan që i lexuam në fillim të hutbes: “Ha.Mim. Pasha librin sqarues (të së drejtës nga e kota)! Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar. Vërtet që Ne gjithnjë po këshillojmë. Në atë natë zgjidhet çdo çështje në mënyrë të prerë” (ed-Duhan:1-4).
Në këtë natë të bekuar ka zbritur Kurani me të cilin Kur’an Zoti e këshillon dhe ia tërheq vërejtjen njerëzimit për gabimet dhe humbjen e mashtrimin që është duke e përjetuar. Është nata kur me dijen dhe gjykimin e Allahut xh.sh. vendoset për të gjitha çështjet, si: vdekjet, lindjet, furnizimet, fatkeqësitë etj. për tërë vitin e ardhshëm.
Edhe pse disa komentatorë të tjerë thonë se në këtë sure flitet për natën e Kadrit e jo të Beratit, për vlerën e madhe të saj që ka flasin edhe mjaft hadithe dhe sjellje të Pejgamberit a.s. Ai gjatë muajit Shaban, në të cilin gjendet edhe nata e Beratit, rregullisht mbante agjërim nafile. Kur e pyetnin se përse agjëronte kaq shumë në muajin Shaban, Ai përgjigjej: “Në këtë muaj punët dhe veprat tona ngrihen te Zoti i botëve. Unë dua që punët e mia t’i paraqiten Zotit duke qenë me agjërim në gojë” (Nesaiu, Sijam, 70).
Ja edhe disa hadithe të tjera të Pejgamberit a.s. lidhur me madhështinë e kësaj nate:
“Kur të vijë nata e 15 e muajit Shaban, kalojeni me ibadet dhe itaat Zotit, kurse ditën e 15 kalojeni me agjërim! Sepse atë natë Zoti me rahmetin e vet i shfaqet qiellit të dynjasë dhe thotë: ‘A ka kush pendohet sonte dhe Unë ta fali?, A ka kush kërkon rizk (furnizim e nafakë) sonte dhe Unë t’i jap?, A ka kush që është i sëmurë dhe kërkon prej Meje shërim e Unë t’i jap shëndet?, A ka kush kërkon diçka tjetër sonte e Unë t’i jap?’ Kështu vazhdon deri në agimin e ditës së nesërme.” (Ibni Maxhe, Ikame, 191).
“S’ka dyshim se në natën e 15 të Shabanit Zoti shfaqet (me mëshirën e Tij) në qiellin më të afërt me tokën dhe fal gjynahet (ose gjynahqarët) qofshin ato më tepër se edhe qimet e dhenve të fisit Kelb.” (Tirmidhiu, Saum, 39).
Vëllezër të nderuar!
Këto ishin shkurtimisht të mirat dhe bekimet e kësaj nate madhështore. Është pra një natë, kur Allahu xh.sh. me të madhe e lëshon rahmetin, mëshirën, rizkun, faljen e Vet dhe është nata kur ne duhet sinqerisht të pendohemi për gjunahet që i kemi bërë dhe që jemi duke i bërë e t’i drejtohemi Zotit me kërkesën për të na falë e të na pastrojë prej të gjitha ndyrësive të jetës së kësaj bote e të na ngrejë në shkallën ku shpirtrat tanë do të jenë të kënaqur me Zotin dhe ku edhe Zoti do të jetë i kënaqur me ne. Është nata kur ne duhet të vendosim t’i largohemi çdo të keqe që na çon në mosbesim (kufër), kur në duhet t’i harrojmë e t


