Të flasësh për sahabët, shokët e Profetit (a.s.), nuk është aspak e lehtë, përkundrazi nxit kritikën ndaj vetvetes duke pyetur shpeshherë nëse jemi të denjë për ndjekjen e shembullit të tyre. I dërguari i Allahut ka qenë dhe do të jetë një kandil ndriçues për myslimanët, ndërsa sahabët, shokët e tij, janë shoqëria më e zgjedhur e tij, të cilët kanë ndihmuar në përçimin e kësaj drite. Tipari dallues i sahabëve padyshim që është bindja e palëkundur ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, të cilën e shohim më së miri të shpalosur në ajete të ndryshme kuranore ku ndër të tjera, vlen të përmendet: “O besimtarë! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos ia ktheni shpinën, ndërkohë që e dëgjoni të vërtetën.” (Enfal 8/20) Ndërkohë Profeti (a.s.) thekson: “Kush më bindet mua nuk ka dyshim se i është bindur Allahut, e kush më kundërshton mua nuk ka dyshim se ka kundërshtuar Allahun.”
Ndërsa shfleton faqet e librit në fjalë të bie në sy lidhja e fortë që ata kanë me të Dërguarin e Allahut, besimi i sinqertë i pasqyruar në adhurime të panumërta dhe zbatimi i urdhrave hyjnorë në çdo çast të jetës së tyre. Sigurisht që shembulli i Profetit (a.s.), i pasuar nga shembulli i shokëve të tij, është një model i përsosur për çdo mysliman dhe myslimane, është një busull orientuese në ato periudha të lëkundjeve shpirtërore dhe udhëzues i pazëvendësueshëm në praktikimin e urdhëresave fetare.
Në këtë shkrim do të trajtojmë ndikimin pozitiv të modelit të sahabëve në formimin e karakterit të një myslimani, avantazhet e të pasurit të një modeli të përkryer siç është ai i Profetit tonë të nderuar. Ky ndikim mund të trajtohet në tre sfera të ndryshme të jetës së një besimtari, të cilat mund t’i ndajmë në fazën e parë të besimit, në fazën e dytë ku pasqyrohen praktikat fetare, si pjesë e pandarë e besimit, dhe në fazën e tretë të moralit, i cili plotësohet më së miri me realizimin e dy fazave të para.
Allahu i Madhëruar ka dërguar profetë të ndryshëm në periudha të ndryshme të historisë së njerëzimit me qëllim udhëzimin e njerëzve në rrugën e drejtë dhe dërgimin e një modeli udhëzues për to. Profeti (a.s.) erdhi për të rrënjosur në zemrat e popullit të tij, dhe më pas të gjithë njerëzimit, farën e pastër të madhërimit e besimit të një Zoti të vetëm. Dhe për këtë luftoi për 23 vite me radhë, përjetoi ofendime, sharje e tortura të ndryshme por nuk u dorëzua. Fara e besimit tek individi kultivohet që në fëmijëri në mënyrë që të japë frytet e saj në vitet më pas. Sigurisht që ky është një proces i gjatë që kërkon durim, përkushtim e sakrifica. Modeli i sahabëve shërbeu si një mbështetje e fortë, pasqyrë e plotë e shembullit të Profetit tonë të nderuar për myslimanët e rinj të cilët përqafonin fenë islame.
Këshilla e Ubade bin Samit ndaj të birit të tij, për t’i besuar kaderit, është një këshillë e vyer e cila nuk vjetrohet asnjëherë. Ndërkohë që ai ishte në ditët e fundit të jetës së tij i drejtohet të birit me këto fjalë: “Shiko o biri im i mirë, po nuk i besove kaderit ashtu siç duhet, as Zotin nuk e njeh siç duhet, as besimit nuk mund të thuhet se ia ndien shijen e vërtetë. Biri im, unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut kur na tha: ‘Krijesa e parë e Allahut është pena. Ai i tha asaj shkruaj e ajo shkruajti gjithçka që ka ndodhur e do të ndodhë nga fillimi e deri në ditën e Kiametit’. Ja pra, nëse vdes pa e besuar këtë, ti do të hysh në Xhehenem.”
E vlefshme për të gjithë ne është gjithashtu dhe këshilla e Profetit (a.s.) për rifreskimin e besimit ku thotë: “Rifreskojeni besimin tuaj.” I thanë: Po si do ta rifreskojmë ne besimin? Ai u përgjigj: “Duke e thënë sa më shumë fjalën La ilahe il-lallah”. Besimi është pasqyrë e shpirtit të njeriut, është një strehë e ngrohtë dhe mbështetje e fortë gjatë sprovave të jetës. Shumë studime kanë treguar se individët besimtarë i përballojnë më lehtë dështimet, fatkeqësitë apo sprovat e ndryshme të jetës së kësaj bote. Besimi është burim i pafund fuqie dhe force. Besimi i një myslimani plotësohet atëherë kur shprehet me gojë dhe mbështetet në vepra. Besimtar quhet njeriu i besueshëm, me personalitet e karakter të shëndoshë që jep siguri, i beson Allahut dhe e vërteton atë, e pohon besimin me zemër dhe e praktikon në vepra.
Kur bëhet fjalë për praktimin në vepra, gjëja e parë që të vjen ndërmend është namazi, shtylla kryesore e fesë islame. Gjatë leximit të librit “Jeta e sahabëve” vëmë re sesa të ndjeshëm kanë qenë sahabët ndaj faljes së namazit, zbatueshmërisë perfekte të të gjitha rregullave të tij. Umu Rumani tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke th


