Falënderimi qoftë për Allahun e Plotfuqishëm, i Cili na ka dhënë dhe na jep begati të panumërta. Salavatet, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi më të dashurin e Allahut dhe të dërguarin e Tij të fundit Muhamedin (savs), mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që kanë jetuar me të vërtetën në zemrat e tyre.
Vëllezër besimtarë, në hutben e sotme do të flasim në temën: “O baba, ti je fajtor!”
Hutben e sotme do ta filloj me ajetin kuranor, ku Allahu i Plotfuqishëm thotë: “O ju që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin melekë të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.” (et-Tahrim, 6)
Ibn Kethiri në Tefsirin e tij, për këtë ajet thotë: O ju që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, do të thotë, urdhëroni veten tuaj, urdhëroni gratë tuaja, fëmijët tuaj, vëllezërit tuaj, të afërmit tuaj dhe shërbëtorët tuaj që të jenë të bindur ndaj Allahut, përkatësisht, ndaloni veten tuaj dhe të gjithë ata që kanë devijuar nga rruga e drejtë që mos të bëjnë mëkate dhe mos të jenë të pabindur ndaj Allahut të Plotfuqishëm. Mësoni ata dhe edukoni. Kujdesuni për ta në aspektin e dispozitave të Allahut dhe urdhëroni që t’i kryejnë ato dhe ndihmoni në këtë drejtim. Kur ta shihni se dikush po bën mëkat ndaj Allahut, qortojeni dhe largohuni prej tij. Detyrë e çdo muslimani është që ata që janë nën autoritetin e tij t’i njoftojë me atë që ka urdhëruar Allahu dhe me atë që ka ndaluar.
Nga Ibni Omeri (r.a.) transmetohet se ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (savs), duke thënë: “Të gjithë ju jeni barinj dhe secili do të përgjigjet për tufën e tij. Imami (sunduesi) është bari (i popullit të vet) dhe do të jetë përgjegjës për tufën e tij. Burri është bari në familjen e vet dhe do të përgjigjet për tufën e tij. Gruaja është baresh në shtëpinë e burrit të saj dhe ajo do të jetë përgjegjëse për tufën e saj. Shërbëtori është bari (rojtar) i pasurisë së zotërisë së vet dhe do të jetë përgjegjës për tufën e tij. Pra, të gjithë ju jeni barinj dhe secili do të përgjigjet për tufën e tij.”
Vëllezër të dashur!
A po i përmbushim ne detyrimet tona dhe a po i ruajmë ato për të cilat do të merremi në pyetje?
Udhëheqësit tanë, a po i përmbushin detyrimet e tyre, apo po kujdesen vetëm për të drejtat dhe privilegjet e tyre?
A po i ruajmë familjet tona, apo kujdesin për ruajtjen e tyre ia kemi dorëzuar rrugës dhe mediave?
Gratë tona, a po e ruajnë veten dhe fëmijët e tyre në shtëpitë tona, apo kujdesin ndaj fëmijëve të tyre e kanë zëvendësuar me kujdesin për seriale, filma, koncerte, frizura, fustana dhe për tubime të kota?
Eprorët, apo kujdesen që të mos t’i ngarkojnë vartësit më shumë se që ata mund të mbajnë, por edhe vartësit a po i përmbushin detyrimet e tyre?
Vëllezër të respektuar!
Pasha Allahun, nëse nuk i kryejmë obligimet tona do të pendohemi edhe në këtë botë edhe në botën tjetër.
Pasha Allahun, nëse nuk i kryejmë detyrimet tona do të fajësohemi në Ditën e Gjykimit nga ana e atyre për të cilët kemi qenë përgjegjës, por atëherë do të jetë tepër vonë.
***
TREGIM! Tregohet se një burrë e kishte pasur një vajzë, e cila i kishte vdekur shumë e re. Kështu që një natë, e kishte parë në ëndërr vajzën e tij, e cila po thoshte me këmbëngulje: „Hasbijallahu ve ni’mel vekil. Hasbijallahu ve ni’mel vekil.“ (Më mjafton mua Allahu dhe Ai është mbrojtës i mrekullueshëm! Më mjafton mua Allahu dhe Ai është mbrojtës i mrekullueshëm!) andaj unë e pyeta: „Oj bija ime e dashur, kundër kujt të mjafton ty Allahu dhe prej kujt po kërkon mbrojtjen e Allahut? A të ka bërë dikush ndonjë të keqe, që t’i hakmerrem?“
Kurse ajo u përgjigj: „Kundër teje, o baba! Më mjafton mua Allahu dhe Ai është mbrojtës i mreku


