Me rastin e 22 vjetorit të marrëveshjes së Ohrit reisul ulema i Maqedonisë së Veriut Shaqir ef. Fetahu ka reaguar në profilin e tij si më poshtë:
“Marrëveshja Kornizë e Ohrit themeli i shtetit paqësor dhe inspirim për barazi e të gjithëve
Paqes duhet ti japim shans. Kjo ka qenë fjala më e dëgjuar në këto tre dekadat e fundit në tërë Botën. Në katër anët e rruzullit tokësor, kjo fjalë për dikë ka pasur shumë rëndësi, për dikë më pak, por e rëndësishmja është se për të gjithë njerëzimin Paqja është gjëja më e shtrenjtë dhe më e vlefshme. Paqja ka qenë dhe vazhdon të jetë synimi kryesor i gjitha kombeve dhe shteteve. Edhe për ne. Askush më mirë se ne nuk e di se Paqen përveç neve vetë, nuk mund të na e sjell askush tjetër. Andaj si të tillë e duam dhe e ruajmë, sepse Paqja për ata që nuk e respektojnë është vetëm dështim.
Para 22 viteve, më 13 Gusht 2001, vendi jonë vuri themelet e shtetit paqësor, me nënshkrimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila jo vetëm që i dha fund konfliktit por hapi perspektiva të reja kah shoqëritë demokratike dhe rrugëtimit drejt BE-së dhe NATO-s.
Ne 22 vite më parë zgjodhëm demokracinë në vend të totalitarizmit, zgjodhëm ndërtimin në vend të shkatërrimit, zgjodhëm Paqen në vend të konfliktit. Prandaj ne gjithmonë duhet t'i japim Paqes shans.
Qoft kjo ditë moment i inspirimit tonë për zhvillim, përparim në të ghitha sferat, në veçanti në barazinë e plotë qytetarëve në vend dhe më gjërë.
Gëzuar dita e Paqes në Maqedoninë e Veriut”


