Besimtarë të nderuar.
Kaluam edhe një Ramazan të bekuar duke kryer obligimet që i parasheh i Madhi Zot në këtë muaji. U krijua një ambient i mrekullueshëm. Aktivitete të shumëllojshme në çdo pjesë të vendit. Të gjitha institucionet ishin në nivelin e përgjegjësisë më të madhe, që e treguan dhe e dëshmuan me vepra të nivelit të lartë, në krye me Riasetin si koordinues i të gjitha projekteve të Ramazanit. Muftinitë e BFI-së së RMV-së bashkë me imamët, hatibët, muezinët, mualimët, pastaj SHMI "Medreseja Isa Beu" me paralelet e saja në Shkup, Tetovë, Gostivar e Shtip, FSHI në Shkup, OH " Hilal" gjatë tërë Ramazanit ishim bashkë nëpër xhamitë tona, përplot me besimtarë me moton "Në mesin e besimtarëve". Të gjitha segmentet lëvizën në mënyrën më të përgjegjshme, prej besimtarit e deri te instancat më të larta.
Agjërimi i ditëve të Ramazanit, kryerja e namazit, ligjëratave, debateve, komunikimi me besimtarët, tribunat fetare- shkencore, manifestimet fetare në çdo anë, leximi i Kur'anit Famëlartë, vizitat e ndërsjella, paraqitjet e pandërprera në mjetet e informimit, mediat, portalet dhe shumë hapësira ndihmuan fuqishëm që fjala e Zotit të jetë kudo në çdo familje apo individ dhe kështu të formohet ambienti i shenjtë dhe gatishmëri për të qenë në krye të detyrës dhe në shërbim të Zotit.
Ju shtri dora e ndihmës çdo kujt që ishte në nevojë, me të mira materiale, ushqime dhe gjithçka tjetër për të gëzuar të gjithë nga pak pa u ndje të shqetësuar askush. U mboll ndjenja e respektit, urtësisë, solidaritetit, afërsisë, paqes, tolerancës, humanizmit duke ndarë me mbi njëqind e pesëdhjetë tonelata ushqim.
Vizitat e mirë organizuara me delegacionet e BFI në vendet e Evropës për të qenë në mesin e bashkatdhetarëve tanë, për t'u njoftuar me rrjedhat e aktiviteteve në çdo segment të jetës së tyre, dëshmuan se BFI e RMV-së është gjithmonë me ta dhe me nevojat eventuale të tyre.
Andaj, me vetëdije të lartë shpreh mirënjohjet tona të gjitha Myftinive në krye me myftinjtë, drejtorive të Riasetit, me përgjegjësit e tyre, qendrave islame në krye me imamët e tyre kudo në Evropë e gjetiu, imamëve dhe mutevelinjve si dhe besimtarëve në përgjithësi për punën e madhe dhe kontributin e tyre në shërbim të zhvillimit të fjalës së Zotit kudo.
Zoti i bekoftë për angazhimin në veprat madhore dhe rezultatet e mira gjatë Muajit të bekuar.


