Nga Kristjan Pashollari7 Dhj 2021 3.2k
Të tjera

PROFETI JUNUS (A.S.)

Profeti Ejub (a.s.) hyri në histori si profeti i durimit. Ai shpëtoi nga sëmundjet e tij të gjata vetëm në sajë të durimit me të cilin përballoi gjithë ç’i ndodhi. Kurse shpëtimi i profetit Junus (a.s.) nga fatkeqësitë që i ndodhën, ishte në sajë të lutjes së tij rrënqethëse e të sinqertë. Në Kuran, kur flitet për të, herë përmendet si Junus dhe herë si Dhen’nun, që do të thotë i zoti i peshkut.

Edhe Junusi (a.s.), si të gjithë profetët, ishte një njeri i zgjedhur i Zotit. Në një vend të quajtur Ninova, ditë e natë, ai këshillonte popullin e tij, duke i ftuar në rrugë të drejtë. Iu kujtonte atyre Ditën e Gjykimit, u tregonte sa vend i keq është xhehenemi për ata që nuk besojnë e bëjnë vepra të këqija, u shpjegonte mrekullitë e xhenetit që i prisnin besimtarët e të drejtët, i ftonte pa pushim për të bërë vepra të mira dhe ua përsëriste shumë e shumë herë se duhej t’i besonin një Zoti të vetëm, Zotit të gjithësisë. Po gjithë ky mund ishte i kotë. As edhe një person i vetëm nga populli i vet nuk e besonte.

Profeti Junus (a.s.) nuk hoqi dorë nga rruga e tij dhe as populli nuk ndryshoi mendje. Nuk kishte lënë gjë pa provuar për t’i bindur ata njerëz të besonin, por më kot. Më në fund u bind se as edhe një prej tyre nuk do të besonte ndonjëherë. Ishte lodhur e mërzitur tashmë. I vinte shumë rëndë për këtë parapëlqim të njerëzve për të shkuar drejt zjarrit me vullnetin e vet.

Junusi (a.s.) solli ndër mend të Dërguarit e tjerë para tij dhe popujt e tyre që nuk u bindeshin kurrsesi. Pas njëfarë kohe, Zoti (xh.sh.) i shkatërronte fare popujt e tillë. Profeti Nuh, Salih, Hud, popujt e tyre. Që të gjithë kishin këmbëngulur në inatin e tyre duke mohuar të drejtën. E që të gjithë e kishin pasur fundin e tmerrshëm. Mendoi se edhe popullin e vet mund ta priste i njëjti fund. Ndëshkimi hyjnor mund të vinte mbi çdo popull. Mendoi se tashmë detyra e tij kishte marrë fund, ky mision kaq ishte dhe vendosi të braktiste qytetin.

Ndërsa largohej prej qytetit pa e kthyer as kokën nga pas, Junusi (a.s.) jetonte në brendësi të një furtune të vërtetë. Ishte i zemëruar dhe i trishtuar. Zemra i ishte ndrydhur. Kur arriti në bregdet, vendosi të hipte në një anije dhe të shkonte diku tjetër. Ku i dihej, ndoshta atje mund të gjente zemra më të buta e njerëz më të mirë se këta që po linte pas. Junusi (a.s.) mendonte se edhe vullneti i Zotit ishte në këtë sens. Por Zoti nuk e kishte urdhëruar atë të largohej nga ai qytet. Ai duhej të priste gjersa ta merrte një urdhër të tillë. Ndoshta po vepronte pak herët.

Dielli rrëshqiste drejt horizontit të perëndimit. Anija ku do hipte Junusi ishte ankoruar pranë një limani të vogël. Ndërsa priste në breg të detit të afrohej ora e nisjes, pa një peshk të vogël që përplasej pa ditur nga të shkonte mes dallgëve që rrihnin bregun me gjithë fuqinë. Ai ikte herë majtas e herë djathtas, por nuk shpëtonte dot nga goditjet e dallgëve. Më në fund, trupi i brishtë i peshkut të vogël nuk i rezistoi përplasjes dhe mbeti pa jetë mbi shkëmbinjtë e bregut. “Ku i dihet, mendoi me dhimbje, po të kishte pasur pranë një peshk të madh, nuk do të pësonte këtë fund!”

Pastaj mendoi për veten. Si e kishte braktisur popullin e vet?! Aq më tepër që ata kishin aq nevojë për të. I erdhi në mend sjellja e tyre, inati dhe kokëfortësia me të cilën i ishin përgjigjur. Nisi të qante me një trishtim e dhimbje të thellë. I vinte shumë keq për ata që e kishin përgatitur fundin e tyre me duart e veta.

Kur erdhi ora e nisjes, hipi në anije. Velat u frynë nga era dhe nisën lëvizjen. Kur pa sjelljen e çuditshme e të tërhequr të Junusit, si dhe pikëllimin që i lexohej në sy, kapiteni mendoi për Junusin (a.s.) se mos ishte ndonjë kriminel që ikte pa lënë gjurmë dhe veç si e si të parandalonte hipjen e tij në anije, i tha një çmim disa herë më të lartë se normalin. Junusi e pranoi çmimin që i dhanë pa më të voglin kundërshtim. Çfarëdo të ishte çmimi, donte të ikte me çdo kusht nga vendi ku mbretëronte errësira e njerëzit shpirterrët.

Në një vend të mistershëm të detit, në pikë të errësirës së natës, ndërsa anija rrëshqiste mbi valë, nisi një furtunë e hatashme. Deti nisi të ulërinte e të shkrumbonte. Dallgë të larta sa një mal nisën të rrihnin anijen me gjithë fuqinë, duke e lëkundur sa majtas-djathtas. Anija e kishte humbur kontrollin fare dhe i ishte dorëzuar vullnetit të dallgëve, që luanin me të si të ishte një fije kashte. Pas pak, dallgët thyen direkun e anijes, ndërsa velat ishin bërë copë. Deti i tërbuar nuk kishte aspak mëshirë, dukej sikur gjithçka ishte përqendruar për të copëtuar atë anije të