Nga Kristjan Pashollari27 Sht 2023 4.2k
Të tjera

Profeti Nuh (a.s)

Pas vdekjes së Profetit Adem (a.s) kaluan shumë vite. Para se të lindte Nuhu, në botën tonë jetuan edhe pesë njerëz të mirë, që mësuan rrugën e drejtë. Ata quheshin Ved, Suva, Jagus, Jeuk dhe Nesr. Pas vdekjes së tyre, njerëzit ngritën përmendoret e tyre që të mos i harronin.

Brezat u ndërruan, vdiqën baballarët e u lanë vendin bijve, gjeneratat ndoqën njëra- tjetrën. Por brezat e mëvonshëm e harruan shkakun e vërtetë të ndërtimit të këtyre përmendoreve. Shejtani ishte gjithmonë i gatshëm për të prishur mendjen e njerëzve dhe më në fund, ia arriti t’i bindte se ata statuja ishin perenditë e tyre. Njerëzit nisën t’i adhuronin këto statuja, madje gdhenden edhe të tjera.

Biri i njeriut kishte harruar Krijuesin e vërtetë dhe kishte nisur të adhuronte idhujt. Kjo shuajti çdo vezullim; çdo bukuri në botë e humbi kuptimin, një errësirë shpirtërore përfshiu githçka dhe gjithësia humbi sensin e saj të vërtetë. E keqja ishte në pushtet, jeta i ngjante një ferri të egër.

Kjo është natyra kur harrohet Zoti i vërtetë dhe njihen për zot të tjera gjëra, qofshin këto statuja prej guri, qofshin kafshë a objekte të punuara ne ar, qofshin njerëz.

Në një atmosferë të tillë, Zoti u dërgoi bijve të Ademit, Nuhun, për t’i thirrur në rrugë të drejtë, për t’iu kujtuar mesazhin e vet dhe për t’i udhëhequr drejt së mirës.

Nuhu nuk ishte as mbret dhe as ishte pjesë e ndonjë shtrese të lartë të shoqërisë. As nuk kishte ndonjë pushtet të mbështetur në pasuri. Por, pa diskutim, ishte njeriu më i madh i asaj kohe. Madhështia është një veti që nuk matet as me pasuri, as me pushtet, as me forcë, por është ajo veti sublime humane e pajisur me kthjelltësinë e zemrës, pastërtinë e ndërgjegjes dhe lartësinë e mendimeve që zbukurojnë botën e idealeve të tij.

Besimi i sinqertë dhe mirënjohja që ushqente ai për Krijuesin e tij, ia shtonte edhe më fort madhështinë këtij njeriu të mirë. I Fundit i Lajmëtarëve do e kujtonte Nuhun me fjalët që Zoti e përmendte në Kuran: “Ai ishte një rob i vërtetë që falenderonte Zotin pa pushim” 

Robin e vet mirënjohës, Zoti e zgjodhi për profet. Dhe ai, pa përtuar, ditë e natë, ftoi njerëzit në rrugë të drejtë. Foli me ta në gjuhën më bindese. Nuk la asnjë rast pa i njoftuar për Krijuesin e vërtetë dhe për vlerat e larta njerëzore me të cilat Allahu e kishte pajisur njeriun.

“Adhuroni Zotin tuaj, o njerëz. Atë që është i vetëm dhe që ju ka krijuar. Duhet të ktheheni nga kjo rrugë pa fund ku keni hyrë. Duhet të keni frikë nga dënimi i Zotit.”

Pa u lodhur, pa përtuar, pa u mërzitur, Nuhu vazhdoi t’i fonte njerëzit në rrugë të drejtë. U shpjegoi se nuk ishin në rrugë të drejtë, se kishin rënë në kurthin e shejtanit. Kishte ardhur koha të sistemonin jetën e tyre dhe të ishin më të kujdesshëm e më njerëzorë. U tregoi për vlerën e madhe të cilën Zoti i kishte dhënë njeriut, për virtytet e larta me të cilat e kishte stolisur, si e kishte krijuar në formën më të bukur, si kishte krijuar gjith ato mirësi për të plotësuar më së miri çdo nevojë të tij. I ftoi të vinin në punë arsyen, se nuk kishte si të ishin zota, ato objekte të ngurta që ata adhuronin, se mendja e tyre po humbte duke humbur edhe shpirtin pas idhujve që nuk ofronin asgjë.

Të gjithë e digjonin të heshtur profetin Nuh. Fjalët e tij kishin rënë si rrufe në mendjet e tyre të mpira. Mendoni një njeri, që e ka zënë gjumi në cep të një muri i cili është në të shembur. Një kalimtar, i cili e ka vënë re rrezikun që e pret, vrapon ta zgjojë. E shkund nga supet, i thërret, e tërheq. Mirëpo, ai i gjorë, jo vetëm që nuk i ve vesh dhe nuk do t’ia dijë për rrezikun që e pret, por i kthehet gjithë zemërim atij që e zgjoi, duke i bërtitur se i kishte prishur gjumin. Kjo ishte pozita e njeriut të mirë Nuh (a.s.) me njerëzit e tij…

Froni i ligësisë në botë kishte nisur e po tundej nga themelet prej fjalëve gjithë dashuri të profetit Nuh. Fara e urrejtjes nuk po nxinte më si më parë. Pushteti i dhunës po tronditej.

Mesazhi i Nuhut (a.s.) pritej mirë nga njerëzit e mirë, të shtypurit, të varfrit, por kurrsesi s’mund të gjente mbështetje nga të këqinjtë, shtypësit, mizorët.

Nuk donin kurrsesi që ingranazhi shoqëror i ndërtuar të prishej. Ata ishin të pasur, e kishin vënë këtë pasuri duke shtypur të varfrit, duke grabitur e plaçkitur, duke mashtruar njerëzit në emër