(1946-2021)
Paqja dhe qetësia që të ofron e sotshmja, duke qenë në atdheun tënd, në shtëpinë tënde, i lirë për të zgjedhur, i lirë për të praktikuar fenë dhe besimin, përtej gjithçkaje, i sigurt, nuk duhet marrë kurrsesi si e mirëqenë, ngaqë, është punuar me shumë mund e sakrificë, nga atdhetarë, burra e gra të ndershme, në kohëra të vështira trazirash, ndalimesh, e luftërash, për të nxjerrë në dritë kohën e paqes dhe të lirisë për brezat e ardhshëm. Këta ishin njerëz që i qëndruan besnikë të vërtetës, në kohëra kur, e vërteta nuk sillte veçse persekutim e vuajtje, e megjithatë, ndihma e Zotit është me ata që i qëndrojnë besnikë të vërtetës dhe të drejtës.
Rexhep Boja, ishte ndër ata njerëz të mirë e të vendosur, që pati një gamë të madhe veprimtarish të begatshme, asokohe kur Kosova ishte nën vuajtjet e shkaktuara prej gjenocidit dhe uzurpimit serb. Ai tërë jetën ia kushtoi ngritjes dhe avancimit të jetës fetare, e krahas kësaj, ka dhënë një kontribut të paçmuar për shtetëzimin e Kosovës.
Që të njohim biografinë e tij, në vija të përgjithshme, Rexhep Boja lindi më 20 qershor 1946 në fshatin Kërrnicë të Klinës. Që në vegjëli spikati për mprehtësinë në të mësuar dhe në të qenit i prirur për dije, e kësisoj nuk iu nda udhës së diturisë. Studimet universitare i kreu në Universitetin Islamik të Medinës, në Mbretërinë e Arabisë Saudite. Po në Medine i kreu edhe studimet postdiplomike – përfundoi studimet e nivelit master më 1981 me temën “Shqiptarët (Arnautët) dhe Islami”, ndërsa më 1985 u doktorua me temën “Myslimanët në Jugosllavi”.
Pas përfundimit të doktoraturës, më 1986 ai kthehet në Kosovë, ku fillon punën si imam në Pejë, një detyrë që ai do ta kryente më së miri gjatë viteve. Aty ai njihet më nga afër me bashkëkombasit e tij përreth tryezës së bisedimeve të përzemërta, ku shkrihen shpirtrat bashkëvuajtës, si dhe rreth dritës së ligjëratave në xhami, e në të njëjtën kohë, do të angazhohet edhe si pedagog në Medresenë “Alaudin” në Prishtinë deri më 1990. Në 1991 zgjidhet kryetar (titulli asokohe quhej Myfti, pasi ishin ende nën Rijasetin jugosllav) i Bashkësisë Islame të Kosovës. Ishte kontributi i tij i pashoq si myfti, duke çarë përmes vështirësive të asokohshme, kundrejt presionit politik e luftarak që ia behte nga të gjitha anët, si edhe duke pasur mbështetjen edhe të intelektualëve myslimanë të tjerë, bëri të pavarësohet Bashkësia Islame nga ajo e Jugosllavisë. Në dhjetor të vitit 1993, nën udhëheqjen e Bojës, BIK vendosi të shkëputej nga RIJASET-i i atëhershëm duke shpallur kështu mëvetësinë e saj. I nderuari Boja do ta udhëheqë këtë institucion deri në vitin 2003, duke konsoliduar kështu edhe udhën për brezat që do ta pasonin atë, që të përmbushnin misionin fisnik që njeriu ka në tokë, që të jetë kalif i Zotit, duke urdhëruar për të mirë, duke ndaluar nga e keqja dhe duke siguruar besimin dhe jetesën e njerëzve.
Ai ishte një udhëheqës i urtë, i cili, duke qenë në krye të Bashkësisë Islame në vitet më të vështira nëpër të cilat po kalonte Kosova, ndikoi që solidariteti, besimi dhe paqja ndërmjet qytetarëve të Kosovës të kultivoheshin e të thelloheshin më tej.
Përveç kontributit të shquar fetar, do të mbahet mend edhe për angazhimin e tij kombëtar. Është për këtë arsye që ai, siç do të përmendim në vijim, ka pasur edhe poste në diplomacinë e shtetit të Republikës së Kosovës.
Rexhep Boja është ndër themeluesit e Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, ku ka ligjëruar për vite me radhë në lëndët: Fikh dhe Dave. Gjithashtu, ka qenë dekan i këtij fakulteti që nga viti 1992 deri më 2011.
Gjatë kohës sa ishte në krye të Bashkësisë Islame të Kosovës ka marrë pjesë në mbi 150 konferenca, simpoziume e takime të niveleve ndërkombëtare ku ka dhënë një kontribut të çmuar.
Ka kryer edhe një varg detyrash të tjera fetare e shtetërore me rëndësi, siç janë: Këshilltar i Ministrit të Shëndetësisë të Kosovës; koordinator zyrtar për aktivitetet bamirëse dhe njerëzore në shtetet arabe; anëtar në Këshillin e Lartë Botëror për xhamitë në Ligën e Botës Islame; anëtar në Këshillin Transitor kosovar të formuar nga OKB-ja; anëtar i Rijasetit në Sarajevë në Federatën jugosllave; anëtar në Këshillin Shura për Euroazi.
Rexhep Boja është autor i shumë studimeve në fusha të ndryshme, me të cilat është paraqitur në konferenca e simpoziume, si dhe i artikujve të shumtë që janë botuar në gazeta e revista vendore e ndërkombëtare në gjuhën shqipe, arabe e ang


