Nga Kristjan Pashollari30 Sht 2022 1.4k
Të tjera

Roli i krerëve fetarë myslimanë në unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe më 1908 

“Ishte, pra, një ngjarje e re për ne kjo mbledhje, ku pamë shqiptarë të ardhur nga veriu e nga jugu, nga lindja e perëndimi, ku pamë krah për krah gegë e toskë, të krishterë dhe myslimanë, hoxhë dhe priftërinj.” (Mithat Frashëri)(1)
Kështu do të shkruante në një editorial, që do ta botonte në gazetën “Lirija” më 1908, kryetari i Kongresit të Manastirit, Mithat Frashëri.
Derisa i pari i këtij Kongresi, e vë në pah prezencën e krerëve tanë fetarë në këtë ngjarje të rëndësishme për kombin shqiptarë, historiografia shqiptare, posaçërisht ajo e periudhës komuniste, rolin e tyre mund të thuhet në përgjithësi e ka anashkaluar. Propaganda moniste, përmes botimeve zyrtare shkoj deri në atë shkallë duke nxjerr artikuj si: “Roli reaksionar i klerit ndaj problemeve të alfabetit (1879-1912)(2) etj.
Në periudhën e monizmit u botuan botime e materiale të veçanta për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe kur ishte fjala për krerët tanë fetarë u seleksionuan dhe u botuan vetëm ato materiale ku flitej kundra kësaj shtrese.(3)
Rrjedhimisht edhe “Historia e Popullit Shqiptarë” e viteve të 60-ta dhe me vonë e ribotuar në Prishtinë në dy vëllime, kësaj shtrese nuk është se i kushtojë vëmendjen e duhur.(4) Në përgjithësi, perceptimi për këtë shtresë në këtë ngjarje të rëndësishme, u përshkrua nga diskursi negativ.
Pas viteve të 90-ta, për rolin e krerëve tanë fetarë në këtë ngjarje, nga disa studiues u shkrua me intensitet të shtuar për veprimtarinë e tyre, por prapë në mënyrë selektive, duke vështruar në pjesë të krerëve fetarë të një komuniteti të caktuar dhe pjesa tjetër disi u anashkalua.
Por, ti kthehemi temës të cilën e kemi marrë në trajtim, pra duke e vënë fokusin tonë në rolin e krerëve myslimanë të kësaj ane në këtë ngjarje.

Roli i krerëve fetarë myslimanë në Kongresin e Manastirit më 1908 sipas Mithat Frashërit dhe Gjergj Qiriazit

E potencuam edhe më lart se kryetari i Komisionit të Kongresit të Manastirit, Mithat Frashëri, nuk e fsheh entuziazmin e tij për pjesëmarrjen e krerëve fetarë në këtë ngjarje. Për më tepër, ai edhe në ditarin e tij, të cilin e boton në gazetën “Lirija” më 1908, shkruan se në këtë ngjarje pritet të vij edhe Haxhi Vildan efendi Dibra,(5) i dërguar nga klubi i shqiptarëve të Stambollit dhe misioni i tyre sipas Mithat Frashërit ishte “për të dhënë këshilla në Shqipëri”.(6) Pra, kuptohet se ky komision këshillëdhënës i dërguar nga shqiptarët e Stambollit siç edhe shihet në dokumente, kishte për detyrë të jepte këshilla në lidhje me çështjet e alfabetit.
Në ditën e tetë të punimeve të këtij Kongresi, sipas Mithat Frashërit, fjalën kryesore në këtë ditë e kishte Haxhi Vildan Dibra, duke bërë fjalë për rrethanat politike e shoqërore të kohës. Pas fjalës së Haxhi Vildanit, në këtë ditë kishin folur edhe të tjerë të pranishëm në këtë ngjarje, për ta marrë në fund fjalën prapë Haxhi Vlildani, i cili gjithmonë sipas shënimeve të Mithat Frashërit, në mes të tjerash kishte folur edhe për mos pengesat e të mësuarit të fesë islame me alfabetin jo arab.(7)
Si raporti më i besueshëm në lidhje më këtë ngjarje, të cilit raport i janë referuar dhe akoma vazhdojnë t'i referohen studiuesit e huaj dhe vendorë që merren më të kaluarën e shqiptarëve, është ai i Gjergj Qiriazit i vitit 1909 në lidhje me këtë ngjarje. Ky raport, u dërgua në ministrinë përkatëse austro-hungareze, disa javë pasi ishte mbajtur Kongresi. Krahasuar me të dhënat që ofron Mithat Frashëri në ditarin e tij, raporti i Gj. Qiriazit dukej më i plotë, me më shumë të dhëna. Bie fjala, edhe te Mithat Frashëri edhe te Gj. Qiriazi përmendet si delegatë nga Shkupi në këtë Kongres hafëz Ibrahim Shkupi, por Gj. Qiriazi në lidhje më personalitetin e hafëz Ibrahim Shkupit në këtë ngjarje shënon edhe këtë veprim. Në ditën e tretë të zhvillimit të punimeve të Kongresit në mesin e delegatëve prezentë, kishte folur edhe Gjergj Fishta, i cili kishte potencuar rëndësinë e të shkruarit të gjuhës shqipe me një alfabet, fjalim ky, sipas Gj. Qiriazit kishte lënë përshtypje te të pranishmit. Pas zbritjes së Gjergj Fishtës nga podiumi, për të pranishmit kishte lënë përshtypje veprimi i hafëz Ibrahim Shkupit, i cili pas mbarimit të fjalës së Gjergj Fishtës, hafëz Ibrahim Shkupi i del para “u sul drejt tij, e përqafoi dhe me lot në sy e puthi. Një skenë e tillë, në prani të 300-400 njerëzve, nga të cilat 3/4 ishin myslimanë, la përshtypje të thellë te të gjithë”(8)- shkruante në mes tjerash Gj. Qiriazi.
Në raportin e Gj. Qiriazit përmendet edhe ardhja e Haxhi Vildan efendi Dibrës në ditën e shtatë të mbajtjes së punimeve të këtij Kongresi, ndërsa për ditën e tetë e vë në dukje rolin e Haxhi Vildan efendi Dibrës në përkrahjen për unifikimin e alfabetit dhe kontributin e tij në argumentimin se shkrimi latin nuk është i ndaluar për shqi- ptarët siç kishin pretenduar disa, por feja mund të mësohet edhe nga shkrimet me shkronj