Debati rreth çështjes së mbulesës së gruas që Islami përfshin në urdhëresat fetare, nuk ka qenë ndonjëherë debat me nivel konstruktiv dhe me sinqeritet, porse më shumë sheh këndvështrimet e estetikës dhe të feminizmit në bazë interesash, dhe me të njëjtën formë, rikthehet herë pas here në përditshmëri. Madje çuditërisht, kjo tematikë, më shumë vë në angazhim burrat. Ata që polemizojnë duke e kundërshtuar si urdhëresë, nuk e kanë hallin tek e mira e modelit të gruas, as të fëmijëve nëpër shkolla, sepse gjithë ky ngërç që po kalon sistemi i arsimit në vendet tona shqiptare, nuk lë hapësirë për debate të tilla. Këto qëndrime dhe projektligje nuk janë as atdhetare, se gratë e modelit tradicional shqiptar nuk janë zhveshur ndonjëherë, e me këtë logjikë do na duhet të shkojmë gjer në prehistori. Thjesht as nuk kanë ndonjë filozofi tjetër, apo argument, përveç logjikës së tyre, që e shumta është e ngjyer me demagogji e cila, nuk bën kuptim po të shohim, me të njëjtën logjikë, raste të tjera ku sot modeli i gruas është ikonë e marketingut duke shfrytëzuar tërheqjen pamore që trupi i saj i zhveshur (gjysmë, apo gati-gati krejt…) ka për syrin njerëzor.
Pra, kemi sërisht një rast ku disa njerëz me opinionin e tyre dalin e propozojnë modelin e tyre se si duhet të vishet gruaja apo vajza në shkolla dhe në ambjente publike, dhe që mohojnë modelin fetar të paraqitur prej Zotit.
Sigurisht, në rrjetet sociale të gjithë mund të japin mend, por këtu rasti në fjalë është rreth mendimit që disa të quajtur si analistë, gazetarë, apo edhe politikanë që kanë qasje në media dhe në një masë të gjerë audience, kanë mbajtur e vazhdojnë të mbajnë qëndrime që në të vërtetë nuk janë pjesë e ndonjë filozofie konkrete, por janë thjesht pasojë e islamofobisë dhe kjo shfaqet qartë. Kjo gjë tashmë po rritet gjer në nivel politikash e ligjesh shtetërore, gjë që cënon të drejtat dhe liritë e individit.
Specialistët e marketingut, për shembull, e dinë mirë se trupi i një gruaje me hiret dhe hijeshinë e shtatit është tërheqës për syrin, mirëpo, kur u prishen interesat dhe kur vjen puna tek feja, dalin e kundërshtojnë se nuk na qenkësh tërheqës, e që na qenkësh, përnjëmend, njëlloj më të burrit, dhe me nuancat e feminizmit kërkojnë njëfarë barazie, në një shoqëri ku vajzat janë në pjesën më të madhe të klipeve muzikore duke kërcyer e bërë gjeste alla pornografikshe e që u paraqiten si model të rinjve e të rejave, janë në cdo reklamë e poster të afishuar, sidomos gjatë verës, kuptohet. Po si nuk i shqetësuakan këto të fundit, por i shqetëson mbulesa që në Islam është zgjedhje e individit?
Emisionet televizive janë një tjetër shembull se si modeli i vajzave dhe i gruas keqpërdoret dhe u paraqitet si ideal të rinjve e të rejave, ku ndërkohë ato lloj emisionesh nuk kanë asnjë pikë morali dhe etike, janë shthurje dhe djallëzi e gjallë! Madje aktualisht një peticion shumë i duhur po qarkullon për të ngritur zërin e qytetarëve kundër këtyre pahijeshive që televizionet po u servirin teleshikuesve.
Duhet të kuptojmë se nuk është e lehtë të lozësh me çështjen e lirisë në kohët e sotme ku po i vëzhgojmë mirë sjelljet njerëzore nën pretendimin modernist të konceptit të lirisë. Ka gjëra të dëmshme atje jashtë që sjellin pasoja negative sociale e psikologjike në dëm të individit dhe shoqërisë. Nuk mund të heshtim ndaj këtyre ndikimeve jo të sakta e të bazuara në hamendje individësh me diploma.
Islami është emërtimi dhe cilësia e një përmbledhjeje vlerash të përkryera e të pareduktueshme, pa kurrfarë të mete a mangësie, e cila do t’i përgjigjej çdo nevoje të çdo shoqërie që ka ardhur dhe do të vijë mbi rruzull gjer në kiamet. Për rrjedhojë, kush bën pjesë në këtë fe duhet të jetë pandërprerë në kërkim të përsosurisë dhe plotërisë, me një fjalë, të asaj ç’është e përkryer e që nuk ka as të metën më të vogël.
Mbulesa për gruan është urdhër i qartë i Allahut në Kur’an dhe vjen fill pas një ajeti që në fillim urdhëron besimtarët që të mos shikojnë e të hapin sytë drejt grave e vajzave në mënyrë të pakontrolluar dhe të bien pre e asaj tërheqjeje që folëm më lart e që askush nuk po e konteston në ditët e sotme, madje ajeti u thotë edhe burrave që mbulojini pjesët e trupit tuaj deri në njëfarë mase të caktuar, e pas kësaj, Allahu thotë: “Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stol


