Nga Haki SAHITAJ

HYRJE
Për Islamin dhe muslimanët është folur për katërmbëdhjetë shekuj. Por ajo që është thënë gjatë dy shekujve të fundit është një qasje e ndryshme nga ajo që është thënë dhe menduar më parë. Kjo sepse periudha koloniale që përjetuan muslimanët shkaktoi lëkundje duke filluar nga pikëpamjet e besimit, moralit, mënyrës së të menduarit, arsimit, industrisë, zakoneve, traditave e cila më në fund arriti kulmin e saj me një poshtërim politiko-ushtarak në shek. XIX.[1] Dukej se diçka kishte shkuar keq me botën[2], kështu që u bë e qartë se mënyrat tona të perceptimit të historisë, fesë dhe botës në përgjithësi duhej të rishikoheshin.[3] Prandaj, nga kjo kohë e tutje, shumë figura dhe lëvizje filluan të shfaqeshin në skenë që kërkonin ixhtihad të ri dhe reforma në shkallë të gjerë. Shekulli i njëzetë solli gjithashtu sfida të njëpasnjëshme që ndryshuan si Lindjen ashtu edhe Perëndimin. Por problemet që ndodhën në botë, kryesisht pas përfundimit të Luftës së Ftohtë deri më sot, janë të lidhura ngushtë me elementët islame.[4] Ngjarjet terroriste në emër të fesë, luftërat e vazhdueshme në Lindjen e Mesme e kanë bërë fillimin e shekullit XXI një kohë të vështirë për botën islame. Islami sot po përballet me sfida nga brenda dhe nga bota e gjerë përreth tij. Por problemet kritike janë tensionet themelore brenda Islamit dhe muslimanëve. Qëndrimet dhe kritikat e përbashkëta në botën e jashtme mund të injorohen si të gabuara ose armiqësore, por tensionet brenda Islamit në të gjithë botën duhet të ballafaqohen.
SFIDAT NDAJ MUSLIMANËVE NË SHEK. XXI
Deri më tani nuk mund të gjeja një fillim më të mirë dhe ndoshta një arsye më të qartë pse duhet të fillonte një diskutim tjetër, një artikull tjetër ose analizë në lidhje me problemet e muslimanëve, sesa ai i shprehur nga Ali Shariati se:
“Viteve të fundit, shumica e intelektualëve kanë filluar të mendojnë se nuk ka kurrfarë dobie nga përmendja e halleve dhe nga diskutimi. Deri më tani pa bërë asgjë, pa ndërmarrë asnjë aksion, vazhdimisht kemi folur dhe diskutuar për hallet dhe brengat tona. Për këtë arsye duhet ta lëmë më të folurit. Gjithsecili duhet t’ia fillojë punës për të përmirësuar familjen, ambientin dhe vendin ku jeton. Qëndrimi im është se këto mendime bazohen në supozime të gabuara. Sepse me të vërtetë deri më tani nuk kemi folur shumë, nuk kemi diskutuar për hallet tona dhe asnjëherë nuk i kemi shikuar nga aspekti shkencor. E tërë ajo që e kemi bërë deri më tani nuk ka qenë asgjë tjetër përpos ankim dhe rënkim dhe qartë dihej se askush nuk do të ketë dobi nga një gjë e tillë. Problemet sociale dhe psikologjike nuk i kemi diskutuar deri më tani ashtu si duhet.”[5]
Krahas shumë intelektualëve, akademive, instituteve të cilat flasin në emër të Islamit dhe muslimanëve edhe tek ne ndihen zëra të cilët bëjnë thirrje për të reflektuar për natyrën e sfidave në shek. XXI. Nexhat Ibrahimi është një nga figuarat më të shquara nder ne sa i përket këtyre çështjeve. Në përgjithësi, punimet e tij gjithmonë përqendrohen në këto aspekte, dhe puna e tij e fundit “Sfidat ndaj muslimanëve në fillim të shekullit XXI” e bëri këtë aktivitet më të plotë.
Aq komplekse është koha jonë sa pak kush mund të shpreh me bindje të plotë se tashmë kemi një rrugë të qartë se si duhet të sillemi dhe përgjigjemi kohës tonë.[6] Prandaj, kjo vepër e botuar së fundmi është më shumë një përpjekje ose një thirrje për meditim, analizë, autokritikë të marrëdhënies sonë me fenë, historinë dhe asaj çfarë na ofron kultura aktuale.
Bazuar në titull, libri i Naxhat Ibrahimit zbulon disa nga sfidat që vazhdojnë të jenë të rëndësishme edhe sot. Siç shkruan edhe vetë Ibrahimi në fjalën hyrëse se shek. XXI pritej të ishte një shekull i paqes botërore, por që këto parishikime nuk dolën të jenë kështu edhe për botën muslimane (fq. 7). Edhe pse i referohet shek. XXI nga përmbajtja e librit mund të shohim se për aq sa kemi sfida të reja shumë prej tyre në fakt janë nga e kaluara e largët. Imazhi i deformuara që të krishteret e hershëm patën karshi Isl


