Nga Kristjan Pashollari3 Pri 2023 2.2k
Të tjera

TENDENCA - IMAMI - MINBERI - Elton Karaj


Nga Elton Karaj*
'TRENDLLËKU NË IMAMLLËK DHE MINBER' ose TENDENCA - IMAMI - MINBERI

Ligjërimi në xhami, ku në radhë të parë vjen patjetër hytbeja e të premtes apo ato të namazeve të bajrameve, klasifikohet në kategorinë e kryerjes së një detyre profetike, sepse ligjëruesi i parë është profeti, në rastin e myslimanëve Profeti Muhamed (a.s). Çdo profet ka pasur si detyrë kryesore përçimin e mesazhit hyjnor, të cilin e kryenin me anë të ligjërimit.

Kështu, në Islam ligjërimi nuk është thjeshtë një fjalim, por ka fituar cilësinë e një detyre të shenjtë, e cila është njëkohësisht pjesë e pandashme e detyrës së imamit. Pra thuajse gjithmonë imami është edhe hatib (ligjërues).

Pavarësisht se në epoka të ndryshme hytbeja ka pasur funksione të ndryshme, sot ajo ka një funksion të vetëm: Këshilla, mësimi dhe rikujtimi i çështjeve fetare e morale. Edhe fetarisht ky është thelbi i hytbes. Çështjet politike, ekonomike apo shkencore nuk janë temë e saj.

Këtu duhet të theksojmë diçka shumë të rëndësishme: Vendi i hytbes është xhamia. Prandaj çdo imam e përzgjedh temën duke pasur parasysh nevojën e dëgjuesve të së premtes dhe e trajton atë në nivelin e tyre.

1 - Ligjërimi në xhami

Pas kësaj hyrjeje disi të gjatë të vimë tek tema kryesore: ligjërimi përfshin edhe anën vizuale të imamit, që ka të bëjë me pamjen e tij të jashtme, pra kryesisht me veshjen. Mesazhi jepet edhe me zë, edhe me figurë. Madje impakti i parë me ligjëruesin është ai vizual.

Përderisa tema e imamit do të jetë në një fushë të caktuar, siç është këshilla fetare e morale, edhe veshja e tij do të jetë sipas ambientit ku ai ligjëron. Çdo pozicion dhe detyrë ka kodin e vet të veshjes dhe s’ka asgjë më të natyrshme se kjo.

Edhe xhamia ka një kod veshjeje të formësuar në kohë sipas kulturës fetare, ku bie në sy xhybeja dhe çallma. Krahas të qenit e pastër dhe e rregullt, thjeshtësia, veshja e gjerë në trup dhe mbulimi i kokës, përbëjnë tri karakteristikat thelbësore të uniformës së imamit në xhami. Një ligjërues me veshje të çrregullt e të papastër, apo me një veshje që bie tepër në sy, shumë të ngushtë dhe sidomos pa një çallmë në kokë, tërheq në formë negative vëmendjen e dëgjuesve.

Mes dëgjuesit dhe ligjëruesit apo imamit nevojitet të ketë dallim vizual. Kjo i jep atij hijeshi, e nderon dhe shton respektin e njerëzve. Por njëkohësisht ruan edhe nderin dhe respektin ndaj detyrës që bën. Sepse të jesh imam dhe ligjërues në xhami nuk është një punë private, ku ne mund të sillemi dhe të vishemi ‘si ta shohim të përshtatshme’. Njëkohësisht imami ka një veshje, që e dallon nga xhemati, por nuk e dallon atë nga imamët e tjerë.

Në këtë aspekt, imami duhet të ruajë traditën standarde që kanë përvetësuar në përgjithësi klerikët e vendit të tij. Çdo lëvizje ndryshe, si neglizhenca por edhe format e reja në papërpuethshmëri me standardet tradicionale, janë të panevojshme dhe tregojne që personi është në kërkim të diçkaje tjetër jashtë kauzës së ligjërimit të hytbes së të premtes.

2 – Ligjërimi në rrjetet sociale

Prezenca në rrjetet sociale është një fenomen sa i dobishëm, po aq edhe me përgjegjësi. Tashmë është shumë e thjeshtë të regjistrosh një hytbe dhe ta postosh në mediat publike. Ky është kthyer në një synim të rëndësishëm, madje shumë herë edhe primar, për ligjëruesit e të premtes. Por ja që në këtë rast përballemi me dy problematika thelbësore që dëmtojnë kauzën e ligjërimit:

  1. Kur ligjërata është në funksion të dëgjuesve të së premtes, do të thotë që tema është përzgjedhur dhe përgatitur për një numër të limituar dëgjuesish, sipas karakteristikave dhe nevojave të tyre, kështu që kur bëhet publike në masë mund të lindin keqkuptime të mëdha, gjë që edhe ka ndodhur dhe janë bërë diskutime të gjera.
  2. Kur ligjërata është në funksion të rrjeteve sociale, atëherë mund të jetë e padobishme dhe e pavend për dëgjuesit e të premtes.

E njëjta gjë vlen edhe për veshjen. Kur prezantohesh para xhematit të xhamisë, ku do të drejtosh edhe namazin, ko