Me të lindur dielli, mbi tokë fillojnë miliona e miliarda lëvizje… makina, trena, aeroplanë, fakse, posta elektronike, telefona, shkolla, universitete, klube, sektorë pune etj… Kjo fillon me lindjen e diellit gjer në perëndimin e tij. Të gjithë kërkojnë një gjë të vetme, të jetojnë të lumtur. E gjithë kjo lodhje, mundim dhe punë, me qëllim që të ketë një jetë të lumtur me njerëzit më të afërt.
Të gjithë e kërkojnë lumturinë, por askush nuk pyet mbi burimin e vërtetë të saj. Kush është ai që ia fal njeriut lumturinë në këtë botë? Kush është ai që e bën diellin të lindë dhe jetën të vazhdojë?
Lumturia është risk prej Zotit, prandaj le ta lusim Atë të na bëjë të lumtur. Vetëm Zoti e ka në dorë lumturinë tonë. Zoti thotë në Kuranin famëlartë: “…se Ai jep gazin dhe vajin”. (Nexhm, 43)
Ashtu siç është risk aspekti ekonomik, është risk edhe niveli i lumturisë në këtë botë. Secili prej nesh, le ta lusë Zotin t’ia bëjë risk të jetojë i lumtur. Është e çuditshme ndoshta, por vetë Profeti (a.s.) i kërkonte lumturinë Zotit, në lutjet e tij të mëngjesit dhe të mbrëmjes. Ai i lutej Zotit me fjalët: “O Zot! Unë të kërkoj të jetoj i lumtur, të vdes dëshmor dhe të shoqërohem me profetët. O Zot! Unë të kërkoj një jetë të rehatshme, një vdekje të ndershme dhe një mbyllje as poshtëruese dhe as skandaloze.”
Prandaj, udhëtimi ynë drejt lumturisë, është një mënyrë e re për të gjithë ata që ndihen të lodhur nga kjo botë dhe që kërkojnë lumturinë. Udhëtimi ynë drejt lumturisë, u kushtohet të gjithë atyre, të cilët ndihen në hall, të rinjve të pashpresë, të brengosurve etj…
Gjatë kontakteve të mia me të rinj, shpeshherë i pyes nëse ndihen të lumtur apo jo. Më kanë habitur përgjigjet e shumë prej tyre, të cilët më përgjigjeshin: “E çfarë do të thotë të jesh i lumtur? Si ta kuptoj nëse jam i lumtur apo jo?” Ndërkohë që shumë të rinj dhe të reja të tjerë, më përgjigjeshin: “Do të donim të ishim të lumtur, por nuk jemi të tillë. E si mund të jem i lumtur, kur nuk gjej askënd që të më kuptojë, të më mbajë pranë, të më vlerësojë dhe të mos më thotë se jam dështak dhe i pavlerë. Unë dua dikë që të më kapë për dore, të respektojë mendimet dhe idetë e mia, të më shtyjë drejt suksesit të mëtejshëm dhe të më dojë.”
Kurse të rejat më përgjigjen: “Unë do të doja që babai dhe nëna të më qëndronin pranë dhe të më falnin lumturi, por ata ka vite që janë ndarë.” Një tjetër thotë: “Unë do të doja dikë që të më dëgjojë, dikë që të më përkëdhelë dhe të më mbajë pranë, dua dikë që t’i flas dhe të më dëgjojë.”
Udhëtimi drejt lumturisë, nuk mund t’i zgjidhë të gjitha problemet dhe hallet tona. Ajo që mund të bëjmë përgjatë këtij udhëtimi, është të ndezim dritë dhe shkëndija shprese. Nëse të gjithë i ndjekim ato, mund të arrijmë lumturinë e kërkuar. Unë do të përpiqem të ndezim drita shprese, me burim hyjnor dhe profetik. Nëse ne veprojmë sipas porosive të profetit Muhamed (a.s.), të jeni të sigurt që do ta ndryshojmë jetën për mirë. Porositë e tij u ngjajnë pishtarëve të ndezur netëve plot errësirë. Kur Zoti e citon të dërguarin e Tij në Kuran, e përshkruan si nur (dritë).
“Juve ju erdhi prej Allahut dritë (i Dërguari) dhe Libër i qartë (Kurani).” (Maide, 15)
“Prandaj, ata që do ta besojnë, përkrahin dhe nderojnë atë, duke ndjekur dritën që është zbritur me të, pikërisht ata janë të fituarit.” (Araf, 157)
“O ju që besuat, ruajuni Allahut dhe besoni në të Dërguarin e Tij (Muhamedin), se Ai do t’ju dhurojë pjesë të dyfishtë nga mëshira e Vet, do t’ju japë dritë, me ndihmën e së cilës do të ecni dhe do t’ju falë; Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (Hadid, 28)
Besimi që kërkohet në ajetin e mësipërm, është besim që të ndriçon udhët e jetës.
Unë ju ftoj që udhëtimin drejt lumturisë ta përshkojmë së bashku. Përse të mos e provosh dhe këtë udhëtim? Gjatë jetës tënde, ke provuar shumë gjëra që të jesh i lumtur. Ti ke provuar pushimet, shëtitjet, udhëtimet, ke bredhur kushedi sa net me makinë deri në mëngjes, në kërkim të lumturisë. Kushedi sa net i ke gdhirë në facebook, duke parë foto e video të ndryshme, në kërkim të lumturisë së munguar. Ke provuar të kalosh me orë të tëra në chat, duke komunikuar me njerëz të ndryshëm. Ke provuar të shoqërohesh me vajza/djem, me qëllim që të ndihesh i/e lumtur. Ti o motër ke blerë kushedi sa çanta të reja, syze dielli, çizme mode, celularë të rinj, ke vënë thonj dhe qerpikë


