Nga Kristjan Pashollari8 Maj 2021 2.7k
Të tjera

Vlera e duasë për të pasur fëmijë dhe për ti pasur të hajrit

Vërtet, nga begatitë që Allahu i jep njeriut janë fëmijët. Këtë begati Allahu e thekson në Kuran dhe ua rikujton njerëzve duke e renditur ndër më kryesoret.

"All-llahu ju nxori nga barqet e nënave tuaja (si foshnje) që nuk dinit asgjë. Ju pajisi me (shqisa për) të dëgjuar, me të parë dhe me zemër, ashtu që të jeni falënderues" (En nahl: 78)

"Pasuria dhe fëmijët janë stoli e jetës së kësaj bote" (El kehf: 46)

Por, prindërve nuk u pushojnë sytë në fëmijë çfarëdo, i duan t'i kenë të hajrit, prandaj fetarët edhe përpiqen t'i edukojnë fëmijët sepse e kanë detyrë, edhe i luten Allahut t'u falë fëmijë të hajrit sepse dinë që Allahu i ka dhënë vlerë duasë të jetë ndër shkaqet më të forta që të dalin prej tyre fëmijë të tillë.

Qoftë nga përvoja e tyre me kuptimet e jetës, qoftë nga dijeni e inspiruar, të devotshmit, siç mësojmë nga Kurani, sa herë i janë lutur Allahut t'u falë fëmijë, gjithnjë kanë përcaktuar që ata të jenë të mirë.

Kjo vërejtje që lutjen për fëmijë ta shoqërojë përcaktimi ''çfarë fëmijë'', shtrohet si detyrë kujdesi që duhet ta përfillin besimtarët,sepse Allahu i ka motivuar të shpresojnë se mund ta kenë në dorë ndërtimin e perspektivës së pasardhësve dhe si të mos e përfillin një detyrë të këtillë nga e cila shpresohet diçka për të cilën ka aq shumë interes dhe përkushtim shpirtërorë.

Pra, Lutjen që t'i kemi fëmijët të hajrit duhet ta bëjmë edhe para se të na lindin ata.

Allahu thotë: "Edhe ata që thonë: "Zoti ynë, na bën që të jemi të gëzuar me (punën) e grave tona dhe pasardhësve tanë, e neve na bën shembull për të devotshmit"(El furkan: 74)

Ibnu kethiri gjatë komentimit të këtij ajeti thotë se fjala është për lutje që bëhet për fëmijë që do ta besojnë Allahun dhe që do t'i nënshtrohen sheriatit të Tij, kurse Ibnu Abasi thotë që fjala është për lutje që bëhet për fëmijë që do t'i nënshtrohen Allahut dhe në të cilët në dynja e në ahiret do t'u pushojnë sytë prindërve të tyre.

Kurani,-sikur me qëllim që të na heqë çdo mëdyshje tonën lidhur me vlerën e lutjes për të pasur fëmijë dhe për t'i pasur të mirë,- ka sjellë më shumë se një shembull nga historia e të dërguarve që i ishin lutur Allahut t'u falte fëmijë të mirë dhe të cilëve u është pranuar lutja, megjithëse kishin moshën kur zakonisht nuk bëhej më fëmijë.

Ibrahimi a.s., i shtyrë në moshë dhe gruan plakë, i ishte lutur Allahut: "Zoti im, më dhuro mua (një fëmijë) prej të mirëve!"(Es safat: 100)

Dhe Allahu ia kishte pranuar lutjen: "Ne e gëzuam atë me një djalë që do të jetë i butë (i sjellshëm)"(Es safat: 101)

Ibrahimi a.s., edhe pasi i lindnin, vazhdonte të lutej për fëmijët, këtë na e përshkruan Kur'ani për disa raste:

"(Përkujto) Kur Ibrahimi tha: "Zoti im! Bëje këtë qytet të sigurt dhe më mbro mua e bijtë e mi nga adhurimi i idhujve (statuja gurësh)" (Ibrahim: 35)

''...ndjenjëso zemra për ta (familjen e Ibrahimit) dhe jepu risk nga të mirat që të të falënderojnë''. (Ibrahim: 37)

''Zoti im na bëj falës të namazit mua dhe pasardhësit e mi dhe na prano o Zoti ynë duanë'' . (Ibrahim: 40)

Krahas shembullit të Ibrahimit a.s., duke e parë të nevojshme për natyrën njerëzore të sensibilizohet edhe më shumë për të vërtetën e mundësisë së gjithë ngjashme të interferimit hyjnor pas duasë, Kurani na bie dhe shembullin e Zekerijas a.s.i cili i ishte lutur Allahut t'i falte fëmijë me të cilin të ishte razi Allahu dhe të ishin razi njerëzit.

"... më fal nga ajo mirësia Jote një pasardhës (një fëmijë). Të më trashëgojë mua dhe t'i trashëgojë ata nga familja e Jakubit, dhe bëre atë, o Zoti im, të këndshëm! (të vyeshëm)!". (Merjem: 5-6)

Dhe Allahu i ishte përgjigjur lutjes së tij: "E duke u falur ai në faltore, engjëjt e thërrasin: "All-llahu të përgëzon ty me Jahjanë, që do të vërtetojë fjalën (Isain) e ardhur nga All-llahu, e që do të jetë prijës i matur dhe pejgamber nga të dalluarit"! (Ali -imran: 39)

I dërguari ynë a.s. lutej për fëmijë të myslimanëve dhe i orientonte myslimanët të luteshin për fëmijë të tyre ende pa u lindur.