Thursday 19-09-2024
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

10 ditët më të rëndësishme të vitit; 10-ditshi i parë i muajit Dhulhixhe

admin
  • Krijuar : 10-07-21
  • / 4024 Lexime

Ditën e nesërme është dita e parë e muajit të shenjtë Dhulhixhe. Brenda këtij muaji gjenden 10 ditët më të mira të vitit, vlera e të cilave është përcaktuar drejtpërdrejt nga Allahu dhe i Dërguari i Tij, Muhamedi (a.s.). Brenda këtij 10-ditshi, përkatësisht në ditën e 9-të dhe të 10-të, gjendet dy ditët më madhështore të vitit, Dita e Arafatit dhe Dita e Kurban Bajramit. Këto 10 ditë marrin një rëndësi të veçantë për shkak se është e vetmja kohë e vitit ku bashkohen të gjitha adhurimet themelore të Islamit si; namazi, zekati, haxhi, agjërimi, kurbani, etj.

Pika tjetër ku kuptohet qartë rëndësia e këtyre 10 ditëve është hadithi i njohur i Profetit (s.a.s.), ku ai thotë: “S’ka ditë të tjera ku puna e mirë të jetë më e dashur tek Allahu, sesa puna që bëhet në 10-ditshin e parë të muajit Dhulhixhe.” Në vazhdim të një hadithi të ngjashëm me tekstin e mësipërm, ai thotë: “Prandaj, shtoni brenda tyre dëshminë e njëjësisë, madhërimin e Zotit dhe falënderimin ndaj Tij.” Në këtë hadith tregohet qartë se 10 ditët më të mira të vitit janë 10 ditët e para të muajit Dhulhixhe. Pavarësisht sugjerimeve të ndryshme në lidhje me veprat e mira që bëhen brenda tyre, fraza “puna e mirë”, është lënë e përgjithshme, për të thënë se çdo vepër e mirë që bëhet brenda tyre është e dashur, me shumë vlerë dhe madhështi para Krijuesit të Lartësuar.

Nga Said ibn Xhubejr na rrëfehet se transmetuesi i hadithit të mësipërm, që është Abdullah ibn Abbasi, shfaqte një sjellje të veçantë në këtë stinë të begatë adhurimi. Ai thotë se Abdullahu do të mbyllej në shtëpinë e tij për adhurim dhe do të dilte jashtë saj ditën e parë të Kurban Bajramit. Kjo thënie e sjellë këtu, na tërheq vëmendjen rreth një zakoni të veçantë në adhurim, që është veçimi i njeriut me Zotin e Tij. Sidomos në ditët që jetojmë, ku koha jonë “vidhet” vazhdimisht nga gjëra të ndryshme si; puna, teknologjia, zbavitja, takimet me njerëzit, etj., kemi shumë nevojë t’i kushtojmë një rëndësi të veçantë edhe këtij zakoni, i cili pasuron së tepërmi botën shpirtërore të njeriut.

Së fundmi, do të përmendim disa vepra që këshillohen të bëhen në këto ditë të begata. Këto po i përmendim të përmbledhura në disa pika:

  • Kryerja në formë të plotë e gjitha obligimeve me të cilat na ka ngarkuar me përgjegjësi Zoti ynë.
  • Kryerja e sa më shumë nafileve, vepra vullnetare, të cilat na bëjnë të fitojmë afërsi me Krijuesin tonë dhe dashurinë e Tij.
  • Agjërimi brenda 10-ditshit të parë të këtij muaji dhe sidomos agjërimi i ditës së Arafatit.
  • Përmendja sa më shumë e Zotit të Gjithësisë nëpërmjet fjalëve që u theksuan në hadithin më lart, por edhe me mënyra të tjera të njohura të dhikrit.
  • Lëmosha, ndihma për familjet në nevojë dhe për këdo të cilit mund t’i zgjidhim një problem të caktuar.

Vazhdon…

urtesi.al

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2024 All rights reserved - Bota Islame