Friday 20-09-2024
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

"Duam të drejtat tona", Serbët protestojnë në Kosovë

admin
  • Krijuar : 25-03-22
  • / 4187 Lexime

Serbët e Kosovës kanë protestuar sot në Graçanicë dhe në Mitrovicë të Veriut kundër vendimit nga Qeveria e Kosovës për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë më 3 prill edhe në komunat veriore të Kosovës, ku ka shumicë të banorëve serbë.

Nënkryetari i Listës Serbe, njëherësh kryetar i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq tha në Graçanicë se mesazhi kryesor i protestës ishte "të ndalet dhuna institucionale ndaj serbëve".

“Të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët serbë sot në mëngjes kanë dalë nga zyrat e tyre pas suspendimit të kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe të gjithë përfaqësuesit politikë serbë po e ndërpresin punën e tyre me një mesazh të qartë se të drejtat tona duhet të respektohen dhe se dhuna institucionale ndaj nesh duhet të përfundojë”, tha Jevtiq.

Ai theksoi se përgjegjësinë për moslejmin e zhvillimit të zgjedhjeve serbe në Kosovë e kanë pushtetarët në Prishtinë dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.

“Qëllimi ynë është të luftojmë në mënyrë demokratike dhe përgjegjësinë e kanë të gjithë ata që sot e përbëjnë pushtetin në Prishtinë, si dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare nga e cila kërkojmë mbrojtje institucionale”, tha Jevtiq.

Në të njëjtën kohë, Goran Rakiq, kryetari i Listës Serbe, e cila është parti parlamentare në Kuvendin e Kosovës, nga protesta në Mitrovicë të Veriut tha se Lista Serbe dhe stafi serb në Gjyqësorin e Kosovës e kanë pezulluar punën në institucionet e Kosovës derisa të kthehet në postin e saj Liliana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore të Mitrovicës.

Qeveria e Kosovës nuk pranon të mbahen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë pa një marrëveshje me Qeverinë e Serbisë

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi janë caktuar të mbahen më 3 prill.

Me t’u kuptuar nga udhëheqësit serbë se zgjedhjet nuk do të mund të mbahen në territorin e Kosovës pa një marrëveshje paraprake me Qeverinë e Kosovës, më 22 mars u zhvillua takimi i disa udhëheqësve të institucioneve dhe zyrtarëve policorë nga komunat veriore kosovare me presidentin Aleksandar Vuçiç, në Beograd.

Për shkak të këtij takimi, të enjten Këshilli Gjyqësor i Kosovës suspendoi nga puna gjyqtaren e minoritetit serb nga Kosova, Liljana Stevanoviq e cila mbanë postin e kryetares së Gjykatës Themelore të Mitrovicës.

Pas këtij vendimi, presidenti i Serbisë, Vuçiç, doli me një video-mesazh, siç e ka quajtur ai urgjente, ku thotë se me vendimin e tij kryeministri Kurti synon të sulmojë serbët kudo që janë, “por, çka do që të bëni, Serbia është me popullin e saj”.

Në këtë mbledhje përpos gjyqtares së suspenduar, morën pjesë edhe një ministër i Qeverisë Kurti, disa deputetë serbë të Kuvendit të Kosovës dhe zyrtarë të tjerë serbë të institucioneve të Kosovës.

Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë vazhdimisht thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve serbe.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020 të mbajtura sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i ka grumbulluar votat. Ato vota më pas janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë. Kjo praktikë ishte krijuar qysh në vitin 2017 dhe autoritetet e Kosovës e kishin lejuar një gjë të tillë.

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2024 All rights reserved - Bota Islame