Thursday 19-09-2024
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

Hava Maloku, kosovarja e vetme që punon në LinkedIn

admin
  • Krijuar : 22-08-22
  • / 4762 Lexime

Ëndrrat e saj nuk kishin kufi. Hava Maloku kishte pasur gjithmonë ambicie për të punuar në kompani të mëdha, mirëpo nuk e kishte menduar që do të gjente një vend pune pikërisht në një kompani gjigante siç është LinkedIn.

Për Atlantikun, ajo ka treguar për rrugëtimin e saj drejt punës në LinkedIn.

E lindur dhe e rritur në Prishtinë, Maloku me të përfunduar shkollimin fillor dhe të mesëm, fitoi bursë për studime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më pas rrugëtimi i saj në fushën akademike, ka qenë i gjatë.

“Shkollimin fillor dhe të mesëm e kam përfunduar në Prishtinë. Pas përfundimit të gjimnazit kam fituar një bursë për studime në “Graceland University” që gjindet në Ioëa të SHBA-ve. Për tri vite kam përfunduar dy drejtime në fakultet: Marrëdhenie të Biznesit dhe Biznes Internacional me orientim në Teknologji Informative. Për studimet e masterit vendosa të ndryshoj vendbanim dhe të shkoj diku në një qytet me perspektivë më të madhe. Dilema ishte mes Nju Jorkut apo San Franciskos pasi që isha pranuan në universitete në të dyja qytetet. Vendosa të shkoj në San Francisco edhe pse nuk e kisha vizituar asnjëherë, por Silicon Valley sa kishte filluar të bëhej edhe mendova që eshtë një mundesi e mirë për të qenë aty. Masterin në Biznes dhe Administrim (MBA) e kam përfunduar në “University of San Francisco” dhe me të përfunduar kam filluar me punë në San Francisco. Në ndërkohë kam përfunduar edhe doktoraturën në “Golden Gate University” në drejtimin e Marketingut” thotë ajo.

Mirëpo për t’i jetësuar ëndrrat e saj, Maloku ka punuar në vazhdimësi. Për Atlantikun, Maloku thotë që puna dhe ëndrrat kanë shkuar paralel me njëra-tjetrën.

“Unë cdo herë kam pasë ëndërra të mëdha. Kuptohet nuk e kam mendu që do të punoj pikërisht në LinkedIn por kam ëndërruar që do të punoj në një kompani të madhe. Megjithatë edhe ëndërra pa punë nuk vlen. Të dyja shkojnë paralel me njëra tjetrën. Amerikanët e kanë një shprehje ku thonë “vendosne në shënjestër hënën dhe nëse humbisni do të jeni akoma mes yjeve” që do të thotë nëse synoni diçka, edhe nëse nuk e arrini, prapë do të jeni diku më mirë se ku e keni filluar” deklaron tutje Maloku.

Mirëpo, cili është roli i Hava Malokut në kompaninë LinkedIn?

“Unë menagjoj produktin më të madh në LinkedIn, LinkedIn Premium. Me fjalë tjera e managjoj marketingun online përmes emailës dhe ëeb faqeve për Linkedin Premium. Premium është një produkt me pagesë ($29.99 për muaj) që i shtohet profilit dhe si rezultat anëtari me premium ka qasje në LinkedIn Learning ku mund të ndjekë klasa online duke marre parasysh librarinë prej me shumë se 15,000 klasa. Roli që kam ka përgjegjësi të madhe, vetëm në një javë kam dërguar mbi 130 milion emaila anëtarëve. Që do të thotë se kujdesi duhet të jetë maksimal që gjithçka të jetë korrekte se ndikon në tërë imazhin e kompanisë” sqaron Hava Maloku.

Duke qenë se është pjesë e kësaj kompanie, Maloku ka treguar për interesimin e kosovarëve që të shfrytëzojnë rrjetin social, LinkedIn, i cili është gjithmonë e më shumë në rritje. Por, nuk ka qenë gjithmonë kështu.

Në fillimet e kësaj platforme, nuk ka pasur shqiptarë që e shfrytëzonin.

“Rinia kosovare ka filluar ta shfrytëzoj me të madhe këtë rrjet social sidomos në vitet e fundit. E di kur e kam krijuar profilin tim në vitin 2008 nuk ka pasë shqiptarë fare në platformë. Kanë filluar ngadalë të shtohen në fillim shqiptarët në diasporë e mandej edhe ata në Kosovë. Por sidomos vitet e fundit mendoj që janë vetëdijsu shumë për benefitet e të qenurit pjesë e platformës. Duke marrë parasysh që është rritë numri i përdoruesve, kam pa që japin edhe rekomandime në gjuhën angleze që ta kuptojnë të gjithë anëtarët e platformës. Kjo është për tu duartrokitur”.

Maloku thotë se rinia në Kosovë është e aftë për tregun ndërkombëtarë, prandaj është e rëndësishme që të shfrytëzohet LinkedIn për t’ia hapur dyert vetes drejt kompanive ndërkombëtare.

Intervistën për Atlantikun, Hava Maloku e përfundon me një mesazh për të rinjtë kosovarë: vendosni vetes qëllime të larta në jetë, zhvilloni kontakte profesionale ose sociale dhe ecni me kohën. /Atlantiku.com

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2024 All rights reserved - Bota Islame