Thursday 23-05-2024
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

Hz. Ejubi a.s. Si duhet t’i kalojë sprovat dhe provimet një besimtar?

admin
  • Krijuar : 06-05-24
  • / 253 Lexime

Me Emrin e Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.

“Kujto edhe Ejjubin a.s. kur ai i thirri Zotit të Tij: Vërtet që më ka kapur mjerimi dhe Ti je më Mëshiruesi i mëshiruesve”.[1]

Duaja e Ejjubit a.s., kampioni i durimtarëve, është edhe e mirëprovuar, edhe e efektshme. Edhe ne duhet të marrim nga drita e këtij vërseti dhe të themi në lutjet tona:

(Rabbi innî messenijed-durru we ente erhamu rrâhimîn)

O Zoti im ! Vërtet që më ka kapur mjerimi, dhe Ti je më Mëshiruesi i Mëshiruesve”. (Kur'an, Enbija 83)

Thelbi i tregimit të mirënjohur të Ejjubit a.s. është sa vijon:

Ndërsa i vuajtur e i munduar me plagë të shumta dhe me lëndime për një kohë të gjatë, ai thirri dhe shpresoi një shpërblim të madh për sëmundjen e tij nga i Lartësuari i Vetëm i Gjithëfuqishëm dhe e përballoi sëmundjen me durimin më të madh. Por më vonë, kur krimbat e shkaktuar nga plagët e tij depërtuan tek zemra dhe tek gjuha e tij, të cilat janë vendi i përmendjes së Zotit xh.sh. dhe vendi i njohjes së Tij, ai u frikësua se detyra e tij e adhurimit do të pësonte goditje e dëm dhe prandaj tha në dua, jo për hir të qetësisë së tij, po për hir të adhurimit të tij ndaj Allahut:

“O Zot! Vërtet që më ka kapur mjerimi dhe Ti je më Mëshiruesi i mëshiruesve”,

“O Zot! Dëmi ka rënë mbi mua; përmendja ime Ty me gjuhën time dhe adhurimi im ndaj Teje me zemrën time do të pësojnë dëm”. Atëherë, Allahu i Lartësuar e i Gjithëfuqishëm ia pranoi atë lutje të sinqertë, të pastër e të përshpirtshme në një mënyrë të mrekullueshme. Ai i dhuroi Hazreti Ejjubit shëndet të mirë të plotë dhe shfaqi tek ai të gjitha llojet e mëshirës.

Duke u korresponduar atyre plagëve të jashtme dhe sëmundjes me të cilat u godit Ejjubi a.s., edhe ne kemi sëmundje të shpirtit dhe të zemrës. Në qoftë se qënia jonë e brendshme do të kthehej e të dilte jashtë dhe qënia jonë e jashtme do të kthehej brenda, ne do të dukeshim më shumë të plagosur e të sëmurë se sa Ejjubi a.s..

Çdo mëkat që ne bëjmë dhe çdo dyshim që hyn në mendjen tonë, shkakton plagë në zemrën dhe në shpirtin tonë.

Plagët e Ejjubit a.s. ishin të një natyre të tillë që kërcënonin jetën e tij të shkurtër të kësaj bote, kurse plagët tona të brendshme kërcënojnë jetën tonë të gjatë të amshuar të Ahiretit. Ne kemi një mijë herë më shumë nevojë për duanë e Ejjubit a.s. se sa kishte nevojë vetë ai. Ashtu siç depërtuan në zemrën dhe në gjuhën e tij krimbat që u shkaktuan nga plagët e tij, po ashtu vesveset, tundimet dhe dyshimet që rezultojnë tek ne nga plagët që shkaktohen nga gjynahet dhe mëkatet -ruajna Zot!- do të futen në brendësi të zemrës, e cila është vendi i besimit dhe, kështu plagosim e lëkundim imanin; gjithashtu ato do të preknin edhe gjuhën, e cila është interpretuesja e imanit, dhe plaçkisin prej saj kënaqësinë e dhikrit dhe ëndjen shpirtërore, dhe vazhdojnë ta ftohin e ta largojnë nga dhikri -përmendja e Zotit xh.sh.- derisa ta heshtin atë plotësisht.

Mëkati, duke depërtuar në zemër, do ta nxijë e do ta errësojë atë derisa ta shuajë dritën e besimit. Brenda çdo mëkati është një rrugë që të çon në mosbesim. Në qoftë se ai mëkat nuk pastrohet, nuk fshihet menjëherë nëpërmjet istigfarit -kërkimit të faljes-, ai transformohet në krimb jolëndor, madje shndërrohet në një gjarpër që kafshon zemrën dhe e lëndon.

Për shembull, një njeri që kryen fshehtas një mëkat të turpshëm, do t’i frikësohej e druhej turpërimit që shkaktohet nëse të tjerët janë në dijeni të atij mëkati. Kështu ekzistenca e engjëjve dhe e qënieve shpirtërore do të jetë e rëndë për të që ta durojë; dhe ai do të dëshironte ta mohonte atë, madje edhe me fuqinë e treguesit më të vogël.

Dhe për shembull, ai që bën një gjynah të madh që meriton ndëshkimin e Xhehennemit, në qoftë se nuk do të mbrohej e fortifikohej përballë atij mëkati nëpërmjet istigfarit -kërkimit të faljes- dhe pendesës, ai do të dëshironte me gjithë zemër mosekzistencën e Ferrit sa herë që ai dëgjon kërcënimet e tij dhe, madje ai do të guxonte ta mohonte Ferrin edhe me fuqinë e treguesit më të vogël dhe të dyshimit.

Dhe për shembull, ai që nuk i kryen namazet e detyruar dhe që nuk i përmbush detyrat e tij të adhurimit, do të preket e lëndohet nga dëshpërimi e nga ankthi, ashtu siç do të ishte i pikëlluar  në ndonjë rast kur nuk përfill një detyrë të vogël ndaj një sunduesi të thjeshtë. Kështu dembelia e tij në përmbushjen e detyrës, pavarësisht urdhëresave të përsëritura që lëshohen nga Allahu i Madhërishëm, do ta hidhërojnë shumë atë dhe do t’i shkaktojnë një ngushtësi të fortë dhe një errësirë në shpirtin e tij. Kjo ngushtësi do nxiste një dëshirë tek ai dhe të thonte me vete: “Ah sikur Ai të mos kishte dhënë urdhër për kryerjen e atij ibadeti”; dhe nga kjo dëshirë do të lindte dëshira për të mohuar Zotin dhe për të ushqyer armiqësi ndaj Tij. Në qoftë se do të vinte ndonjë dyshim në zemrën e tij lidhur me ekzistencën e Krijuesit, ai do të prirej e anonte nga ai -dyshimi- sikur ai të ishte një provë vendimtare. Një portë e madhe shkatërrimi do të hapej përpara tij. Por ky fatzi nuk e kupton se e ka bërë veten -nëpërmjet këtij mohimi- objekt për ngushtësi shpirtërore e për hidhërim miliona herë më të rëndë e më të tmerrshëm se sa ai shqetësim i vogël që ndiente nga dembelia ndaj detyrës së adhurimit; është tamam si ai që ikën nga pickimi i mushkonjës për tek kafshimi i gjarpërit.

Le të kuptohet në dritën e këtyre tre shembujve misteri i vërsetit Kur’anor,

“Jo, kurrë nuk është kështu! Por zemrat e tyre janë të njollosura (prej gjynaheve) që ata patën fituar”.[2]

Allahu i Gjithëfuqishëm, me qëllim që të shfaqë fuqinë e Tij të pafund dhe mëshirën e Tij të pakufishme, ka bërë të bashkëlindur, të brendaqenësishme tek njeriu pafuqinë e pafundme dhe nevojën e pakufishme. Për më tepër, me qëllim që të shfaqë qëndisjet e pafundme të Emrave të Tij, Ai e ka krijuar njeriun si një makineri të çuditshme e cila përmban qindra instrumente dhe aparate, ku secila prej tyre ka dhimbjet e saj të ndryshme, kënaqësitë, detyrat e ndryshme dhe shpërblimet dhe thevabet.

Thjesht, të gjithë Emrat e bukur Hyjnorë të shfaqur në botë, e cila është një njeri i madh, gjithashtu kanë manifestime në botën më të vogël që është njeriu. Çështjet e dobishme si: shëndeti i mirë, mirëqenia dhe kënaqësitë e bëjnë njeriun të japë falënderime dhe e shtyjnë makinerinë humane të kryejë detyrat e saj në shumë drejtime, dhe kështu njeriu bëhet si një fabrikë që prodhon falënderime.

Gjithashtu, nëpërmjet fatkeqësisë, sëmundjes dhe dhimbjes dhe nëpërmjet mundësive të tjera nxitëse e lëvizëse, rrotat e tjera të makinerisë njerëzore janë vënë në punë e në lëvizje. Mineralet e dobësisë, të pafuqisë dhe të varfërisë të bashkëlindura në natyrën njerëzore vihen në punë. Kjo nxit tek njeriu një gjendje me anë të së cilës ai kërkon strehim e ndihmë jo vetëm me një gjuhë të vetme, por me gjuhën e secilës prej gjymtyrëve të tij. Kështu nëpërmjet atyre mundësive njeriu bëhet si një laps lëvizës që përmban mijëra lapsa të ndryshëm. Ai e shkruan rrjedhën e përcaktuar të ekzistencës së tij në faqen e jetës së tij ose në pllakën në botën e shëmbëllesës; ai bën një shpallje të Emrave Hyjnorë, ai qëndis një tablo të shkëlqyer të Emrave Hyjnorë; dhe bëhet vetë një poemë për lavdinë e Zotit xh.sh., duke përmbushur kështu detyrat e natyrës së tij./ zell.al

 

[1] (Kur’an, 21:83)

[2] (Kur’an, 83:14)

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2024 All rights reserved - Bota Islame