Thursday 07-11-2024
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

Sistemi gjyqësor në Islam

user
  • Krijuar : 25-07-24
  • / 143 Lexime

Vetë Zoti i Madhërishëm e ka krijuar njeriun si qenie shoqërore e cila nuk mund të jetojë plotësisht e pavarur dhe e izoluar nga të tjerët. Krijesa njeri, në rrethin ku jeton, si e tillë, jeton në një ndërvarësi e cila shpeshherë shkakton grindje dhe përçarje, atëherë kur ndeshen interesat personale. Kjo gjë manifestohet edhe me konflikte, shkaku i të cilëve është privimi ose shkelja e të drejtave të individëve apo grupeve të ndryshëm.

Sundimi i ligjit, si parim, është i pranuar në gjithë botën e qytetëruar. Por, nëse bëhen krahasime mes interpretimeve dhe implementimeve të ndryshme rreth sundimit të ligjit, mund të vërehen dallime të konsiderueshme juridike-ligjore mes shteteve të ndryshme.
As Kur’ani Fisnik dhe as Tradita Profetike nuk përkufizojnë ndonjë një formë të caktuar të qeverisjes. Përveç faktit që kërkohet, që forma e zgjedhur nga njerëzit të bazohet në punën e saj te drejtësia ose edhe më mirë te Ligjet e Allahut (xh.sh.).

Duhet të dihet se Sheriati, në rend të parë, është një ligj që rregullon marrëdhëniet mes myslimanit dhe Zotit të tij, ndaj shtetet demokratike nuk do të duhej që të vendosin ligje që pengojnë ushtrimin e lirë të fesë.

Edhe në disa shtete islame, e drejta e kodifikuar islame – Sheriati – është realitet që i kufizon disa të drejta të grave për gjykim, por pa diskriminim, nga vetë fakti se femra, edhe nga aspekti biologjik, veçohet nga mashkulli, dhe për këtë arsye ndodh që të mos ketë qasje të njëllojtë me burrat ndaj gjykatave. Islami i ka dhënë gruas mundësi që të ndihet e çliruar prej çdo lloj trysnie sociale që e privon atë prej barazisë gjinore. Myslimanët e kanë shembullin e tyre më të mirë në jetën e bashkëshortes së Profetit Muhamed, Aishes, e cila ishte një dijetare e avancuar më së miri, mësuese dhe një drejtuese e çmuar për kohën dhe bashkësinë në të cilën jetoi.

Ekzistimi i një sistemi gjyqësor, që parandalon padrejtësinë dhe shtypjen, është i nevojshëm në botën e qytetëruar. Ky sistem do i siguronte të dobëtit e të abuzuarit se gëzojnë të drejtat e tyre që ju takojnë, duke përcaktuar e veçuar të drejtën nga e padrejta. Kjo do të arrihet me sistemin gjyqësor që ka fuqinë e marrjes së vendimeve ligjore në rastet e ndryshme të konflikteve dhe cenimin e së drejtës.

Për këtë shkak ekzistimi i sistemit gjyqësor, në Fenë Islame, si dhe në fetë e shpallura para Islamit, konsiderohet obligim-detyrim fetar.

Në Kur’an gjejmë ajetin ku Allahu (xh.sh.) thotë:

لَقَدْ أَرْسَلْنَا رُسُلَنَا بالبدينات وَأَنْزَلْنَا مَعَهُمْ الْكِتَابَ وَالْمِيزَانَ لِيَقُومَ النَّاسُ بِالْقِسْطِ  

Ne i dërguam të dërguarit Tanë me dokumente të qarta dhe Ne zbritëm me ata librin dhe drejtësinë që t’i përmbahen njerëzit të së drejtës.[1]

  1. Gjyqësori nё periudhën e Profetit dhe hilafetit

Është realitet i dëshmuar se pushteti i Muhamedit (a.s.) ishte i bazuar në fe. Tek ai u bashkuan pushteti ligjdhënës (ngase ishte profet i shpallur ligjdhënës) dhe pushteti gjyqësor-El-Kada. Qeverisja e Profetit (a.s.) kishte tё gjitha karakteristikat teokratike.  

وَإِنْ حَكَمْتَ فَاحْكُمْ بَيْنَهُمْ بِالْقِسْطِ إِنَّ اللَّهَ يُحِبُّ الْمُقْسِطِينَ. (سورة المائدة-42)                    

… Por nëse gjykon mes tyre, gjyko drejt; Allahu i do të drejtët.[2]

Sipas burimeve islame, Allahu është dhe paraqet burimin themelor të ligjshmërisë. Ai është ligjdhënës, ndërsa Muhamedi (a.s.) ishte komentues e gjykues. Nga Kur’ani mësojmë edhe bazat themelore të demokracisë. Tek ai mësojmë të jetë porositur Muhamedi (a.s.) me Kur’an:

وَشَاوِرْهُمْ فِي اْلأَمْرِ فَإِذَا عَزَمْتَ فَتَوَكَّلْ عَلَى اللَّهِ إِنَّ اللَّهَ يُحِبُّ الْمُتَوَكِّلِينَ* (سورة آل عمران / 159)     

Konsultohu me ta në çështje (të ndryshme), e, kur të vendossh, (për ndonjë gjë) atëherë mbështetu tek Allahu, se vërtet Allahu i do ata që i mbështetën”.[3]

Megjithëse Profeti (a.s.) ishte sovran në punët dhe vendimet e tij, ai për shumë punë aplikonte sistemin e Shuras, një (Bord Konsultativ), më sahabët e tij dhe, është vërtetuar t’u ketë thënë sahabëve se, ju jeni më të ditur se unë për çështje-punë të kësaj jete.

Ebu Hurejretu, njëri prej shokëve dhe njëri prej transmetuesve më të mëdhenj të haditheve të Profetit (a.s.) thoshte:

عن أبي هريرة قال ما رأيت أحدا قط كان أكثر مشورة لأصحابه من رسول الله صلى الله عليه وسلم.

Nuk kam parë asnjeri që të konsultohet me shokët e vet më shumë se Profeti a.s.[4]

Pas hixhretit (shpërnguljes) së Muhamedit dhe ndjekësve të tij për në Medinë, rolin e një gjykatësi për myslimanët e mori përsipër Muhamedi. Profeti, edhe pse ishte sundimtari real i Medinës, shkroi marrëveshjen e Medinës që sanksiononte se myslimanët do të gjykoheshin në bazë të Sheriatit ndërsa hebrenjtë sipas ligjit të Toras (Teuratit). Mesazhi kur’anor është që Profeti (a.s.) të jetë model e shembull për myslimanët:[5]

لقَدْ كَانَ لَكُمْ فِي رَسُولِ اللَّـهِ أُسْوَةٌ حَسَنَةٌ

Vërtet për ju në të Dërguarin e Allahut keni një shembull të mrekullueshëm”.[6]                                                     

I dërguari i Allahut ishte gjykatësi më i drejtë që njeh historia, i cili këtë detyrë e ushtronte në qytetin e Medinës. Me gjykim prej sahabëve mё tё angazhuarit ishin: Umer bin Hattabi, Alij bin Ebi Talibi, Abdullah bin Mesudi, Aishja (gruaja e Profetit a.s.) Zejd bin Thabiti, Abdullah bin Abbasi dhe Abdullah bin Umeri r.a.[7] Më pastaj Profeti (a.s.), emëroi disa nga shokët e tij në post të gjykatësit dhe ata e ushtronin detyrën e tyre jashtë Medinës. Ishin Alij bin Ebi Talibi dhe Muadh bin Xhebeli ndër të parët që u ngarkuan me këtë detyrë nga Profeti (a.s.) kur u dërguan me punën e misionarit në Jemen.  

Edhe në kohën e halifëve të drejtë (خلفاء الراشدين) sunduesi ishte ai që caktonte gjyqtarët, qeveriste me punën e tyre dhe mbronte pavarësinë e tyre. Ka raste kur disa sundues lokalë (të emëruar nga Halifi), por edhe dhe vetë halifët u nënshtroheshin gjykimit para gjyqtarëve të Shtetit Islam.  

Bazuar në traditë e Profetit (a.s.) edhe halifët e parë kishin funksionin e gjyqtarëve për bashkësinë myslimane. Umer bin El-Hattabi ishte i pari që i dha pavarësi sistemit gjyqësor nga posti i Halifit dhe posti i sunduesit lokal Valiut. Më vonë, në periudhën e halifëve emevitë u vendosën gjykatës, të cilët ishin relativisht të lirë për dhënien e vendimeve, dhe të formulonin gjykimet sipas “re’jit” (mendjes-mendimit të vet) por duke mos rënë ndesh me Kur’anin, Sunetin (Traditën e Profetit) e as me urfin-traditën zakonore vendore. Në këtë mënyrë, sipas traditës, sistemi gjyqësor vazhdoi të zhvillohet gjatë tërë periudhës emevite dhe në fillim të dinastisë abbasite. Në periudhën (dinastinë) abbasite do të promovohet për herë të parë edhe posti i kryegjykatësit, i cili ishte autoritet që kishte të drejtën të emëronte dhe shkarkonte gjyqtarët. Ai përcillte dhe mbikëqyrte sjelljen e tyre si dhe mënyrën e ushtrimit të detyrës. Njeriu-personaliteti i parë që u emërua në këtë posti ishte Ebu Jusufi, nxënësi i Imam Ebu Hanifes (r.a.). Më vonë ky institucion u përhap në gjithë botën islame dhe si i tillë rrugëtoi me batica e zbatica, po pa u sfiduar asnjëherë deri nga fundi i Perandorisë Osmane.

Historiku i gjyqësorit islam mban në mend dhe me respekt kujton emrat e shumë gjyqtarëve që përmenden si pishtarë dhe simbole të drejtësisë e integritetit. Nga ata po përmendim Ijas bin Muauije, Shurejh bin Abdil-lah, El-Izz bin Abdi Es-Selam që në mënyrën më të mirë aplikuan mësimet islame në fushën e drejtësisë.

Ata ishin një model i përhershëm dhe shembull se si duhet të sillet një gjykatës mysliman, i ndërgjegjshëm për punën dhe përgjegjësinë që ka marrë.

Kur flitet për sistemin gjyqësor në Islam, patjetër duhet përmendur fakti se Islami vendos direktiva të gjera dhe parime themelore që kanë të bëjnë me jetën dhe se shumë rrallë angazhohet me detaje të hollësishme të jetës.

Sheriati, për myslimanët, paraqet shprehjen normative të fesë së tyre, ligjet që për burim kryesor kanë shpalljen e Zotit, Kur’anin dhe Sunetin (Praktikën) e Profetit të Zotit.

  1. Sheriati (Sistemi legjislativ)

Islami i ka kushtuar dhe vazhdon t’i kushtojë rëndësi të madhe jetës, sikurse edhe nevojave shpirtërore dhe materiale të njerëzve. Me ligje të mira dhe të drejta, që kanë premisa hyjnore, ka rregulluar të gjitha fushat dhe aktivitet e jetës njerëzore. Në harmoni të plotë me ligjet natyrore të jetës dhe në këto relacione nuk ka ndërprerje e as mungesë harmonie. Parimet dhe ligjet islame janë më perspektivë dhe më të begatë se ligjet e hartuara nga njerëzimi. Duke i krahasuar ligjet dhe rregullat islame me ligjet dhe rregullat ligjore të njerëzimit, dëshmohen përparësitë e pakufishme të ligjit të Zotit ndaj të tjerëve.

Duhet ditur se termi Sheriat, në arabisht “ Sheriatun-شريعة ”, në kuptimin etimologjik, do të thotë: rrugë e qartë, rruga e drejtë, rrugë që shpie te burimi i ujit. Kuptimi gjuhësor i fjalës sheriat ngjashëm reflekton edhe në kuptimin e tij terminologjik: Ashtu siç është i domosdoshëm uji për jetën e gjallë biologjike, njerëzore, shtazore e bimore, po ashtu edhe qartësia dhe pastërtia e Sheriatit Islam është ushqimi jetësor i shpirtrave dhe i mendjeve njerëzore.

Duhet theksuar se Allahu ka dërguar Profetë gjatë gjithë kohës dhe i pari njeri – Ademi a.s. – ishte edhe ai vetë Profet. Të gjithë Profetët e dërguar kishin të njëjtin mision, besimin në një Zot të vetëm, por e veçanta është te ligjet qiellore (sheriatet) që ndryshonin në përshtatje me nevojat njerëzore që kishte çdo vend dhe kohë.

Derisa në sheriatet e mëhershme, hetohet se, në disa aspekte, kanë pasur karakter të kufizimit kohor dhe lokal, Sheriati Islam është gjithëpërfshirës, i pakufizuar në hapësirë dhe kohë, i vlefshëm për çdo vend dhe kohë, i kapshëm dhe i përshtatshëm për gjithë njerëzit dhe ofron zgjidhje për të gjitha çështjet e jetës trupore dhe shpirtërore.

Sheriati pasqyron shpalosjet reale dhe shembullore të mëshirës hyjnore; Allahu i Lartësuar thotë:

لِكُلٍّ جَعَلْنَا مِنْكُمْ شِرْعَةً وَمِنْهَاجًا ۚ وَلَوْ شَاءَ اللَّـهُ لَجَعَلَكُمْ أُمَّةً وَاحِدَةً وَلَـٰكِنْ لِيَبْلُوَكُمْ فِي مَا آتَاكُمْ ۖ فَاسْتَبِقُوا الْخَيْرَاتِ ۚ إِلَى اللَّـهِ مَرْجِعُكُمْ جَمِيعًا فَيُنَبِّئُكُمْ بِمَا كُنْتُمْ فِيهِ تَخْتَلِفُونَ

 “Ne për secilin nga ju kemi sjellë një ligj (sheriat) dhe një rrugë të qartë (program jete). Sikur të donte Allahu, do t’ju kishte bërë një popull të vetëm, por Ai kërkon që t’ju provojë në atë që ju ka dhënë, andaj bëni gara për punë të mira! Të gjithë do të ktheheni tek Allahu e Ai do t’ju lajmërojë për çështjet, rreth të cilave kishit kundërshti.[8]

  1. a. Objektivat e sheriatit

Nuk ka dyshim se Sheriati vepron për lehtësimin e jetës së atyre që përpiqen të bëjnë një jetë të ndershme, që e kënaq Zotin, dhe atyre që kanë marrëdhënie dashamirëse dhe paqësore me familjarët, miqtë, fqinjët, etj. Por, në të njëjtën kohë, Sheriati ia vështirëson jetën një njeriu egoist, kryeneç, të vrazhdë, shfrytëzues, mashtrues, etj. Sheriati nuk shfaq mëshirë ndaj kësaj kategorie të njerëzve mëkatarë e keqbërës.        

 Konsiderojmë se qëllimet dhe synimet e Sheriatit shumë bukur i ka identifikuar Imam El-Gazaliu kur thotë:

Objektiva kryesore e Sheriatit është promovimi i mirëqenies së shoqërisë, e cila ngërthen në vete ruajtjen e fesë së tyre, jetës, intelektit, familjes dhe pasurisë. Çfarëdo që garanton sigurinë e këtyre pesë gjerave i shërben interesit publik dhe është e dëshiruar.”.

Sheriati është ligj me premisa hyjnore, të cilin Allahu e shpalli dhe e qartësoi për mbarë njerëzimin. Burimi i këtij ligji është shpallja nga Zotit, e cila shfaqet në Kur’an, si fjalë e Zotit, dhe në Sunet apo hadithe të të Dërguarit të Tij, (fjalët, veprat dhe miratimet e tij). Ai mbron interesat e njerëzve dhe realizon ato në mënyrën më të përsosur që është e mundur. Ibni Tejmije thoshte: “Ligji islam ka ardhur të realizojë ato që janë të dobishme për njeriun në mënyrë sa më të plotë dhe t’i ndërpresë apo t’i pakësojë e zvogëlojë të dëmshmet.[9] Islami thërret që të promovohet e mira dhe vlerat shpirtërore e morale dhe të demaskohet e keqja dhe antivlera.

Ekzistojnë edhe shumë e shumë fakte e dëshmi nga literatura islame qe vërtetojnë se Ligji islam – Sheriati jep parametrat e një jete cilësore me të cilën realizohen interesat më të larta dhe arrihet mirëqenia më e lartë e mundshme për njeriun në këtë botë dhe në atë të përtejmen:

إِنَّ اللَّـهَ يَأْمُرُ بِالْعَدْلِ وَالْإِحْسَانِ وَإِيتَاءِ ذِي الْقُرْبَىٰ وَ يَنْهَىٰ عَنِ الْفَحْشَاءِ وَالْمُنْكَرِ وَالْبَغْيِ

Vërtetë Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna.[10]

Duhet ditur se disa prej ligjeve të Sheriatit Islam janë ndërtuar, rregulluar dhe sanksionuar nga urdhra dhe sqarime të drejtpërdrejta me ajete të Kur’anit Fisnik, e disa të tjera kanë ardhur dhe janë sqaruar drejtpërdrejt nga udhëzimet e Profetit (a.s.). Madje, ka edhe disa burime të tjera – dytësore – që kanë ardhur si rezultat i ngjarjeve të caktuara gjatë jetës së tij.

Burimet e tjera, që vlerësohen të jenë si dytësore, bazohen te gjykimet e dijetarëve, të cilat i kanë mbështetur me konsensusin (ixhmain), traditën zakonore (urfin) dhe interesin e përgjithshëm (El-maslahatu). Edhe pse këto burime vlerësohen të jenë dytësore, nuk ka dyshim se edhe ato mbështeten në mënyrë deduktive nga Kur’ani dhe Suneti, duke përdorur metodën krahasuese me fjalët e Profetit (a.s.), veprimet dhe mënyra sesi ai veproi dhe zgjodhi për çështje analoge të caktuara në jetë. Në rast se për to nuk ka prova as në Kur’an, as në Sunet dhe as në Ixhma të teologëve islamë, ato bazohen mbi mendimin e teologëve juristë – fukahave. Fikh-u, në këtë mënyrë, është shkenca e rregulloreve ligjore El-Ahkamu Esh-sherijjeti brenda sistemit juridik islam të sheriatit, nëpërmjet së cilës, në Fenë Islame, rregullohet çdo sferë e jetës private dhe publike.[11]

Kështu pra, të gjitha ligjet e Sheriatit, së pari, bazohen te Kur’ani dhe Suneti dhe nëse nuk gjendet sqarim në këto dy burime, janë dijetarët ata të cilëve u takon e drejta e ixhtihadit (hulumtimit dhe gjykimit profesional), që duke përdorur njohuritë profesionale dhe inteligjencën e tyre arrijnë tek analogjia e saktë. Ashtu si në shumicën e kodeve ligjore, edhe këtu, disa çështje të veçanta-speciale, konkretisht u kalohen profesionalistëve ligjorë, siç janë dijetarët dhe gjykatësit.                                                   

Duhet pasur parasysh se drejtimet e para juridike të fesë islame kanë lindur aty nga gjysma e dytë të shekullit të 8-të në Kufe dhe Basra të Irakut, në Sham – Siri po edhe në Medinë e Mekke, të cilat mund të ishin të ndryshëm nga njëri-tjetri, jo vetëm sipas të drejtës zakonore vendore, por edhe sipas interpretimit të materialit të trashëguar të haditheve – Traditës së Profetit Muhamed (a.s.).

Sistemi ligjor islam, i cili rrjedh nga (sheriati), nuk e ka bazën vetëm te Kur’ani dhe Suneti i Profetit (a.s.). Të katër drejtimet juridike sunite njohin burime të jurisprudencës (أصول الفقه – Usulu El-fikh), që vlejnë si bazat e jurisprudencës islame. Fikhu – فقه , gjuhësisht do të thotë: të kuptuarit e drejtë e asaj që synohet, njohja, të kuptuarit, thellimi në diçka. Në Këtë kuptim është thënë edhe hadithi: (مَنْ يُرِدِ اللَّهُ بِهِ خَيْرًا يُفَقِّهْهُ فِي الدِّينِ). “Atij që Allahu ia do të mirën, ia mundëson (thellimin) që ta kuptojë fenë..[12] Fetarisht Fik’hu – الفقه i referohet tërësisë së ligjeve islame, të cilat deduktohen nga Sheriati sipas udhëzimeve hyjnore.[13]

Lindja e drejtimeve juridike, të cilat mbajnë përkatësisht emrat e themeluesve të tyre, është rezultat i aktiviteteve në lëmin e shkrimeve të hadith-it dhe të jurisprudencës në fillim të shekullit të 8-të. Kjo do të mundësojë të kuptojë thelbin e zhvillimit të medh’hebeve (Shkollave juridike islame) si dhe kontributin e tyre në lëmin e Fik’hut.

Me fjalë tjera, Fik’hu nuk mund të përcaktohet vetëm nga një shkollë e vetme e jurisprudencës islame. Të gjitha medh’hebet kanë qenë instrumente të rëndësishëm në sqarimin dhe aplikimin e Sheriatit. Sheriati dhe fik’hu së bashku duhet të jenë forca unifikuese, të cilat i bashkojnë të gjithë myslimanët, pa marrë parasysh vendin, kohën apo kulturën.

  1. b. Dallimet mes fik’hut dhe sheriatit
  2. Sheriat janë ligjet e shpallura nga Allahu (xh.sh.) në Kur’an dhe Sunet, ndërsa fikh janë ligjet e deduktuara nga Sheriati për situata të caktuara, të cilat nuk janë trajtuar drejtpërsëdrejti në Sheriat.
  3. Sheriati është i prerë dhe i pandryshuar, kurse Fik’hu ndryshon sipas rrethanave në të cilat aplikohet.
  4. Ligjet e Sheriatit janë, në shumicën e rasteve, të përgjithshme. Ato përcaktojnë parimet themelore. Në dallim nga kjo, ligjet e Fik’hut priren të jenë specifike. Ato demonstrojnë se si duhen aplikuar parimet themelore të Sheriatit në rrethana të caktuara.[14]
  5. c. Periudhat nëpër të cilat ka kaluar zhvillimi i Sheriatit:
  6. Periudha prej hixhretit 622 (e.r.) deri me vdekjen e Muhamedit (a.s.) 632 (e.r.). Kjo periudhë emërtohet si “Kohë e legjislacionit”.
  7. II. Periudha pas vdekjes së Muhamedit (a.s.) e deri në themelimin e shkollave të para juridike ose periudha e as’habëve (shokëve) dhe tabi’inëve (nxënësve) të Muhamedit (a.s.).

III. Periudha prej fillimit të shek. 2-të hixhri (sipas kalendari mysliman), e deri në fund të shek. 3 hixhri ose periudha e formimit të katër shkollave juridike të “Ehlu Es-Sunneti” (Hanefij, Shafij, Malikij dhe Hambelij).

  1. Periudha prej fillimit të shek. 4 hixhrij deri në kohën e autorit ose periudha e taklidit (imitimit).

Duke vështruar nga aspekti historikut të së Drejtës Islame dhe trashëgimisë që kemi, do të vërejmë se ajo u zhvillua në dy rrafshe.

  1. Në rrafshin administrativ të Hilafetit, që nënkupton të drejtën që u zhvillua nga institucionet e Hilafetit; si kadinitë, myftinitë, muxhtehidët – ekspertët e afërt me pushtetin, praktikat perandorake, duke përfshirë nganjëherë edhe vendimet e sovranit (halifit, emirit, sulltanit, etj.).
  2. E drejta e zhvilluar në mesin e dijetarëve (shoqërisë civile) që nënkupton dijetarët të cilët nuk kanë ushtruar dukshëm funksione shtetërore por kanë qenë të lirë në punën e tyre dhe kanë ndërtuar edhe “medhhebet”, drejtimet juridike islame-doktrinat (shkollat e tyre):
    Medhhebi hanefit me në krye imamin (Ebu Hanifen r.a. 699-767), Medhhebi Shafiit, sipas imamit (Muhammed bin Idris Esh-Shafiij r.a. 767-820), Medhhebi Maliki, themeluar sipas imamit (Malik bin Enesi r.a. 715-795) dhe Medhhebi Hambelit i prirë nga imami (Ahmed bin Hanbeli r.a. 780-855).
  3. d. Burimet e sheriatit

Siç është thënë edhe më herët që sistemi ligjor islam, rrjedh nga sheriati, i cili bazë substanciale ka Kur’anin dhe Sunetin e Profetit (a.s.), por, katër drejtimet juridike sunite njohin katër burime të jurisprudencës islame, të cilat, që prej sistematizimit të të drejtës islame (e shumta prej kohës së Esh-Shafiut 767-820)[15] vlejnë si bazat e jurisprudencës islame.

Burimet e Sheriatit ndahen në:

  1. Burime parësore për të cilat dijetarët kanë rënë dakord, dhe
  2. Burime dytësore për të cilat dijetarët nuk kanë rënë dakord. 

Burimet parësore – tradicionale – për të cilat dijetarët kanë rënë dakord

  1. Kur’ani Fisnik – القرآن الكريم  

Kur’ani i zbriti Muhamedit (a.s.) nga ana e Zotit nëpërmjet melekut Xhibril, gradualisht, në mënyrë kronologjike, në një interval kohor prej 23 vjetësh. Kur’ani është libri i fundit hyjnor që i zbriti Profetit të fundit Muhamedit (a.s.). Përmban 114 sure, që kanë gjithsej 6360 ajete, duke numëruar këtu edhe ajetin fillues të çdo kaptine “Në emër të Allahut të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit”. Thelbi i mesazhit të tij është konfirmimi i monoteizmit dhe shprehja e nevojës shpirtërore, morale e njeriut për Allahun.

Ajo që nuk vihet në dyshim është fakti se, Kur’ani është fjala e Allahut, dhe këtë e provon stili i tij i paarritshëm dhe elokuenca që ai mbart në vete. Baza kryesore e Kur’anit është me përmbajtje dhe karakter moral edukativ, human dhe me vlera mbarë njerëzore. Mirëpo, Kur’ani paraqet edhe një kushtetutë me norma në vazhdimësi aktuale dhe universale. Por, mbi të gjitha janë dispozitat udhërrëfyese dhe ligjet me të cilat ai ka ardhur, të cilat mbartin lumturinë e kësaj bote dhe të botës tjetër. Allahu i Lartësuar në Kur’an thotë:

يَا أَهْلَ الْكِتَابِ قَدْ جَاءَكُمْ رَسُولُنَا يُبَيِّنُ لَكُمْ كَثِيرًا مِمَّا كُنْتُمْ تُخْفُونَ مِنَ الْكِتَابِ وَيَعْفُو عَنْ كَثِيرٍ ۚ قَدْ جَاءَكُمْ مِنَ اللَّـهِ نُورٌ وَكِتَابٌ مُبِينٌ ﴿١٥ يَهْدِي بِهِ اللَّـهُ مَنِ اتَّبَعَ رِضْوَانَهُ سُبُلَ السَّلَامِ وَيُخْرِجُهُمْ مِنَ الظُّلُمَاتِ إِلَى النُّورِ بِإِذْنِهِ وَيَهْدِيهِمْ إِلَىٰ صِرَاطٍ مُسْتَقِيمٍ

O ithtarët e Librit! Juve ju erdhi i Dërguari Ynë, i cili ju shpjegon gjëra nga ato që i keni fshehur ju prej Librave (Teuratit dhe Ungjillit) dhe ju fal shumë. Juve ju erdhi prej Allahut dritë (i Dërguari) dhe Libër i qartë (Kur’ani), me të cilin Allahu i drejton ata që ndjekin pëlqimin e Tij, në rrugën e shpëtimit, i nxjerr nga errësira në dritë me lejen dhe vullnetin e Vet dhe i shpie në rrugën e drejtë.[16]

Kur’ani – Përfshin të gjitha dispozitat që ndërlidhen me njeriun, me jetën e tij të kësaj botë dhe asaj të përtejmes.

Dispozitat e përfshira në Kur’an janë:

  1. Dispozita e besimit (akides) – Ilmul El-Kelami (Apologjetika);
  2. Dispozita etiko-morale – Ilmu El-Ahlak (Etika);
  3. Dispozita praktike – Ilmu El-Fikhi dhe (Usuli Fikhit) i cili ndahet në dy lloje:
    – Dispozita e ibadeteve – rregullon marrëdhëniet e njeriut me Krijuesin, obligimet si: namazi, ramazani, haxhi, zekati, etj.

– Dispozitat që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e përditshme njerëzore.

Në Kur’an gjenden 500 ajete apo 1/13 pjesë e Kur’anit rregullon këto marrëdhënie.
Sipas autorit egjiptian Abduluehab Hal-laf theksohet se të drejtës familjare i përkasin 70 ajete, të drejtës civile 70 ajete, të drejtës penale 30 ajete, gjyqësisë dhe procedurës gjyqësore 13 ajete, të drejtës kushtetuese 10 ajete, marrëdhënieve ndërkombëtare 25 ajete dhe ekonomisë dhe financave 10 ajete.[17]

“Nuk ekziston asnjë libër, i cili i përfshin të gjitha teoritë shkencore, qofshin ato matematikore, e që nuk bie në kundërshtim dhe kontradiktë me shkencën. Madje edhe librat që janë shkruar në shekullin e njëzetë kanë përjetuar mossukses dhe janë tejkaluar në të gjitha aspektet, përveç njërit libër – KUR’ANIT”. |Filozofi francez Pleks Lozën

  1. Tradita Profetike (السنة النبوية)

Tradita e Profetit Muhamed (thëniet-porositë, ndalimet, lejimet, veprat, miratimet dhe braktisjet e disa veprave). Suneti – السنة – Tradita Profetike, mënyra e veprimit të tij, është sasia e thënieve dhe veprimeve të trashëguara të Profetit të fesë islame, duke paraqitur materialin më voluminoz të jurisprudencës islame.[18] Suneti është trashëguar në formën e haditheve- autentike, të cilët janë fiksuar që herët me shkrim ose janë trashëguar gojarisht, duke paraqitur materialin më voluminoz të jurisprudencës islame.

Suneti është burimi i dytë parësor, është Tradita Profetike ku vetë Kur’ani vë në dukje rolin e Profetit a.s. kur thotë:

وَأَنْزَلْنَا إِلَيْكَ الذِّكْرَ لِتُبَيِّنَ لِلنَّاسِ مَا نُزِّلَ إِلَيْهِمْ وَلَعَلَّهُمْ يَتَفَكَّرُونَ

Ndërsa ty (o Muhamed) të zbritëm Përkujtesën (Kur’anin), me qëllim që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur dhe që ata të mendojnë.[19]

Shpjegimi vjen nëpërmjet asaj që ka folur, bërë e miratuar Profeti (a.s.). Edhe vetë Profeti a.s. ka folur rreth kësaj çështje duke thënë:

‏ ‏عن ‏ ‏مالك ‏ ‏أنه بلغه ‏ ‏أن رسول الله ‏ ‏صلى الله عليه وسلم ‏ ‏قال: ‏ ‏تركت فيكم أمرين لن تضلوا ما تمسكتم بهما كتاب الله وسنة نبيه.   (الموطأ -1395)

Kam lënë tek ju dy gjëra, që nëse kapeni pas tyre nuk do të humbisni kurrë pas largimit tim: Librin e Allahut dhe Sunetin e Profetit të Tij.[20]

Suneti – Paraqet veprimet e Muhamedit (a.s.), qofshin ato veprat e tij, deklaratat, apo miratimet duke heshtur (cilësitë e tij sipas muhadithinëve). Roli i sunetit në ndërtimin e shoqërisë dhe të së drejtës është i patejkalueshëm dhe i domosdoshëm, ngase vetëm në traditën e tij mësojmë në praktikë fenë dhe të drejtën e Sheriatit. Suneti është burim i sheriatit, ka bazën e vet ligjore në vetë Kur’anin ku Zoti i Lartëmadhërishëm thotë:

وَمَا آتَاكُمُ الرَّسُولُ فَخُذُوهُ وَمَا نَهَاكُمْ عَنْهُ فَانتَهُوا

Çka ju jep (urdhëron) i dërguari (Muhamedi a.s.) merreni, dhe atë që ju ndalon ai largohuni nga ajo…”.[21]

Muhamedi (a.s.) ka kryer katër funksione: Pranimin dhe kumtimin e shpalljes së Zotit, dhënia e sqarimeve për çështje fetare apo opinioni, zgjidhja e grindjeve dhe udhëheqja e punëve publike të bashkësisë së re islame.

Dy funksionet e para kanë qenë specifikë e Muhamedit (a.s.), ndërsa dy funksionet e fundit ka mundur t’i ushtrojë Halifi (udhëheqësi) pasardhës pas tij.

III. Konsensusi- (الإجماع)

Ixhmai – konsensusi, është pajtimi, marrëveshja e teologëve, juristëve rreth një çështjeje ligjore. Ixhmai përkufizohet si konsensus, në një kohë të caktuar, i të gjithë dijetarëve myslimanë, të nivelit të ixhtihadit (hulumtimit dhe gjykimit profesional), rreth një dispozite të caktuar. Nëse Ixhmai është i mundur, me unifikimin e të gjithë dijetarëve rreth një dispozite, atëherë ai kufizohet brenda çështjeve të qarta që janë në pajtim me Kur’anin dhe Sunetin. Ixhmai, që të quhet i tillë, duhet të përmbushet sipas përkufizimit që përmendëm dhe në momentin që ai përmbushet konsiderohet si argument i prerë. Profeti (a.s.) ka thënë:

“لا تَجْتَمِعُ أُمَّتِي عَلَى ضَلالَةِ ، رواه أحمد في مسنده ، والطبراني

Umeti (komuniteti) im nuk unifikohet për diçka që do t’i shpie në humbje.[22]

Legjitimiteti i ixhmait si burim për jurisprudencën bazohet në konceptin parimor se konsensusi mes teologëve nuk mund të jetë kurrë në kundërshtim me Kur’anin dhe Sunetin. Është meritë e Shafiut që parimi i konsensusit është rrënjosur si burimi i tretë i rëndësishëm për jurisprudencën në sistemin juridik islam.[23]

Ixhmai – Parimi i konsensusit, dakordësimi i dijetarëve të një kohe nga umeti i Muhamedit (a.s.) për një çështje legjitime të sheriatit.

  1. Analogjia (القياسAnalogjia e juristëve (gjykimi i një materie, çështje të caktuar analoge me një tjetër të asaj natyre).[24]

Gjatë procesit të zhvillimit të jurisprudencës, në shekujt 8 dhe 9, nuk arritën të zgjidhen në mënyrë të kënaqshme të gjitha çështjet ose aspektet përbërëse të praktikës së kultit me anë të tre burimeve të përmendura më lart. U bë e nevojshme që rregullat ligjore të nxjerra nga tre burimet e para të transmetohen me anë të analogjisë-krahasimit-ngjashmërisë me raste ose çështje të reja.

Kijasi është një procedure efikase në deduktimin e dispozitave, që kanë të bëjnë me çështjet e reja të panjohura në periudhat e mëhershme, si p.sh. drogat e ndryshme që tani janë krahasuar, janë analoge me pijet alkoolike dhe janë konsideruar si të ndaluara nëpërmjet kijasit, ku për analogji është marrë ndalimi i përdorimit të pijeve dehëse, siç përmenden në Kur’an. Dispozita në këtë rast mbështet te pasoja e ngjashme, që vjen si rrjedhojë e dozës së ngjashme që mbartin të dy elementët e krahasuar.

Kijasi dhe procedurat e tij të larmishme, përdoren për t’i mundësuar gjykatësit të kuptojë arsyet dhe shkaqet kryesore të dispozitave të Kur’anit dhe Sunetit. Gjithashtu ndihmon në trajtimin e situatave njerëzore që ndryshojnë vazhdimisht dhe mundëson vënien në praktikë të dispozitave të reja më të përshtatshme.

Kijasi (Analogjia) bën krahasimin e një çështje që për dispozitën e saj të sheriatit nuk ka argument parësor, me një çështje për dispozitën e së cilës ekziston argument për shkak se të dyja çështjet janë të barabarta në motivin e dispozitës.

Burimet dytësore- logjike për të cilat dijetarët nuk kanë rënë darkord

  1. Tradita-zakonore – العرف – është ai veprim i cili nuk bie ndesh me burimet parësore të Islamit (Sheriatit) e të cilin njerëzit e kanë pranuar si të vetin dhe i njëjti ka zënë vend të thellë në shpirtrat e tyre.

E drejta zakonore medinase ka luajtur këtu një rol të madh por edhe praktikat administrative dhe ligjet në fuqi në territoret e liruara.

  1. Miratimi – الإستحسان (Preferencat e Arsyetimit Juridik). Ky burim vlerësohet i vlefshëm nëse një dijetar, ekspert i një fushe, braktis dispozitën që është kuptuar nga analogjia e qartë dhe miraton një dispozitë tjetër që është kuptuar nga një analogji e fshehtë.
  2. Interesi – المصلحة (Arsyetimi Juridik i bazuar në Interesat e Përgjithshme). Dijetarët e Islamit besojnë se Sheriati ka ardhur për të përmbushur interesat e njeriut për mirëqenie të tij dhe për ta ruajtur atë nga të këqijat dhe lëndimet. Ajo që provohet katërçipërisht se është e dobishme për myslimanët, si për fenë ashtu edhe për mirëqenien e njeriut në këtë botë, konsiderohet pjesë e përligjur nga Sheriati; po kështu ajo që provohet se është e dëmshme, si për fenë ashtu edhe për jetën e kësaj bote, konsiderohet e ndaluar.

El-Maslahatu El- Murseletu –المرسلة  المصلحة Dobia – interesi, është brenda qëllimeve të ligjdhënësit, kur nuk ka argument që dëshmon se ligjdhënësi një gjë të tillë e konsideron si të dobishme apo nuk e konsideron si të tillë.

  1. Istis’habi – الإستسحاب – Arsyetimi juridik i bazuar në një gjendje të mëhershme për vazhdimësi; është vazhdim i një dispozite në gjendjen e mëparshme (në variantin e parë), përderisa të sillet një argument tjetër që do ta ndryshonte atë dispozitë.
  2. Medh’hebi – المذهب shkolla juridike islame apo drejtim juridik islam i njohur ndërkombëtarisht (gjithandej botës Islame).
  3. Sheriati i atyre që ishin para nesh – shpalljet e mëhershme, që nuk bien ndesh me burimet parësore të Islamit.

XI.2. e. Dispozitat e sheriatit.

Dispozitat e Sheriatit ndahen në: Urdhëresa dhe Ndalesa.

Urdhëresat:
1. Farzi – الفرض obligim i prerë i sjellë nga Ligjdhënësi (Allahu)

  1. Farzi ajn –  فرض العين obligim personal (individual)
  2. Farzi kifaje – فرض الكفاية obligim kolektiv (shoqëror)
  3. Vaxhibi – واجب detyrim absolut.

Veprimet e kategorive të sipërshënuara shpërblehen ndërsa moskryerja e tyre ndëshkohet!

  1. Suneti – السنة النبوية Tradita Profetike – Veprime të rekomandueshme.
  2. Mustehabi – مستحب vepër e preferuar. Për këto veprime ka shpërblime e moskryerja e tyre nuk ndëshkohet.
  3. Mubahu – مباح veprime të lejueshme dhe indiferente, pa shpërblim e pa ndëshkim.

 Ndalesat – المحرمات:

  1. Haram – حرام vepër rreptësisht e ndaluar, autori i tyre ndëshkohet.[25]
  2. Kerahetun – كراهة e urryer, veprime të ulëta, të papranueshme.

-Kerahetu Et-Tahrimijje – التحريمية كراهة – urrejtje e fortë

– Kerahetu Et-Tenzihijje – التنهيزية كراهة – urrejtje e butë.

  1. Mufsid – مفسد e prishur (e shkatërruar).

Kerahetet dhe Mufsidi janë veprime të cilat sheriati nuk i ndëshkon por moskryerja e tyre lavdërohet. Sheriati përfshin çdo aspekt të jetës së njeriut. Indeksi udhëzues i Sheriatit zakonisht ndahet në katër kode të cilat janë:

  1. Kodi që lidhet me adhurimet individuale (El-Ibadat – العبادات) Jurisprudenca e adhurimit
  2. Kodi që lidhet me shkëmbimet ndërnjerëzore (El-Muamelat – المعاملات) Transaksionet.
  3. Kodi që lidhet me martesën dhe divorcin (En-Nikah – النكاح) Jurisprudenca e martesës.
  4. Kodi që lidhet me ndëshkimet penale (El-Hudud – الحدود) Sanksionet.

Nisur nga ajo që thonë dijetarët e Sheriatit Islam, mund të themi se, që të përmbushet mirëqenia e njerëzve është e nevojshme që jeta e tyre të mbështet tek:

  1. Domosdoshmëritë
  2. Nevojat dhe
  3. Plotësimet (përmirësimet)

Domosdoshmëritë

Vepra të detyruara që duhet të kryhen dhe të shoqërohen me qëllimin e mirë dhe në përputhje me nijetin e njeriut, për të cilat ka edhe shpërblim. Domosdoshmëritë janë nevojat jetike tek të cilat bazohet jeta e njeriut në këtë botë si dhe besimi i tij fetar.

Me veprime të preferuara ose të pëlqyera synohen ato vepra që këshillohen të kryhen, ndërkohë të urryera ose të papëlqyera janë ato që nuk këshillohen të veprohen. Mos marrja e tyre në konsideratë e çon njeriun drejt rrënimit të papërballueshëm në këtë jetë ose të ndëshkimit në botën tjetër.

Sipas parimeve islame domosdoshmëritë njerëzore janë pesë:

  1. Ruajtja e Fesë

FEJA – përfaqëson vullnetin apo dëshirën e Zotit për rregullimin e besimit dhe sjelljes së njerëzve në tokë, duke përfshirë çdo aspekt të jetës. Allahu i Madhërishëm ua ka bërë detyrim njerëzve besimin në një Zot dhe adhurimin e Tij. Pikërisht për të garantuar ruajtjen e saj janë vendosur dispozitat që kanë lidhje me respektimin e mësimeve fetare dhe transmetimin e tyre. Sipas Kur’anit dhe Sunetit, Zoti ka shpallur një fe të vetme.

إِنَّ هَـٰذِهِ أُمَّتُكُمْ أُمَّةً وَاحِدَةً وَأَنَا رَبُّكُمْ فَاعْبُدُونِ

Kjo fe është e juaja dhe është e vetmja fe (e shpallur), kurse Unë jam Zoti juaj, pra më adhuroni vetëm Mua.[26] Mbrojtja e fesë është detyrë për çdo mysliman, sepse feja është thelbi dhe fryma e jetës.

  1. Ruajtja e ekzistencës njerëzore

Për të vazhdimësinë e qenies njerëzore, Allahu e ka bërë të ligjshme martesën mes dy njerëzve të gjinive të ndryshme, dhe ka urdhëruar mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të njeriut. Për të ruajtur këtë krijesë Ai ka ndaluar çdo gjë që e dëmton dhe rrezikon jetën e njeriut, si dhe ka përcaktuar ndëshkime për cenimin e të drejtave të tij. Një nga mëkatet më të rënda në Islam është privimi nga jeta, pra vrasja e njeriut të pafajshëm.

وَلَكُمْ فِي الْقِصَاصِ حَيَاةٌ يَا أُولِي الْأَلْبَابِ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ

Kjo masë e dënimit (kisasi-talioni) është jetë për ju, O ju të zotët e mendjes, ashtu që të ruheni (nga mbytja e njëri-tjetrit).[27]

  1. Ruajtja e arsyes

Allahu dëshiron për njerëzit që ata të lartësohen sa më shumë që të jetë e mundur, me anë të mendimit e të arsyes, dhe Ai ka ndaluar çdo gjë që e dëmton dhe e dobëson mendjen e njeriut, si p.sh. përdorimin e pijeve alkoolike dhe drogave, sepse arsyeja dhe mendja e shëndoshë është baza e përgjegjësisë morale, që Allahu i ka dhuruar njeriut.

Mbrojtja e arsyes (diturisë) arrihet duke lexuar, mësuar, studiuar andaj edhe mesazhi kur’anor është “lexo, mëso”, janë fjalët e para që i janë zbritur Muhamedit (a.s.)

 اقْرَأْ بِاسْمِ رَبِّكَ الَّذِي خَلَقَ خَلَقَ الْإِنْسَانَ مِنْ عَلَقٍ اقْرَأْ وَرَبُّكَ الْأَكْرَمُ

Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi. Krijoi njeriun prej gjakut të ngjizur. Lexo për Zotin tënd Bujar![28]

  1. Ruajtja e pasardhësve

Sheriati mbron pasardhësit dhe trashëgiminë. Martesa është ligjësuar për të mbrojtur vazhdimësinë e racës njerëzore; çdo marrëdhënie intime, që del jashtë kufijve të martesës, është e ndaluar dhe i janë vendosur rregulla edukuese, për të garantuar pasardhësit dhe ruajtur vazhdimësinë e racës njerëzore. Për këtë arsye edhe lidhjet paramartesore dhe jashtëmartesore janë të ndaluara dhe të dënuara. Sheriati nuk e ndalon vetëm prostitucionin dhe kurvërinë por edhe çdo gjë që çon deri aty.

وَلَا تَقْرَبُوا الزِّنَىٰ ۖ إِنَّهُ كَانَ فَاحِشَةً وَسَاءَ سَبِيلًا

Dhe mos iu afroni amoralitetit (zinasë), sepse vërtetë është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë e keqe.[29]

  1. Ruajtja e pasurisë

 Pronësia gjithashtu mbrohet me Sheriat. Allahu e ka urdhëruar myslimanin të kujdeset ekonomikisht për veten dhe familjen e tij, duke e mbrojtur pasurinë e tij dhe duke e shtuar atë. Ka vendosur kode që rregullojnë tregtinë dhe shkëmbimet tregtare mes njerëzve, pikërisht për të garantuar një marrëdhënie të drejtë, për të përmbushur drejtësinë financiare dhe për të parandaluar padrejtësinë dhe mosmarrëveshjet. Natyrisht, që të ekzistojë ndjenja e sigurisë, njeriu duhet të ndiejë se produktet e punës së tij janë të mbrojtura dhe se nuk janë objekt i shkatërrimit, dëmtimit apo keqpërdorimit.

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لَا تَأْكُلُوا أَمْوَالَكُمْ بَيْنَكُمْ بِالْبَاطِلِ إِلَّا أَنْ تَكُونَ تِجَارَةً عَنْ تَرَاضٍ مِنْكُمْ ۚ وَلَا تَقْتُلُوا أَنْفُسَكُمْ ۚ إِنَّ اللَّـهَ كَانَ بِكُمْ رَحِيمًا

O ju që besuat, mos e hani mallin e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, përpos tregtisë në të cilën keni pajtueshmëri mes vete, dhe mos mbytni veten tuaj (duke mbytur njëri-tjetrin). Vërtet, Allahu është i mëshirshëm për ju.”[30]

Shpeshherë shprehjet e teksteve të burimeve të Sheriatit aludojnë në më tepër se një kuptim, apo përmbajnë më shumë se një aspekt kuptimor. Është e mundur të ndodhë që për probleme të caktuara të mos gjendet ligj përkatës në tekstet e Sheriatit që do t’i zgjidhë probleme të caktuara, ndërsa njerëzve u intereson gjykimi apo qëndrimi i Sheriatit në lidhje me to. Atëherë, në këto raste, për të dhënë përgjigje duhet të njihen qëllimet e përgjithshme të Sheriatit që të nxirren gjykime të reja në dritë të tyre dhe në pajtim me shpirtin e këtyre objektivave.

Ekspertët e ligjvënies në qeveritë bashkëkohore kujdesen që të shkruajnë dhe përmbledhin shënime shpjeguese për të sqaruar qëllimin e përgjithshëm të ligjit dhe qëllimet e secilit nen në veçanti. Pikërisht këto shënime shpjeguese, bashkë me të gjitha hulumtimet dhe debatet të cilat shënohen me rastin e propozimit dhe miratimit të një ligji, shërbejnë si ndihmesë për juristët dhe gjykatësit për të kuptuar ligjin përkatës dhe për ta zbatuar atë. Nga këto, mund të shohim se interesat e Sheriatit nuk kanë të bëjnë vetëm me aspektet personale të fesë ose riteve të adhurimit, por merren me të gjitha aspektet e jetës. Shteti që pretendon të jetë shtet islam e ka detyrim të mbështesë të drejtën dhe t’i kundërvihet të padrejtës. Shteti islam është përgjegjës për mirëqenien e të gjithë qytetarëve të tij, myslimanë qofshin apo jomyslimanë. Ai duhet t’u sigurojë atyre nevojat bazë të jetës. Sot nuk ka ndonjë shtet islam ideal, por ka disa modele që në vazhdimësi po bëhen përpjekje sistematike që të ndërtohen sisteme islame adekuate, por, tani pёr tani, nё horizont nuk shihet ndonjë dritë shpresëdhënëse nё kёtё drejtim.

[1]. Kur’ani, El-Hadid, ajeti 25.

[2]. Kur’ani, El-Maide, ajeti 42.

[3]. Kur’ani, Al ‘Imran, ajeti 159.                                                   

[4]. Hadithin e transmeton Ahmedi dhe Shafiiu me nr. 3271.

[5]. El-Meusu’a El-fikhijje, botimi I. Kuvajt 1995, vol. 32, f. 189.  

[6]. Kur’ani, El-Ahzab, ajeti 21.

[7]. Ibnu Kajjim El- Xheuzijjeh, “A’lamu El-Muuaki’ine an Rab-bi El-Alemin” redaktuar nga Abdu Err-Rrahma El-Uekil, shtypshkronja El-Medenij , Kajro, pjesa e parё, f. 12.

[8] . Kur’ani, El-Maide, ajeti 48.

[9] . Ibnu Et-Tejmijjeti, “Minhaxhu Es-sunneti En-Nebeuijjeti”, 2/131 (ابن تيمية “منهاج السنة النبوية”)    

[10] . Kur’ani, En-Nahl, ajeti 90.

[11]. El-Meusu’a El-Fikhijjetu, Botimi i Kuvajtit 1995, vol. 32, f. 193. J. Wensinck und J. H. Kramers: Handwörterbuch des Islam (Manuali i fesë islame). Brill, Leiden 1941, f. 130.                                                         

[12]. E transmeton Muauije, gjendet te Buhariu, (arabisht-anglisht), vëll. 4, f. 223-224, hadithi nr. 346; Muslimi Abdul Hamid Sidiki, Sahih Muslim (përkth. në anglisht.), Bejrut: Dar al-Arabia n.d., vëll. 3, f. 1061, hadithi nr. 4720; Tirmidhiu dhe të tjerët.                                                                                                                                                                                            

[13]. Muhamed Shallabi, El-Med’hal fi et-Ta’rif bil-Fikh el-Islami (Bejrut, Dar en-Nehdah el-Arabijeh, 1969), f. 28.

[14]. MBUROJA.net -2 Zhvillimi i Fikhut dhe i Medh’hebeve (Hyrja) Autor: Dr. Bilal Philips. Titulli në origjinal: The Evolution of Fiqh (Islamic Law and the Madh-habs) [version elektronik] ©International Islamic Publishing House, Riyadh, KSA, 2006.

[15]. Sezgin, Prof. Dr. Fuat: Geschichte des arabischen Schrifttums (Historia e shkrimeve arabe). Vol. 1, f. 484-490. Leiden, Brill. 1967                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                 

[16] . Kur’ani, El-Maide, ajetet 15-16.

[17].   من جمادى الآخرة 1375هـ 5 –في  = يناير 1956م-19 عبد الوهاب خلاف: توفي – رحمه الله – في

[18]. Në lidhje me kuptimin dhe përdorimin e këtij termi shih: M. M. Bravmann: The spiritual background of early Islam.

[19]. Kur’ani, En-Nahl, ajeti 44.

[20]. Transmetim i Enes bin Malikut  në “El-Muuetta – الموطأ” 1395.

[21]. Kur’ani, El-Hashr, ajeti 7.

[22]. Transmetim i Ahmedit, Taberaniut dhe të tjerë me nr. 1235.

[23]. Miklos Muranyi (1987), f. 306-307.

[24]. Ibnu Kajjim El- Xheuzijjeh, “A’lamu   El-Muuakiine an Rabi El-Alemin” redaktuar nga Abdu Er-Rahma El-Uekil, shtypshkronja El- Medenij , Kajro pjesa e parё, f. 140-164.

[25]Ignaz GoldziherDie āhiriten. Ihr Lehrsystem und ihre Geschichte. Ein Beitrag zur Geschichte der  muhammedanischen Theologie. (Zahiritët. Sistemi i doktrinës dhe historia e tyre. Studim mbi historinë e teologjisë muhamedane) Leipzig 1884. f. 66-70.

[26]. Kur’ani, El-Enbija’, ajeti 92.

[27]. Kur’ani, El-Bekare, ajeti 179.

[28]. Kur’ani, El-‘Alek, ajetet 1-3.

[29]. Kur’ani, El-Isra’, ajeti 32.

[30]. Kur’ani, En-Nisa’, ajeti 29.

Marrë nga Zaniinaltë.al

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2024 All rights reserved - Bota Islame