Monday 16-09-2024
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

Xhamia e Ethem Beut: Një perlë historike dhe fetare në Zemrën e Tiranës që tërheq vizitorë nga mbarë bota

admin
  • Krijuar : 23-08-24
  • / 140 Lexime

Xhamia e Ethem Beut, e ndërtuar në zemrën e Tiranës në fund të shekullit të 18-të, është një nga monumentet më të vjetra dhe më të rëndësishme të kryeqytetit shqiptar. Edhe pse Tirana ka pasur xhami edhe më të vjetra, shumica e tyre u shkatërruan gjatë periudhës së diktaturës, ndërsa kjo xhami e ka mbijetuar kohërat e vështira dhe është kthyer në një simbol të qytetit.

Kjo xhami mbresëlënëse, me statusin e monumentit të kulturës të kategorisë së parë, tërheq çdo vit mijëra turistë nga mbarë bota. Nga katër anët e globit, vizitorët mbërrijnë për të admiruar arkitekturën e saj unike dhe për të përjetuar historinë e saj të pasur. E njohur për kupolat dhe muret e saj të pikturuara me detaje të jashtëzakonshme, xhamia e Ethem Beut është një nga ndërtesat më të veçanta në Shqipëri.

Vizitorët nga Franca, Londra dhe Spanja, ndër të tjerë, kanë shprehur entuziazmin e tyre për këtë monument të rrallë. Për shumë prej tyre, kjo është hera e parë që vizitojnë një xhami dhe përjetojnë bukurinë e saj të jashtëzakonshme.

Imami i xhamisë, Enes Hyka, shprehet se në ditët e sotme, numri i turistëve që vizitojnë xhaminë është rritur ndjeshëm, dhe për këtë arsye janë vendosur orare të caktuara për vizitat, në mënyrë që të mos pengohet falja e besimtarëve.

E ndërtuar fillimisht nga Mulla Beu në vitin 1793 dhe përfunduar nga djali i tij, Ethem Beu, në vitin 1823, kjo xhami është një dëshmi e jashtëzakonshme e trashëgimisë kulturore dhe fetare të Tiranës. Me kalimin e viteve, ajo vazhdon të mbetet një vend i dashur për qytetarët dhe një atraksion i rëndësishëm për turistët që vizitojnë kryeqytetin shqiptar.

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2024 All rights reserved - Bota Islame