Monday 16-09-2024
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

Pas viteve të ngërçit, Xhamia e Namazgjasë hap dyert

admin
  • Krijuar : 04-09-24
  • / 515 Lexime

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka gjetur një zgjidhje për të hapur Xhaminë e Namazgjasë, pas disa vitesh bllokim për shkak të mungesës së marrëveshjes me palën turke për dorëzimin e objektit. Ky objekt u ndërtua me kontributet e besimtarëve turq.

Në një Letër Angazhimi të publikuar në faqen zyrtare, KMSH ka deklaruar se menaxhimi i xhamisë do të jetë i përbashkët mes shqiptarëve dhe turqve, ndërsa pronësia e saj do t’i përkasë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Gjithashtu, janë ndërmarrë hapat e parë për krijimin e një fondacioni, me përfaqësues nga KMSH dhe pala turke, i cili do të menaxhojë xhaminë dhe kompleksin përreth saj, përfshirë parkingun, dyqanet, bibliotekën, klasat, shatërvanet, abdesthanet dhe kopshtet.

LETRA E ANGAZHIMIT E PUBLIKUAR NGA KMSH

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH) është bashkësi fetare, jo politike, i pavarur nga shteti, i cili përbëhet nga të gjithë besimtarët myslimanë me banim në territorin e Republikës së Shqipërisë, që pranojnë parimet themelore të fesë Islame. KMSH vepron si person juridik me anë të organeve të veta të parashikuara në ligj, në aktin e themelimit si edhe në statutin e tij.

Për realizimin e qëllimeve dhe objektivave të tij, KMSH ka të drejtë të ndërtojë xhami, objekte kulti dhe objekte të tjera në funksion të tyre, brenda të cilave kryhen ceremoni e rite fetare. Po ashtu, KMSH ka të drejtën të hapë edhe qendra kulturore për menaxhimin dhe administrimin e duhur të xhamive dhe objekteve të kultit në pronësi të saj.

Me përfundimin e ndërtimit të Xhamisë së Namazgjasë dhe kompleksit të saj përreth, objektiv i cili tashmë është realizuar me sukses, KMSH dëshiron që këtë objekt kulti ta çelë dhe vërë në përdorim për besimtarët myslimanë në afatet më të mira.

Duke qenë se Xhamia e Namazgjasë do të jetë xhamia më e madhe e vendit, KMSH jep dakordësinë dhe miraton që ky objekt kulti të administrohet nëpërmjet një fondacioni i cili do të jetë autoriteti i vetëm në këtë aspekt dhe do të ketë si qëllim të veçantë marrjen përsipër të menaxhimit, administrimit, funksionimit dhe përdorimit pa afat të xhamisë si edhe të kompleksit përreth saj (i përbërë nga parkingu, dyqanet, restorantet, biblioteka, sallat shumë-funksionale, klasat, shatërvanet, abdesthanet, kopshtet dhe oborri i xhamisë).

Fondacioni do të drejtohet nga Myftiu i Tiranës dhe do të ketë përfaqësues nga të dyja palët. Kryetari i Fondacionit, që është Myftiu i Tiranës, do të ketë të drejtën për të përfaqësuar Fondacionin përpara të tretëve dhe për të firmosur çdo akt që ka të bëjë me regjistrimin e tij./bota-islame.com

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2024 All rights reserved - Bota Islame