Mendjet e ndotura dhe zemrat e çrregullta
- Krijuar : 30-10-24
- / 123 Lexime
Qëllimi i vërtetë i mendjes, e cila është një nga katër elementët themelorë të ndërgjegjes, është njohja e Zotit. Prandaj ajo duhet të jetë vazhdimisht e zënë vetëm se me gjetjen e rrugëve që të çojnë tek Allahu dhe me informacionet e ndijueshme lidhur me handikapet e kësaj rruge dhe kapërcimin e tyre; mandej të ushqehet me dituri që do ta shtyjnë njeriun drejt vullnetit për t’i vënë në zbatim ato informacione.
Mirëpo, shumë herë mendja, e cila kryen përmes aftësive të saj si të kuptuarit, të mësuarit dhe të kujtuarit (kujtesa) detyrën e thuajse një biblioteke që arkivon çdo informacioni që arrin nëpërmjet konstruktit të nënvetëdijes dhe mbivetëdijes, mund të bjerë prè e pushtimit nga mendime të gjymtuara, bindje të gabuara dhe bestytni (besime të rreme); të mbushet me imazhe të shëmtuara, tinguj të ashpër dhe mbeturina fjalësh të pahijshme. Kështu, çdo gjë që ka lidhje ose jo, të largët, apo të afërme, me njohjen e Zotit, lë një njollë të vogël ose të madhe në mendje, duke shkaktuar kësisoj ndotjen e saj.
Shigjetat e djallit
Mendja ndotet fillimisht nga mëkatet, fajet, gabimet dhe të këqijat. çdo mëkat, çdo faj dhe çdo bëmë e keqe lënë medoemos nga një gjurmë tek ai. Edhe pse shumë herë njeriu nuk është i vetëdijshëm për ndotjen e mendjes, me kalimin e kohës ai do të fillojë t’i ndiejë shenjat e saj në zemrën dhe ndjenjat e tij. Kjo lloj ndotjeje e shuan pasionin për të vazhduar bërjen e punëv të mbara, pakëson dëshirën për vijimësi të bëmave të mira dhe i jep forcë prirjes ndaj së keqes.
Po, njeriu i sotëm është prè e një katastrofe të tillë, siç është ndotja e mendjes dhe njëfarësoj, mund të konsiderohen të pafat. Sot, edhe kur dalin në rrugë, është thuajse e sigurt që sytë e tyre do të përballen me një varg mëkatesh. Takimi me pamje që do të shkaktojnë neveri në botët shpirtërore të tyre. Veshët bartin e gjuhët prodhojnë veç ndotësi. Kudo dëgjon fjalë të papërshtatshme, fraza të shëmtuara, të cilat hidhen e priten pas krahëve të aksh ose aksh njeriu; bisedat fillojnë me përgojime, vazhdojnë me gënjeshtra dhe mbyllen me shpifje. Ndosin ata që flasin; ndoten ata që i tolerojnë duke i dëgjuar dhe duke u bërë pjesë e barrës së fajit të tyre. Kështu pra, përjetohet një ndotje tejet serioze e mendjes njerëzore.
Një situatë e këtillë kaq e keqe krijon edhe ambientin e përshtatshëm për ndërhyrjen e shejtanit, gjersa ky i fundit i merr nën kontroll dhe i shfrytëzon në interes të vet këto mendje. Prandaj, njerëzit e kanë të vështirë që të gjejnë mundësinë e drejtimit kah Allahu (xh.xh.) me një zemër të kulluar. Madje, nëse ato mëkate që janë kthyer tashmë në njolla nuk pastrohen me pendesë, por shtohen e shtohen, atëherë të gjitha këto ndotje të hedhura njëra mbi tjetrën marrin trajtën e një perdeje, që ua pret udhën reflektimeve të ardhura nga Allahu, pengon ndihmesën hyjnore dhe zemrat e mbetura tashmë pa mbrojtje, kthehen në shënjestra të shigjetave të mohimit që vijnë prej djallit.
Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) e paralajmëron umetin e Tij ndaj një fatkeqësie të këtillë duke thënë: “Të shikuarit (???) është një shigjetë nga shigjetat e helmatisura të djallit”, dhe duke na përcjellë fjalën përgëzuese të Allahut (xh.sh.), në të cilën thotë: “Atij që e braktis shikimin e mëkatit nga frika që ka prej Meje, i fus në zemrën e tij një gëzim e ëmbëlsi të freskët të atillë besimi, aq sa ai do të ndiejë kënaqësinë e besimit gjer në thellësitë e zemrës”.
Profeti ynë i Nderuar (alejhi ekmelu’t-tehaja), që sillej me shumë delikatesë për sa i përket mbrojtjes së umetit të Tij karshi sulmeve të maktit, që mund të vinin së jashtmi, në një kohë kur të gjithë, burra e gra, ishin të fiksuar pas ndershmërisë, teksa ktheheshin nga Arafati, pasi kishin kryer qëndrimin e Haxhit, i kthente kokën majtas-djathtas Fadlit (djalit të Abasit të nderuar), të cilin e kishte marrë para vetes mbi kafshën e tij të rrugës, për ta ndihmuar që të mos i shkonin sytë te gratë që ishin përreth. Koha ishte koha e lumturisë, ishte stina e Haxhit dhe njeriu të cilin i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) e kishte marrë me vete dhe i kthente kokën majtas-djathtas ishte Fadli i nderuar, ndershmërinë e të cilit askush nuk mund ta vinte në dyshim. Edhe në një situatë të tillë, kur gjithsa është e pamundur, kthimi i fytyrës së Fadlit sa nga njëra anë në tjetrën, që të mos i japë shkas imagjinatës, apo që ndonjë shigjetë rrugaçe t’i shpojë zemrën, tregon ndjeshmërinë dhe delikatesën e Profetit tonë për sa i përket çështjeje dhe përbën një shembull për mbarë ndjekësit e Tij.
Njëherë tjetër, Profeti ynë Fisnik i pati thënë Aliut të nderuar (radijallahu anh): “O Ali, shikimi i parë është për të mirën tënde, por i dyti është kundër teje”; Ai e ka vënë theksin se ngase nuk është me dashje, shikimi i parë nuk bart përgjegjësi, mirëpo i dyti, ngaqë është i vullnetshëm, do t’i shkruhet si mëkat; i pati tërhequr vëmendjen që mëkateve nuk u duhej lënë udhë, duke i prerë që në krye rrugët që të çojnë drejt së ndaluarës.
Ndotja e mendjes që buron së brendshmi
Krahas njollave dhe ndotësive që vijnë së jashtmi janë edhe gjurmët që mbeten nga mendimet e pahijshme që krijojnë ato. Imagjinatën tuaj fillojnë ta shpojnë dhe depërtojnë mendime të ndotura të llojit “Filani pse tha kështu, po aksh njeri pse veproi kështu?”, duke u ngulur në imagjinimet tuaja porsi një gjemb dhe jua plagos ndjenjat. Madje, edhe nëse nuk jeni ju marrësi i atyre fjalëve a veprimeve, që ju shkaktojnë shqetësim në shpirt, ju hyni më kot në përgojim duke e biseduar gjendjen e të tjerëve sikur kjo të ishte një detyrë e juaja, sikur ky të ishte një obligim i lënë mbi supet tuaja, sidomos edhe nëse ju nuk i keni mundësitë për ta zgjidhur atë çështje, e kështu dyshimet brenda jush zmadhohen, aq sa ju brejnë e ju hanë së brenshmi dhe ju mbeteni pre e një ndotjeje tjetërlloj të mendjes. Vetë, personalisht, hidhërohem shumë teksa shoh se si shumica e njerëzve kanë rënë pre e një sëmundjeje kaq të madhe dhe më duket se kjo ndotje mendore është në përmasa më të gjera e gjithëpërfshirëse.
Njeriu, duke qëndruar larg rrugëve dhe shesheve, hapësirave të prirura ndaj së keqes apo vendeve ku mundësia për të hyrë në mëkat është më e madhe, mund të marrë masat e nevojshme për t’u mbrojtur nga njollat e mëkatit që mund t’i ngjiten së jashtmi dhe kësisoj ta mbrojë vetveten. Mirëpo, është shumë e vështirë që të mund t’u ikni dot mendimeve dhe imagjinatës suaj. Ato janë përherë me ju, kur uleni, kur ngriheni, kur hani, kur pini. Edhe nëse do të shkoni të flini, për të shpëtuar syresh, ende pa i mbyllur mirë sytë djalli do t’jua hedhë ato para si të ishin sfera të qelqta. Kështu e harroni fare edhe gjumin dhe filloni, porsi fëmijët, të luani me to njësoj siç luajnë fëmijët e vegjël. Zini të gjykoni duke e mbajtur mendjen të zënë me gjykime të tilla, si: “Pse është kaq mosmirënjohës aksh njeri, po filani pse është kaq i pandjeshëm, po ky tjetri, pse e ka kaq të cekët marrëdhënien me Allahun?” Në të vërtetë, Kurani dhe Suneti i kanë parashtruar të gjitha sa duhen bërë në lidhje me këto çështje; te to janë shpallur të gjitha sistemet që ndihmojnë në zgjidhjen e problematikave të tilla; janë përcaktuar të gjitha çëshjet që u duhen shpjeguar denjësisht njerëzve. Dhe, në vend se të mbani një qëndrim dhe të veproni në përputhje këto parime, zhytja në mendime të tilla, që janë fare të padobishme, bëhet shkak që imagjinata dhe mendimet të shndërrohen në keqpandehma dhe për rrjedhojë, bie në ndotje të mendjes.
Ndoshta është pikërisht kjo ndotje e mendjes që i bën disa njerëz të thonë edhe njëqind herë “esta’firullah” në ditë. Edhe kur ju i rezistoni seriozisht kësaj ndotjeje, zërat, fjalët dhe imazhet që përplasen deri edhe me ndjesitë tuaja më të holla njëra pas tjetrës, porsi plumbat e automatikëve i kapin njëfarësoj mendimet dhe imagjinimet tuaja. Me to përplasen herë vështrime të çuditshme, nganjëherë qëndrime të habitshme, njëherë tjetër botëkuptime të gjymtuara, e herë-herë edhe arratisje nga vetja. Sado i duruar të jeni dhe t’i ekuilibroni me realitete të ndryshme ato që shikoni dhe dëgjoni, imagjinata dhe mendimet tuaja mbeten të pafuqishme dhe e kanë të pamundur të vrapojnë, si pretë që e kanë të pamundur t’ia mbathin prej një përbindëshi grabitqar; shikoni se zemra, vetëdija dhe logjika juaj nuk bëjnë dot të njëjtën rezistencë. Edhe pse imagjinata, që nuk i njeh kufijtë e logjikës dhe fuqisë, e që nuk kapërthehet dot në kufijtë e kohës dhe hapësirës, shumë herë bie në rrjetën e ndjesive të liga, duke u mbërthyer nga mendimet e këqija. Derisa, në përfundim, minuta shumë të çmuara shkrijnë e ikin tej me imagjinime të padobishme; ndërsa mendja pushtohet nga mendime që nuk sjellin as dobinë më të vogël dhe njëfarësoj robërohet.
Duke qenë se zemra është e lidhur me kokën, me kalimin e kohës këto papastërti të mendjes rrjedhin edhe në zemër dhe krijojnë atje atë që përmendet në Kuran si “ràne”, që do të thotë “njollë ndryshku që zmbadhohet dhe kaplon tërë zemrën. Allahu i Madhërishëm ka shpallur: “Jo, jo! ç’është e vërteta, me bëmat e këqija që bënë, zemrat e tyre i kaploi (njolla) ndryshku (andaj edhe jetojnë në mohim)”. Madje këtë e ka shprehur edhe i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) me fjalët: “çdo mëkat krijon një pikë të zezë, lë një njollë në zemrën e atij që e kryen atë. Nëse robi pendohet dhe heq dorë prej atij mëkati, duke kërkuar falje, zemra e tij fillon të shkëlqejë sërish. Nëse kthehet dhe e kryen sërish atë mëkat, ato njolla zmadhohen, gjersa vjen një çast dhe ato e zaptojnë krejt zemrën e tij. Ja, kjo është “ràne” që pëmendet në ajetin kuranor”. - duke ofruar edhe një interpretim të Tijin të fjalës hyjnore. Po, mbarë horizontet e zemrës së kapluar prej ndryshkut nxijnë; ajo e humbet edhe aftësinë e saj për të ndarë të mirën nga e keqja; fillon ta shohë të bardhën të zezë dhe të zezën të bardhë; fillon dhe bëhet shumë e vështirë që ajo të kthehet edhe njëherë siç ishte, duke arritur edhe njëherë qashtërsinë e mëhershme. Madje ka herë që kthimi i saj në origjinë bëhet krejtësisht i pamundur. Tanimë është e pashmangshme, njeriu që ka kaluar në gjithfarë deformimesh për faj të përhumbjes dhe ligësive të bëra, është i destinuar të përjetojë humbje të njëpasnjëshme.
Rreziqet e ndotjes së mendjes
Humbja e parë është dobësimi i përqendrimit. Një njeri që përjeton shpërqendrim në mendje dhe në zemër, fillon të mos përqendrohet dot as në çështjet më parësore, te të cilat ai duhet të ndalet medoemos; nuk i kushton dot më vëmendje të plotë as çështjeve më jetike. Një njeri që ka një jetë të zemrës të hallakatur, nuk mund të jetë plotësisht i kujdesshëm në asnjë çështje, sepse përqendrimi është një temë në të cilën nuk ka vend për rrëmujën. Përqendrimi i vështrimit në një pikë është aq shumë i rëndësishëm, sa që Bediuzamani i nderuar ka thënë: “nëse e përqendroni shikimin mbi një copë qelqi, me kalimin e kohës në imagjinatë do të hapet një dritare që sheh kah “bota e shëmbëlltyrave” dhe në atë pasqyrë mund të dëshmohen mjaft gjëra të habitshme dhe, në të vërtetë, “nuk do të hapet një dritare në pasqyrë, por, për shkak të shikimit të kujdesshëm në pasqyrë, do të hapet një dritare kah imagjinata juaj”. Po, sikur ta provoni edhe ju, ta fiksoni për një çast shikimin drejt një objekti të caktuar, do të shikoni se do të hapen shumë porta kah bota e shëmbëlltyrave. Mirëpo shpërqendrimi në zemër dhe në mendje bëhet pengesë për t’u përqendruar qoftë edhe te kënaqësia e Allahut, që është synimi imagjinar më i rëndësishëm dhe e largon njeriun edhe prej një synimi të tillë, për të cilin lipset një vështrim gjithëpërfshirës.
Nga ana tjetër, ndotja e mendjes e shëtit njeriun nëpër gjërat më të kota e pa vlerë; e gjezdis mes ëndrrash të pamundura dhe ia vjedh dalëngadalë, sekondat, minutat, orët, gjersa ia rrëmben gjithë kohën. Nëse njeriu ndotet në mendje dhe shpërqendrohet në zemër, vend që të lexojë gjëra të dobishme e të zhytet në imagjinime të bukura, në vend që të shohë e të mendojë bukur, në vend që të mbushet e të mbushet pa pra e të zbrazet për sa i përket lidhjes me Allahun dhe jetën e përtejme, e të shëtisë nëpër kënaqësi shpirtërore, ai kalon kohë me ëndrra të kota, duke e çuar dëm kohën e tij; përjeton zhgënjime shumë të mëdha, si në ndjenja, ashtu edhe në mendimet e tij.
Ndoshta rezultati më i dëmshëm i ndotjes mendore janë ankesat dhe sharjet, të cilat janë fjalë të egos; domethënë fjalë të pahijshme, shprehje të shëmtuara, përbaltje dhe gjykime kritike të rënda, që edhe pse mund të mos shprehen, shfaqen në formën e një mendimi dhe ngarkojnë zemrën dhe kokën. Për shembull, nëse ju ka mbetur në mendje se si një person e fal shkujdesur namazin, apo që është i pakujdesshëm në lutje, apo që sillet tejet shkujdesur në mesin e njerëzve, këto shfaqen njëherë në trajtën e një mjegulle në mendjen tuaj; në fillim janë vetëmse nga një imagjinim, por, me kalimin e kohës marrin formën e mendimit; nëse ju nuk e ndërprisni menjëherë përqendrimin tuaj, duke u përqendruar më shumë në mendime të tjera, mendimi juaj kthehet në arsyetim, madje edhe më keq, në bindje. Zini të jepni menjëherë gjykimin tuaj për atë njeri, duke thënë: “Shih ç’mëkatar që qenka ky!” Me gjasë as gjuha, as buzët nuk ju lëvizin fare e nuk e thoni diçka të tillë, por, sa herë që ta përmendni atë njeri, brenda jush fillon të mbizotërojë gjykimi si “mëkatar” për atë njeri. Ja pra, edhe këto lloj mendimesh e fjalësh të pahijshme janë një llj sëmundjeje shumë e rrezikshme që e vrasin zemrën dhe e paralizojnë shpirtin.
“Estag’firullah” edhe për imagjinatën
Për mendimin tim, ai që është besimtar duhet t’i kontrollojë deri edhe ato që imagjinon, me një delikatesë dhe ndjeshmëri si ajo e Muhasibiut dhe t’i kërkojë Allahut që ta mbrojë nga ato që janë të shëmtuara dhe të thotë “estag’firullah” për ato që i përplasen në mendje dhe ia depërtojnë atë. Duhet zhvilluar te të gjithë ndjenja e pendimit edhe për imagjinimet, mjaft që njerëzit të mos shtyhen drejt vesveseve. Sepse, nganjëherë, prej një vargu kujtimesh të caktuara në mendje vijnë disa mendime të padëshiruara dhe shqetësuese, imazhe të shëmtuara apo fjalë të këqija dhe disa shpirtra, që janë të ndjeshme, besojnë se ato kanë ardhur si pasojë sëmundjeve të zemrave të tyre, apo ngase ata janë duke qëndruar në një pozicion të rrëshqitshëm. Po të thellohen pak në atë çështje, ata mund të bien pre e dyshimeve, duke thënë: “Me sa duket mua më është prishur zemra dhe unë qenkam i hapur ndaj të gjitha shthurjeve”, - dhe të bien pre e lojës së djallit. Ja pra, për t’u treguar të kujdesshëm dhe që të mos biem/i fusim njerëzit në dyshime, njeriu duhet t’i kontrollojë të gjitha mendimet e veta, si ato të vullnetshme, ashtu edhe ato që janë fryt i imagjinatës. Për shembull, sikur për një çast të zhytet në mendime, si: “Vallë, kështu mendon edhe aksh njeri për mua?”, ai duhet të vihet menjëherë në alarm dhe të pendohet sikur të kishte kryer një mëkat shumë të rëndë. Ai person mund të ketë menduar vërtet ashtu. Mirëpo, Allahu i Madhërishëm (xh.xh.) do t’ia kërkojë atij që e kryen llogarinë e mëkatit; askujt tjetër nuk ka se ç’i duhet për mëkatin e kryer. Sidoqoftë e vërteta, të përfshihesh në mendime të këtilla dhe prej tyre të arrish në gjykime të caktuara, janë gjëra që i shkaktojnë shumë humbje njeriut, e bën të ecë nëpër luginat e mëkatit dhe e largon sakaq nga atmosfera e shpërblimit hyjnor. Po, duhet zgjuar te njerëzit mendimi i kontrollit dhe hetimit të vetes, aq sa askush të mos i shohë dot as mëkatet më të mëdha të të tjerëve, ngase çdokush është i zënë duke u marrë me përmirësimin e të metave e gabimeve të veta… edhe sikur në ëndërr të hyjë në mëkat, të pendohet dhe ta gjykojë veten ashpër, duke thënë: “Po të mos ishte imagjinata ime e hapur ndaj shthurjes, si do të hynte ky mëkat në ëndrrat e mia!”
Po, paqja dhe lumturia shpirtërore e vërtetë mund të arrihen vetëm me shpëtimin e mendjes nga rrëmuja dhe rrënimi i mendimit dhe nga ushqimi me bindje dhe qetësimi i zemrës. çdo njeri me mendjen të pandotur, mund ta arrijë lumturinë e vërtetë duke u hapur ndaj klimës së pasosur të zemrës sajë shpirtit të tij të bërë me flatra. Dhe kushti më i rëndësishëm për ta kapur këtë fatlumësi është pajisja e bibliotekës së mendjes me mendime të pastra dhe ndriçimi i thesarit të zemrës me ndjenja të paqta.
Megjithatë, tani për tani, pikën le t’ia vendosim duke risjellë në kujtesë edhe njëherë qortimin shembullor të Epiktetit lidhur me këtë temë: “Kur të kapesh nga ëndrra të këqija, bëj ç’të mundësh që të shpëtosh një çast e më parë syresh dhe të largohesh nga ai terren i rrezikshëm. Në të kundërt, imagjinata do të të shtyjë drejt luginash të atilla, nga të cilat e ke të pamundur të kthehesh pas”.
"Për të vazhduar punën tonë dhe për të sjellë më shumë përmbajtje të vlefshme për ju, ju lutemi të merrni në konsideratë dhurimin e një shume të vogël. Çdo kontribut është i çmuar për ne dhe do të shkojë në përhapjen e përmbajtjes sonë dhe promovimin e vlerave të shumta dhe të bukura të Islamit në të gjithë botën, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni."
DHUROShare News
-
Të fundit
-
Më të lexuarat