Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori pjesë si referues në Konferencën Ndërkombëtare me temë "Arsimimi i Vajzave në Komunitetet Myslimane: Sfidat dhe Mundësitë", e cila u zhvillua në Islamabad, kryeqytetin e Pakistanit.
Kjo konferencë u organizua nga Liga Botërore Islame (RABITA) në bashkëpunim me Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OIC) dhe nën kujdesin e z. Muhammad Shehbaz Sharif, Kryeministër i Republikës Islamike të Pakistanit, së bashku me anëtarë të qeverisë së tij dhe disa parlamentarë.
Kryetari Spahiu mori pjesë në këtë konferencë të rëndësishme me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të Ligës Botërore Islame, Dr. Muhammad Al-Issa.
Kjo konferenca mblodhi liderë të shquar fetarë dhe institucionalë nga bota islame, anëtarë të qeverisë pakistaneze, parlamentarë, ministra dhe përfaqësues te qeverive nga vende të ndryshme, myftinj nga mbarë bota, anëtarë të këshillave fetare dhe ekspertë të sektorëve të arsimit dhe arsimit të lartë.
Në fjalimin e tij, Kryetari i KMSH-së theksoi se arsimi i grave është një prej shtyllave kyçe të zhvillimit të shoqërive dhe një detyrim fetar për çdo mysliman dhe myslimane. Ai prezantoi një punim me temë: “Edukimi i grave në perspektivën islame”, ku trajtoi rolin historik të grave myslimane në zhvillimin shoqëror, ekonomik dhe kulturor, si dhe sfidat e vazhdueshme që hasin në qasjen ndaj arsimimit.
“Feja islame, që në fillimet e saj, ka theksuar rëndësinë e diturisë si një detyrë e përbashkët për burrat dhe gratë. Historia islame është e pasur me shembuj të grave që kanë kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme në fushën e dijes, duke përfshirë figura si nëna e besimtarëve, Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të), e cila ishte një nga referencat kryesore për fetvatë dhe interpretimin e Kuranit,” tha Kryetari Spahiu gjatë fjalimit të tij.
Ai gjithashtu trajtoi disa nga sfidat bashkëkohore që pengojnë arsimimin e vajzave në disa shoqëri myslimane, duke përfshirë zakonet dhe traditat e vjetruara, varfërinë dhe mungesën e burimeve arsimore, si dhe ndikimin kulturor global që shpesh paraqet një imazh të gabuar të gruas myslimane.
Në fund të fjalës së tij, Kryetari Spahiu paraqiti një sërë rekomandimesh për nxitjen e arsimit të grave, ndër të cilat: krijimi i kurrikulave që pasqyrojnë rolin e grave myslimane në histori, mbështetja financiare dhe edukative për vajzat në zonat e margjinalizuara, trajnimi i mësueseve të kualifikuara dhe promovimi i një vizioni islam të balancuar që fuqizon gratë duke respektuar vlerat fetare.
Kryetari i KMSH-së shprehu falënderimet e tij të veçanta për Ligën Botërore Islame për organizimin e konferencës dhe për shtetin e Pakistanit për mikpritjen e ngrohtë dhe përkrahjen e kësaj nisme të rëndësishme. Ai theksoi se mbajtja e kësaj konference në Islamabad pasqyron përkushtimin e përbashkët për të promovuar arsimimin si një element kyç për zhvillimin e qëndrueshëm dhe fuqizimin e grave në shoqëritë myslimane.
Konferenca do të përfundojë me shpalljen e Deklaratës së Islamabadit mbi Arsimin e Vajzave, një dokument që do t’u shpërndahet organizatave ndërkombëtare qeveritare dhe joqeveritare. Një nga qëllimet kryesore të kësaj deklarate është edhe propozimi për caktimin e një dite ndërkombëtare të dedikuar për promovimin e arsimimit të vajzave./kmsh