Wednesday 05-02-2025
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

“Ne do ta marrim Gazën, ky është plani që kemi”- Çfarë deklaroi Trump krah Netanyahu-t

admin
  • Krijuar : 05-02-25
  • / 292 Lexime

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara duhet të marrin kontrollin e Rripit të Gazës, ta zhvillojnë ekonomikisht dhe të zhvendosin popullsinë palestineze në zona të tjera të rajonit. Këto komente ai i bëri gjatë një konference për shtyp, me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, pas takimit që patën në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti amerikan argumentoi se një masë e tillë do të sillte “stabilitet të madh” në Lindjen e Mesme.

 

“SHBA do të marrë Rripin e Gazës dhe ne do ta zotërojmë atë,” tha Trump, duke shtuar se administrata amerikane do të ishte përgjegjëse për çmontimin e armëve dhe bombave të pashpërthyera në territor. Ai propozoi nivelimin e infrastrukturës ekzistuese dhe ndërtimin e një ekonomie të re, që sipas tij, do të siguronte “një numër të pakufizuar vendesh pune dhe strehimi për njerëzit e zonës”.

 

Presidenti amerikan tha se rindërtimi në Gaza do të kryehej nga SHBA-të.

Trump u pyet se çfarë autoriteti ka ai për të larguar popullsinë prej 1.8 milionë banorësh nga Gaza.

Ai u përgjigj: “Unë shoh një pozicion afatgjatë të pronësisë dhe e shoh që sjell një stabilitet të madh në atë pjesë të Lindjes së Mesme, dhe ndoshta në të gjithë Lindjen e Mesme, dhe me të gjithë ata me të cilët kam folur, ky nuk ishte një vendim i marrë lehtë.”

Gjatë takimit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Trump theksoi se Gaza ka qenë e përfshirë në konflikt për dekada dhe se banorët do të përfitonin nga plani një “zonë të bukur ku do të jetonin përgjithmonë, në shtëpi të reja dhe të sigurta”.

Sipas presidentit amerikan, vendet fqinje si Jordania dhe Egjipti do të ndihmonin në zhvendosjen e popullsisë, pavarësisht refuzimeve të mëparshme nga udhëheqësit e tyre.

“Kam një ndjenjë se mbreti i Jordanisë dhe Egjipti do të hapin zemrat e tyre dhe do të na japin atë lloj toke që na nevojitet,” tha ai.

Në fund të konferencës, Trump prezantoi vizionin e tij për të ardhmen e Gazës, duke sugjeruar se territori mund të shndërrohet në një qendër ekonomike dhe turistike ndërkombëtare. “Ne kemi një mundësi për të bërë diçka fenomenale,” tha ai. “Gaza mund të bëhet Riviera e Lindjes së Mesme, një vend i klasit botëror për të gjithë, përfshirë palestinezët.”

Propozimi i Trump për kontrollin e Gazës dhe zhvendosjen e popullsisë pritet të ngjallë reagime të forta në skenën ndërkombëtare, veçanërisht mes vendeve arabe dhe organizatave ndërkombëtare që kanë kundërshtuar më parë iniciativa të ngjashme.

Jordania dhe Egjipti kanë qenë dy vendet e para që kanë refuzuar planin e Trump./ euronews albania 

 

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2024 All rights reserved - Bota Islame