E di që kam bredhur në terrene të vështira. Çfarë e bën shkencën islame, ose me fjalë të tjera, ajo që i shton një dimension fetar shkencës, është një pyetje problematike sepse përgjigja varet nga disa përkufizime që nuk njihen botërisht. Por le të përpiqemi ta shikojmë çështjen nga perspektiva e traditës islame, e cila ka në thelb konceptin e Teuhidit, Unitetit të Zotit.
Ky koncept është mishëruar në pjesën e parë të Shehadetit, dëshmia e besimit: “Nuk ka Zot tjetër përveç Zotit”. Gjithçka në qytetërimin islam, duke përfshirë edhe shkencat, ka dalë nga kjo deklaratë themelore, e cila është një shprehje e transcendencës së unitetit hyjnor. Kjo vetëdije e Njëshmërisë së Zotit është vendosur në qendër të botëkuptimit islam, në mënyrë që të veprojë si një forcë drejtuese që tërheq drejt vetes të gjitha nivelet e realitetit të manifestuar në rrafshin kozmik. Të shpallësh se nuk ka zot tjetër përveç Zotit, do të thotë të dëshmosh se ekziston një parim thelbësor unifikues pas shumësisë së dukshme të universit, i cili, në Islam, nuk kufizohet thjesht në realitetin e vëzhgueshëm dhe të perceptueshëm, por shkon përtej sferës së të Padukshmes.
Për më shumë se 1400 vjet, muslimanët, si dhe disa jomuslimanë, kanë marrë frymëzim nga Kurani, të cilin ata e konsiderojnë si Fjala e vërtetë e Zotit, e shpallur Pejgamberit Muhamed nga kryeengjëlli Xhebrail. Për muslimanët, Kurani jo vetëm që përcakton atë që është e ligjshme dhe çfarë nuk është, por gjithashtu përcakton shtrirjen e veprimtarisë njerëzore - nga ngjizja deri në vdekje, dhe përtej vdekjes fizike te ringjallja dhe jeta pas vdekjes.
Për shkak se zhvillimet në shkenca, si në çdo disiplinë, varen kryesisht nga botëkuptimi i veçantë i praktikuesve të tyre, rritja e degëve të ndryshme të shkencës në qytetërimin islam mund të lidhet me botëkuptimin islam, dhe kjo marrëdhënie mund të studiohet në një sërë mënyrash. Meqenëse shkenca është një disiplinë me një subjekt, metodologji, teori dhe njohuri të akumuluara mirë të përcaktuara, procesi shkencor është një fenomen social dhe epistemologjik, i varur nga botëkuptimi i praktikuesve të tij.
Botëkuptimi islam bazohet në Librin e shpallur, Kuranin, i cili pranon si të zgjidhura enigmat themelore të jetës - lindjen, vdekjen, ringjalljen dhe jetën pas vdekjes. Qëllimi i tij themelor është të drejtojë veprimtarinë njerëzore brenda kufijve ligjorë. Ai u jep njerëzve të drejtën themelore për të bërë zgjedhje morale midis së drejtës dhe të gabuarës dhe na bën thirrje të reflektojmë mbi pasojat e zgjedhjeve tona. Përveç një numri të madh shembujsh historikë, Kurani ua paraqet njerëzve të gjithë universin e manifestuar si fushën tonë të reflektimit. Si përmbledhje, botëkuptimi islam - i përqendruar në konceptin e vetëm të Teuhidit - sqaron qartë hierarkinë e qenieve të krijuara, vendos kufijtë e tyre ligjorë dhe i vendos njerëzit në qendër të universit të krijuar dhe zemrën njerëzore në qendër të ekzistencës njerëzore. Është zemra nga e cila rrjedhin të gjitha veprimet dhe mendimet, të gjitha zbulimet dhe të gjitha shkencat.
Duke pranuar këtë besëlidhje të ofruar për ne, njerëzit kanë hyrë në një marrëdhënie të veçantë dhe unike me Zotin, e cila na dallon nga krijesat e tjera. Në themel të kësaj marrëdhënieje është fjala e komunikuar - të folurit e kuptueshëm - që del nga gjuha si një instrument i gjendjes së brendshme të shpirtit. Një lexues i vëmendshëm i Kuranit zbulon, vazhdimisht, se dimensionet e brendshme të disa akteve të adhurimit – si agjërimi, lutjet dhe haxhi – e përgatisin trupin për të marrë hirin hyjnor duke qenë vigjilent, pranues dhe në gjendje e paqes me shkrimin hyjnor (emru Rabbi). Në Islam, ky pastrim i zemrës nëpërmjet aplikimit të fuqishëm në një disiplinë konsiderohet të jetë pjesë përbërëse e metodologjisë së përvetësimit të dijes. Kështu, nuk është e pazakontë të gjesh shembuj të shkencëtarëve të një niveli të lartë (për shembull, Ibn Sina dhe El-Biruni) të cilët iu lutën me zjarr Zotit dhe kërkuan ndihmë hyjnore për të zgjidhur problemet e tyre shkencore dhe filozofike.
Që në fillim, Islami u dha muslimanëve një depo të pasur të terminologjisë teknike, e cila shpejt hapi rrugën për zhvillimin e një kuadri konceptual nga i cili dolën në kohën e duhur degë të ndryshme të shkencës. Kjo terminologji bazohet në thelb në konceptet kuranore të jetës, vdekjes, ringjalljes, pejgamberisë dhe përgjigjes sonë morale ndaj të gjithë skemës së një krijimi të qëllimshëm të universit.
KONCEPTET ISLAME TË DIJES DHE NATYRËS
Vlen të përmendet se vetë dëshmia e besimit është një deklaratë e dituri



