Myftinia e Durrësit, në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, organizoi aktivitetin “Trëndafili i Medinës”, kushtuar jetës, veprës dhe mesazhit të Profetit Muhamed ﷺ.
Takimi u zhvillua në Sallën e Konferencave të Qendrës Tregtare Blustar, me pjesëmarrjen e Myftiut të Durrësit, Eduard Shefkiu; Nënkryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Lauren Luli; imamit të Xhamisë së Qendrës, Ervin Qylafku; si dhe të hoxhallarëve, besimtarëve e qytetarëve të shumtë.
Programi nisi me leximin e ajeteve kuranore dhe shfaqjen e një dokumentari të shkurtër për Profetin Muhamed ﷺ. Në fjalën e tij, myftiu Eduard Shefkiu foli për rëndësinë e njohjes së jetës së Profetit ﷺ dhe ndjekjes së Sunetit të tij në jetën e përditshme.
Nënkryetari i KMSH-së, Lauren Luli, trajtoi ndryshimet që mesazhi profetik solli në shoqërinë e kohës, duke u ndalur te morali, edukimi, drejtësia dhe sjellja e mirë me njerëzit. Ndërsa imami Ervin Qylafku foli për cilësitë morale të Profetit ﷺ dhe përgjegjësinë e besimtarëve për ta njohur, dashur dhe ndjekur shembullin e tij.
Aktiviteti u mbyll me një koktej të organizuar nga Myftinia e Durrësit për pjesëmarrësit.





















