Në Stamboll është hapur më 28 gusht Java e Mevlid-i Nebi 2026, organizuar nga Presidenca e Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet). Ceremonia u zhvillua në Qendrën e Kongreseve Haliç, me pjesëmarrjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe kreut të Diyanetit, Prof. Dr. Safi Arpaguş.
Tema e këtij viti është “Profeti ynë dhe morali i bukur” (Peygamberimiz ve Güzel Ahlak). Sipas Diyanetit, synimi është që përkujtimi i lindjes së Profetit Muhamed ﷺ të shërbejë edhe për njohjen dhe zbatimin në jetën e përditshme të vlerave që ai përfaqësoi, si drejtësia, mëshira, mirësia dhe përgjegjësia morale.
Gjatë javës, në xhami dhe institucione të ndryshme të Turqisë do të zhvillohen konferenca, panele dhe takime, me vëmendje të veçantë ndaj të rinjve. Janë parashikuar gjithashtu konkurse për nxënësit dhe kursantët e Kur’anit, ndërsa Diyanet TV dhe radiot e institucionit do të transmetojnë programe të posaçme.
Kreu i Diyanetit, Safi Arpaguş, theksoi se përkujtimi i Mevludit nuk duhet të kufizohet te shprehja e dashurisë për Profetin ﷺ, por të shërbejë për njohjen e jetës së tij dhe pasqyrimin e moralit profetik në sjelljen e besimtarit.
*Njoftimet dhe fotografite zyrtare te Diyanetit





