Sot, më 28 Nëntor, ndërsa festojmë 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, përkujtojmë edhe 71-vjetorin e lindjes së Adem Jasharit.
Për të kuptuar madhështinë e kësaj figure, mjafton të vendosim në njërën anë të peshores atë që ai kërkonte për veten dhe në anën tjetër atë që dha për atdheun.
Ai nuk luftoi nga dëshira për pushtet, për të qenë i pari i vendit, për të zënë bajraqe, për të fituar tituj apo privilegje për veten dhe familjen e tij.
Po çfarë dha?
Dha jetën e tij. Në Prekaz humbi babanë dhe nënën, bashkëshorten Adilen, dy djemtë, Fitimin dhe Kushtrimin, vëllanë Hamzën, dy kunatat, katër nipër dhe shtatë mbesa. Tri breza të së njëjtës familje u vranë nga forcat serbe.
Ademi dha gjithçka që mund të jepte nga vetja për një kauzë të vetme: lirinë e atdheut.
Por një sakrificë e këtyre përmasave na shtyn të reflektojmë. Çfarë guri peshe duhet të ketë në anën tjetër të peshores, që njeriu të gjejë forcën për të qëndruar përballë një çmimi kaq të rëndë?
Për mendimin tim, ai gur peshe është forca e besimit. Besimi në Zot, besimi në ahiret (jetën e përtejme), bindja se ekzistenca njerëzore nuk përfundon me vdekjen dhe se sakrifica për një kauzë të drejtë nuk mbetet pa shpërblim tek Krijuesi.
Një dimension i figurës së Adem Jasharit, për të cilin mendoj se është folur më pak nga sa meriton, është pikërisht besimi i tij.
Bashkëluftëtari i tij, Nuredin Lushtaku, dëshmon se më 22 janar 1998, gjatë sulmit të forcave serbe ndaj familjes Jashari, Ademi kishte refuzuar të ndizte një cigare, pasi ishte agjërueshëm. Ndërsa daja i tij, Shani Geci, duke kujtuar bisedën e fundit telefonike me të, rrëfen se Ademi kishte përsëritur tri herë fjalët: «Zoti na ndihmoftë!»
Edhe në rrethanat më të vështira të jetës së tij, ai nuk e kishte harruar marrëdhënien me Zotin.
Po ta shprehnim këtë lidhje ndërmjet besimit dhe atdhedashurisë me fjalët e të madhit Hafiz Ali Korça, do të mjaftonin këto vargje:
Feja siguron moralin,
Siguron nderin dhe mallin.
Por një komb kur e le fenë,
Më s’ka dert as për atëdhenë.
Besimi dhe atdhedashuria, në botëkuptimin e shumë prej figurave tona kombëtare, kanë qenë dy vlera që ushqejnë dhe përforcojnë njëra-tjetrën.
Të flasësh për besimin e Adem Jasharit nuk do të thotë ta përvetësosh atë mbi baza fetare. Ai i përket mbarë shqiptarisë. Por do të ishte e padrejtë që, ndërsa nderojmë veprën e tij, të anashkalojmë bindjet dhe vlerat që ai mbarti në jetën e vet.
Adem Jashari nuk arriti ta shihte Kosovën e lirë dhe të pavarur. Nuk gëzoi frytet e luftës së tij, nuk mori poste, nuk përfitoi privilegje. Ai dha jetën për një liri që do ta gëzonin të tjerët.
Prandaj, sa herë që flasim për atdhedashurinë, ndoshta duhet të pyesim më pak se çfarë na ka dhënë atdheu dhe më shumë se çfarë i kemi dhënë ne atij.
Baca Adem,është heroi që nuk i kërkoi asgjë atdheut, por i dha gjithçka.
Zoti e mëshiroftë Adem Jasharin, familjen e tij dhe të gjithë dëshmorët e kombit shqiptar!i
/ nga profili i Edison Hoti




